Rusi: Gjendet një varr masiv me eshtra të 675 fëmijëve. U vranë nga nazistët për t’u marrë gjakun

Bota

Eshtrat e 675 fëmijëve të të gjitha moshave, të cilët ishin vrarë nga nazistët për t’i transfuzuar gjakun e tyre oficerëve dhe ushtarëve të plagosur, u zbuluan nga një ekip studiuesish në fshatin Novaya Bouria, pak jashtë Shën Petersburgut.

Në këtë varr masiv u gjetën eshtrat e më shumë se 1360 njerëzve. Nga kufomat e të rriturve, shumica ishin gra, duke përfshirë tre gra shtatzëna. Pak nga viktimat mbanin shenja rrahjeje, ndërsa shumica nuk kishin asnjë tregues për shkakun e vdekjes.

Sipas të dhënave, në një distancë prej rreth 300 metrash nga varri masiv, ushtarët nazistë kishin bazën e tyre nga viti 1941 deri në vitin 1943, gjatë rrethimit të Leningradit.

Një teori është se 675 fëmijë vdiqën nga uria gjatë dimrave të ashpër rusë të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ekspertët thanë se eshtrat e fëmijëve mund të kenë ardhur nga një kamp “transfuzioni gjaku” në qytetin e Viritsa, afër Gatsina.

Më shumë se 300 të mitur, nga të sapolindurit deri në 14 vjeç, u mbajtën në kamp për të “tërhequr” gjakun për ushtarët dhe oficerët e Wehrmacht. Fëmijët më të vegjël patën mundësinë të shoqëroheshin nga nënat e tyre. Pranë këtij “kampi të vdekjes” u zbuluan rreth 100 varre, por mijëra viktima të reja nga Virica nuk u gjetën kurrë.