Piktori Dëfrim Hasa: Kodi njerëzor përtej kornizave të një pikture

Emigracioni Kryesore

Kristo Dëfrim Hasa ka ecur me hapa të matur e pa bujë në fushën e artit, ashtu siç iu ka hije artistëve të mirëfilltë.

I lindur në qytetin e Gramshit në Shqipëri, ai u pikas nga mësuesit në shkollë për talentin në vizatim dhe ajo ishte dhe shtytja e parë drejt rrugës së gjatë e të vështirë të pikturës. Mbase nuk ia njihte dhe aq dhuntinë për pikturën vetes, kur ishte i detyruar të punonte jashtë saj, por prirja dhe pasioni për të do të vinte duke u shfaqur përherë e më fort. Tashmë ai është i dëshmuar si autor, mjeshtër i penelit, përmes ekspozitave të shumta qoftë personale, qoftë kolektive, të cilat rrezatojnë piktorin me ndjeshmëri të vetën.

Kështu, fakti që iu desh të ikte në emigrim për një jetë më të mirë si shumica e bashkëkombasve të tij, ndikoi padyshim në rritjen si artist. Kjo sepse Dëfrimi iku me “ kokën prapa”, pra dashurinë për vendin e tij të lindjes, për Shqipërinë, ai nuk e tjetërsoi me asgjë tjetër, përkundër kushteve jo favorizuese të fillimit, si për çdo emigrant në botë. Kur u nis nuk e dinte ku do të shkonte, nuk dinte as gjuhën greke, (sepse ai shkoi në Greqi), po ai dinte gjuhën universale të artit: dashuria dhe humanizmi, e drejta dhe shpresa, ëndrrat dhe realiteti, të cilat në rastin më të parë që ra në kontakt me njerëz të fushës së artit, i mundësuan edhe ekspozitën e parë të tij vetjake. Kjo ekspozitë ishte si një prolog ogurmirë, suksesi që ajo pati dhe jehona që zuri vend jo vetëm administrativisht, por edhe mediatikisht, ndikuan jo pak që Dëfrimi të fillonte realisht karrierën e tij si piktor.

Ishte viti 2000. Dhe pas këtij viti, pas jehonës që pati kjo ekspozitë në qytetin Amaliada ku ai jeton e punon, Dëfrimi drejton për tre vjet rresht Shoqatën e Shqiptarëve në qarkun e Ilias Pelopones. Një ndërmarrje e guximshme e tij si shqiptar, po të kemi parasysh edhe qëndrimin e disa qarqeve të caktuara shoviniste, të cilat jo rrallë herë kanë terrorizuar dhe  dëmtuar shqiptarët në emër të një nacionalizmi radikal. Por Dëfrimi asnjëherë nuk e mohoi origjinën, madje besoj se ishte krenaria e tij e pastër, dinjiteti dhe integriteti, dashuria  e plotë ndaj vendit e gjakut të tij, që ngjalli mes të tjerash respektin e grekërve që jo vetëm e pranuan për vlerat e padiskutueshme në fushën e artit, por edhe për qenien si shqiptar.

Ndoshta për ndonjë që nuk e njeh këtë realitet kjo mund të tingëllojë patetike, por për ata që e njohin, dihet që sa e vështirë është integrimi në jetën sociale, ekonomike dhe në rastin tonë edhe artistike. Por Dëfrimi ia doli. Mjafton të përmendim që qytetarët grekë i besuan Dëfrimit edhe fëmijët e tyre, të cilëve ai u mëson  pikturën,  dhe e gjithë kjo punë i dha frytet e veta:  -5 Çmime Kombëtare e Ndërkombëtare! Gjatë këtyre 20 viteve veprimtaria e tij artistike ka pasur një rrugëtim të pasur me suksese dhe arritje, ku ka marrë pjesë në shumë ekspozita, galeri, takime kombëtare dhe ndërkombëtare, ku në të shumtat e tyre ka përfaqësuar Shqipërinë, është nderuar me shumë tituj, çmime dhe vlerësime për vlerat dhe kontributin e tij në fushën e artit dhe kulturës.

Le të përmendim disa prej tyre: Në Amaliada ka realizuar 2 ekspozita personale dhe 56 kolektive; në Olimpia dhe Athinë, Greqi, mbi 8 ekspozita, si anëtar i grupit te UNESCO; në Qipro me dy ekspozita  në Lefkosia dhe Limaso, si anëtar i grupit ndërkombëtar “Artistë pa kufi”; në Turqi  2 herë, Stamboll dhe Çanakale si anëtar i grupit ndërkombëtar, “Miqësia dhe paqja midis popujve”; në Kosovë, Gjilan në ekspozitën ndërkombëtare  “Miqësia dhe paqja midis popujve”; në Firence Itali, në ekspozitën ndërkombëtare “Popuj dhe Art”, duke ngritur kudo me dashuri dhe krenari flamurin tonë kombëtar. Dhe së fundmi në LUVËR, Paris- Francë, në ekspozitën ndërkombëtare me pjesmarrjen e 1100 artistëve nga gjithë bota, ku u paraqit me dy punime, duke realizuar një ëndërr të kahershme të vetën. “Artist i vërtetë është ai që nuk e sheh pikturën brenda një kornize, vetëm si një mundësi për t’u ndarë nga hapësira përreth”- thotë ai.

I gjithë ky aktivitet i dendur dhe i vazhdueshëm në vende të ndryshme të botës jo vetëm që nuk e pengoi të hidhte sytë nga vendlindja, por për më tepër ai shikonte mundësitë dhe rastet që edhe Gramshi, Shqipëria, të përfshihej në këto evenimente. I bindur se talentet Shqipërisë nuk i mungojnë, realizoi me inisiativën e tij dy ekspozita pikture në qytetin e tij të vendlindjes Gramsh, një me piktura të fëmijëve të vegjël shqiptarë dhe grekë, në bashkëpunim me qendrën kulturore ‘’Vëllezërit  Cetiri’’, si dhe një tjetër me piktorin e paharruar gramshiot, Adem Hoxha. Gjithashtu, në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Ambasadën Greke në Tiranë, Bashkinë Gramsh dhe Bashkinë Ilida Amaliadha, ka hapur dy ekspozita pikture, ku dhe u nderua nga Bashkia Gramsh, “Nderi i kulturës gramshiote’’. Ështe anëtar i rregullt i shoqatës së artistëve të Shqipërisë

“Pranverë Art”.

Një tjetër anë e veprimtarisë së Kristo Dëfrim Hasës, që plotëson portretin e tij si artist i mirëfilltë, duke krijuar kështu një shembull modeli për të gjithë, është veprimtaria e tij nëpër aktivitete bamirësie, të cilat i ka realizuar edhe si individ, krejtësisht me iniciativën e vet, e herë edhe në grupe të ndryshme. Ishte inisiativa e tij për të çuar më tej urat e miqësisë mes dy popujve fqinjë, Shqipëri-Greqi duke çuar në Gjirokastër një grup prej 50 vetësh nga Greqia, gjithnjë edhe në bashkëpunim me Konsullin grek në Gjirokastër si dhe Bashkinë e qytetit, me finalizimin e këtij aktiviteti me mbjelljen e Pemëve të Miqësisë. Është e tepërt të theksojmë vlerat e padiskutueshme  shumëplanëshe të këtyre aktiviteteve, që qetësisht por me shumë dashuri e përkushtim vendosin  ngadalë por sigurt, urat universale njerëzore. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fqinjë…

Për gjithë veprimtarinë e tij artistike dhe kontributin e dhënë është nderuar me shumë tituj dhe çmime, diploma nderi, është nderuar nga katër bashki të ndryshme në Greqi, si dhe bashkia Gramsh ‘’Nderi i kulturës gramshiote”.  Nga Ambasada greke në Tiranë, nga shumë galeri artistike në Athinë, Qipro, Itali, Shqipëri, Francë, Kosovë, Turqi. Është nderuar dy herë me çmimin e dytë për piktorët profesionistë në mbarë Greqinë. Gjithashtu ai është pritur e vlerësuar nga personalitete të shtetit Grek, por jo vetëm. Përmendim Ambasadorin Rumun në Athinë, Ambasadoren e Kinës në Shqipëri, grupin e UNESKO-s dhe INTERNATIONAL ART- Greqi. Ai është pritur që nga Ministri i Jashtëm i Greqisë në vitet 2006, Janis Zafiropulos;  nga Ministrja e Turizmit e Greqisë 2015, Elena Kontura,  dhe së fundmi ai pati takim edhe me Presidentin e Greqisë, Prokopi Pavlopulos, ku mori urimet dhe vlerësimet e tij të sinqerta për kontributin në fushën e artit dhe kulturës për të mirën e komuniteteve tona. Në vitin 2020 u shpall personazh i vitit nga gazeta e dytë më e vjetër e Greqisë “Patris”, për kontributin për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri, si dhe debutimin dinjitoz në ekspozitën ndërkombëtare LOUVRE, Francë. Mban titullin “Ambasador i Paqes”. Puna e tij modeste është pasqyruar në shumë albume, libra artistikë, është pasqyruar nga shumë intervista, emisione televizive, në kanalet kombëtare greke, shqiptare, dhe shumë artikuj gazetash të shkruara në Shqipëri, Greqi, Qipro, Turqi dhe Kosovë. Mbi 380 shkrime gazetash numërohen për veprimtarinë e tij artistike. Jeton dhe punon prej 28 vitesh në Amaliada, Greqi.

Gazeta TELEGRAF