Sot 30-vjet nga varja e antienveristit dhe poetit Havzi Nela

Opinion
Nga Azem Parllaku  /
Havzi Nela, mësuesi e poeti kryengritës kuksian, përmbyll kalvarin e gjatë të persekutimit të shumë intelektualëve përgjatë viteve të sundimit nga regjimi komunist në Shqipëri. Mijëra njerëz të urtë dhe të fjalës së lirë, u torturuan në forma të paprecedentë dhe jashtë përfytyrimit njerëzor. Një ndër ta, ishte dhe dënimi dhe ri-dënimi i poetit Havzi Nela.

Ai u var në mes të qytetit të Kukësit, në një kohë kur në Europë, ekzekutime të tilla, ishin ndaluar me kohë. Persekutimi i intelektualëve dhe i njerëzve që kërkonin lirinë e shprehjes, ishte kthyer në një spektakël rutinë për publikun e gjërë të nënshtruar dhe admiruesit e sistemit diktatorial.

Djaloshi nga Kollovozi gjithsesi që në moshë të re, i ndikuar dhe nga varfëria e tejskajshme e familjes së tij dhe të tjerave përreth saj, do të gjej më të mundshmen për t’iu kundërvënë këtij fati. E më e mundshmja ishin, arratisja për një jetë më ndryshe, ishin ato shënime në disa fletore, që askush përveç tij nuk mund t’i kish shkruar, shënime të cilat qartazi dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pasurinë shpirtërore të tij. Nëpërmjet kësaj ndjeshmërie, nëpërmjet këtij komunikimi e dialogu me vetveten në qelitë e burgut Havzi Nela, nuk kish bërë tjetër, veçse çdo ditë që kalonte po faktonte atë ç’ka ai kish ndjerë për kohën në të cilën jetonte, po faktonte atë të cilën veçse ndërgjegjia e shpirti i tij prej poeti e kish parashikuar.

Kauza e tij ishte për liri, drejtësi dhe barazi. Ai nuk kishte kauzë personale, por të gjithë idetë që kishte, ishin në shërbim të të gjithë njerëzve pa dallime. Kërkesat e Havzi Nelës, ishin për një shoqëri të emancipuar, ashtu siç Europa kishte filluar t´i bënte me kohë.

Pse jo; që në rininë e hershme Havziu, kish lënë të kuptonte se ishte një shpirt “rebel” dhe i papajtueshëm me atë që fati po i rezervonte.

Njeriun të cilin liria e deshi ta kishte martir e karakterizoi ndjeshmëria ndaj saj dhe urrejtja ndaj një bote dhe kohe ku vetëm liri nuk kishte. Me kurajon e një njeriu të thjeshtë por shpirtmadh ai dalëngadalë do të identifikohej si qëndrestar i papajtueshëm me sistemin që e përndoqi dhe e vrau. “Jo shokë; ky popull është i sëmurë dhe të sëmurit tre gjilpëra njëherësh nuk mund ti bëhen”, kështu tha Havzi Nela në një prej takimeve më popullore në Shishtavec të Kukësit, takim në të cilin në rend të ditës ishin kolektivizimi, prishja e xhamive dhe ndërrimi i veshjes tradicionale të grave në zonë. Sigurisht që për kaq sa kish shprehur Havziu, nuk kish si të ndodhte ndryshe; Me këtë njeri duhet bërë kujdes!

Abedin Noka mësues në zonë dhe bashkëkohës me Havzi Nelën, në kujtimet për këtë të fundit çmon pjekurinë dhe vizionin që e karakterizonte atë, madje në një poezi që Noka ka shkruar për bashkëkohësin e tij dhe që ua mëson nxënësve të shkollës së Novosejt e quan Havziun si lisin qëndrestar në rrënjët e të cilit mbahet lëndina e luleve. “Ai ishte njeriu me një guxim të pashoq, ndoshta pasioni i madh për drejtësi, ndoshta shpirti i tij human pse jo dhe telepatia për atë ç’ka e nesërmja do të servirte e bënin këtë njeri kështu të fortë, të papajtueshëm e mendimtar ndryshe. Tek ai ne shihnim mësuesin dhe intelektualin që dallonte nga të tjerët, shihnim se si atë e transferonin sa në një shkollë në tjetrën, sa në një zonë të vështirë në një tjetër akoma më të vështirë. Atij po i’a sillnin në majë të hundës, po vazhdonin t’i thonin sa më shumë mendon, flet apo shkruan ndryshe aq më shumë do të përndiqesh. Ndoshta ai kishte vetinë t’i bënte njerëzit për vete, ndaj nuk e linin të krijonte shoqëri apo njohje solide”.

Pasi kish kryer shkollën e mesme për mësonjës në Shkodër, në profesionin mësues Havzi Nela, nis punë në rrethin malor të Matit në shkollën fillore në Plan të Bardhë. Këtu ai përjashtohet nga mësuesia për krijime letrare të dënueshme. I detyruar ai do të vijonte të kryente shërbimin ushtarak në Elbasan. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nga ku duket se për, të ishte harruar sadopak, vazhdon të kryej detyrën e mësonjësit në Krumë, Shishtavec e Topojan, njëherësh pa shkëputje nga puna vazhdon të ndjekë studimet e larta.

Ndërsa sapo kishte folur në takimin e Shishtavecit, mësuesi dhe poeti e kish kuptuar që ditë në liri gjithsesi nuk mund të kishte dhe kjo për faktin se ai e parandiente. Havzi Nela e njihte mirë jetën dhe psikologjinë e popullit të tij, ai e dinte se sa e vështirë ishte që për këta njerëz të thjeshtë e bujar ishte e vështirë t’u thoje mos besoni, t’u thoje hiqni dorë nga ajo traditë që i identifikonte ata, t’u shkatërroje atë pak pasuri që me shumë sakrificë e mbanin në këmbë.

Novosej, fshati ngjitur me Kollovozin masivisht iu kundërvu betejës për kolektivizim. Kur në atë kohë iu raportua Enver Hoxhës për kooperativat në veri, ndër të tjera u tha se “Berlini kish rënë”. Kështu u quajt fshati ngjitur me vendlindjen e Havzi Nelës. Pikërisht menjëherë pas kësaj me dhjetëra familje nga kjo zonë detyrohen të braktisin dheun e tyre për të emigruar drejt ish-Jugosllavisë e më vonë në Belgjikë për të formuar sot komunitetin më të madh të emigrantëve shqiptarë në Ferizaj të Kosovës e në Bruksel. Edhe martiri që e deshi lirinë Havzi Nela së bashku me bashkëshorten e tij Lavdijen, arratisen në ish-Jugosllavi.

Në momentin kur ai po kalonte kufirin nxjerr lapsin dhe një copë letër ku në të shkruan “Lamtumirë Atdhe i dashun, po të lë me zemër plasun” Këtë letër ai e vendos në degën e një lajthie, letër të cilën më vonë e gjejnë dhe e dorëzojnë ushtarët roje të kufirit. Arratisja e Havzi Nelës ndodh menjëherë pas mbledhjes së Shishtavecit, ku ai kish shfaqur qëndrimin e tij kundër vendimeve që po merreshin në këtë takim. Ndoshta pikërisht kjo ka ndikuar që sigurimi i shtetit i asaj kohe të vihet shpejt në lëvizje. Qëndrimi në arrati i Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij nuk zgjat më shumë se dy javë, pasi atë e kthejnë sërish në Kukës në këmbim të kosovarëve që Shqipëria duhej t’ia dorëzonte UDB-së. Pas kësaj arratisje Havzi Nela dënohet me 15 vjet heqje lirie, ku këtë dënimin ai do ta kryente në burgjet famëkeqe të diktaturës. Dhe në burg Havzi Nela nuk do të hiqte dorë nga pasioni i tij për krijimtari.

“Ma mirë plis, lëndin a fushë, ma mirë bar kullotë bagëtie. Ma mirë mos me m’njohë kërkush, kur zuzarin kam mbi krye!” Kjo është një prej të shumëtave sarkazma therëse në krijimtarinë e tij. Kështu ai denoncon shkaktarët e gjendjes, pikërisht në kohën kur bota po i sheshonte kufijtë, ndërsa në Shqipëri ishte shtuar etja për më shumë bunkerë, izolim e tel me gjemba. “I pandreqëshmi” Havzi Nela, për qëndrimet e tij kontradiktore me sistemin ridënohet sërish pa gëzuar qoftë dhe një ditë jashtë qelie. Dhe pse sërish i ridënuar dhe pse për të njejtat qëndrime ai nuk resht së krijuari, nuk resht së dialoguari në vetmi. Nëpërmjet krijimtarisë së tij, si rrallëkush ka dialoguar me mjeshtëri me vetveten dhe fatin e tij, pasi ishte jeta ajo që do t’i thërriste së nesërmes me atë zë piskatës që lëshohet prej shpirtit të poetit.

Studiuesi i përkushtuar Petrit Palushi i cili ka mbledhur dhe botuar një pjesë të krijimtarisë së Havzi Nelës ndër të tjera veçon “Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m’u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit në Evropë”.

Në vitin 1986 ai pasi vuan plot 19 vjet heqje lirie, nxirret nga burgu, por gjithësesi për të mos qenë i lirë si të gjithë të tjerët në “liri”. Internimi dhjetëmuajsh në malet e Arrnit, nuk përbën ndonjë sadisfaksion për këtë njeri luftëtar, simbol i lirisë së ëndërruar.

Antikonformisti politik Havzi Nela, mënyrën se si e kaloi jetën në burg mund të krahasohet, apo të merret si personazh i veprave të Dostojevskit, Cvajgut apo Sartrit. Pas ri-dënimeve të njëpasnjëshme ai u dëshpërua dhe e kaploi një ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi, ku shprehet: “S´po ma lan vendin me ndejtë rehat as n´Arrën. Më kanë lodhë në shpirt. Vështirë se kam jetë derisa të mbarojë internimin. Në burg kisha shokë, kurse këtu në Arrën e kam të pamundshme të kem shoqni. As me bishat sikur të due me bisedue nuk më lejojnë. Në vetmi, pa njerëzit e mi, pranë vetëmqyqe”.

Më 24 Qershor 1988 Havzi Nela dënohet me vdekje. Në sallën e gjyqit Havzi Nela sërish kërkoi drejtësi dhe jo mëshirë. Sigurisht që askush prej atyre që po e dënonin poetin nuk kishte mëshirë, sigurisht që ai më mirë se askush e kuptonte që ata njerëz që kish përballë dhe predikonin drejtësi po bënin gati “kurbanin” e radhës, për t’u falenderuar nga udhëheqja dhe udhëheqësi.

Ekzekutorët nuk kishin si të prisnin gjatë. Në mënyrë të zellshme po kaq dhe mizorisht, në orët e para të 10 Gushtit 1988, në një shesh të populluar të qytetit të Kukësit, kryejnë aktin makabër dhe të shëmtuar. Disidenti, mësonjësi dhe poeti, tashmë varur në litar, dëshmon pamëshirshmërinë e atij sistemi që çuditërisht ende mbahej në këmbë. I varur simboli i fjalës së lirë dukej sikur u thoshte mijëra syve që e shihnin “Ja ku jam unë armiku juaj! Mos provoni të mendoni, apo të bëni siç bëra unë, pasi këtë fat mund të provoni dhe ju!

Më 10 gusht 1988, kujton studiuesi Petrit Palushi “në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një “arenë vdekjeje”, siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës”.

Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët. Akoma më keq mësuesin dhe poetin e kishin veshur si mos më keq.

Ja si e kujton këtë skenë gazetari Rexhep Shahu “54 vjeçari Havzi Nela i varur i shihte të gjithë me sy të dalë. Një palë pantallona doku të hollë kinez, një këmishë të hollë të zbërthyer krejt, kërthiza e barku përjashtë, opingat e llastikut veshur. Kjo ishte pamja që fiksuan të tronditur qindra njerëz që e panë për të mos e harruar kurrë disidentin e poetin, të varurin e fundit nga diktaturat në gjithë Evropën. Partia kishte urdhëruar shumë kënd të shkonte ta shihte të varurin. Që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist. Një grua shtatzanë sapo e pa kufomën që lëkundej në litar dështoi foshnjën që mbante në bark. Edhe kjo ishte një vrasje tjetër e diktaturës komuniste…”

Ndersa familjaret dhe te afermit nuk ishin lejuar të shihnin për të fundit herë njeriun e tyre të dashur, nuk u lejuan t’i jepnin lamtumirën e fundit. Ndoshta për familjarët e Havziut lehtësuese është, që vëllait të tyre i dhanë lamtumirën të gjithë ata njerëz që në heshtje mallkonin sistemin dhe kriminelët që kishin bërë këtë akt, aspak njerëzor dhe në një kohë që askush nuk mund ta kish besuar, aq më tepër ndaj një njeriu si Havzi Nela. Boll kishte vuajtur ai, tashmë sistemi të cilit i përkisnim i kishte ardhur fundi. Por ja që nuk ishte e thënë kështu. Çuditërisht ai dhe në varr nuk do të ishte në prehje si të gjithë të vdekëshmit!

Plot dymbëdhjetë orë ka qëndruar në litar i fundit i të varurve të diktaturës, për t’u varrosur në këmbë në bregun e liqenit afërsisht tre kilometër larg qytetit të Kukësit. Përse e varrosën në këmbë, përse po e varrosnin në terrin e natës, përse dhe në varr po vazhdonin ta dënonin!?

Tashmë ai prehet në fshatin e tij të lindjes dhe ish-Presidenti Sali Berisha i ka akorduar titullin e lartë “Martir i Demokracisë”, ndërkohë me 22 Mars 2005 atij i është dhënë titulli “Nderi i Qarkut të Kukësit”, ndersa gjimnazit të Kukësit dhe shkolles 9-vjecare ne fshatin e lindjes se tij i është vene emri i poetit liridashës.

Sot pas 30 viteve mendimi tij ka gjetur momentin e duhur. Idealet e tij, jo vetëm duhen respektaur, por edhe të vihen në zbatim. Mendimi poliedrik i Havzi Nelës, sot është më aktual se kurrë, idetë e tij janë të mëshiruara tek një shoqëri më e zhvilluar, emancipuar e mbi të gjitha e lirë.