Gjermania, vendi më i mirë për të punuar në 2019-n

Rajoni

Sipas bankës ndërkombëtare HSBC, vendi më i mirë për “njerëzit ambiciozë që kërkojnë një shtysë në karrierën e tyre në vitin 2019” është Gjermania.

Ky është rezultati i një sondazhi të kryer te 22,318 persona që jetojnë jashtë vendit të lindjes, në 163 vende të botës. Arsyeja kryesore që i shtyn të rinjtë të lënë vendin e tyre të origjinës është pikërisht përmirësimi i kushteve të tyre të punës. Për të përcaktuar rezultatet, pjesëmarrësit në sondazh u pyetën për të vlerësuar përvojën e tyre në punë në bazë të tetë pyetjeve të fokusuara te karriera.

Përgjigjet e tyre u konvertuan në një vlerësim të përgjithshëm për vendin dhe u krahasuan me studimin e vitit të kaluar. Faktorët e jashtëm, si klima ekonomike dhe politike, nuk u morën në konsideratë drejtpërdrejt, por mund të kenë ndikuar në vlerësimet e të intervistuarve.
John Goddard, kreu i HSBC Expat, dega bankare offshore e HSBC Group, tha se klasifikimi mund të jetë një shtysë për ata që kërkojnë të bëjnë një hap para në karrierën e tyre me një lëvizje jashtë vendit të lindjes. Në krye të klasifikimit këtë vit është Gjermania. Besnike ndaj reputacionit për efikasitetin, Gjermania është konsideruar edhe si një vend për progres në karrierë, me 65% e të intervistuarve që e cilëson si vend “produktiv”. 70% e të intervistuarve thonë që ekuilibri mes jetës profesionale dhe asaj personale është përmirësuar që kur është transferuar në Gjermani.

Të huajt që jetojnë dhe punojnë në Gjermani e vlerësojnë vendin për kulturën e punës dhe nivelin e sigurisë në punë. Thuajse tre të katërtat e të intervistuarve raportuan për përmirësim të sigurisë në punë në Gjermani krahasuar me vendin e origjinës.

Gjermania, në klasifikimin e këtij viti kapërcen Suedinë dhe Zvicrën

5 vendet më të mira për të punuar në vitin 2019

  1. Gjermania
  2. Bahrejni
  3. Britania e Madhe
  4. Emiratet e Bashkuara Arabe
  5. Zvicra