Kryeministri Rama takohet sot me kancelarin gjerman Olaf Scholz, zbardhet çështja e rëndësishme për të cilën do diskutojnë

Politika

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama takohet sot në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ndër të tjera, Rama pritet të kërkojë nga Scholz përkrahje për çeljen e negociatave.

Që kur Olaf Scholz ka ardhur në detyrë së paku vihet re një gjë: Sa here që i jepet rasti për të folur për politikën e BE-së, ai nuk harron të përmendë vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në veçanti domosdoshmërinë e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne duhet të kujdesemi që t’i forcojmë dhe mbështesim rajonet fqinjë”, tha ai në fund të marsit pas takimit me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.Është shumë e rëndësishme, që të çelim sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çdo zvarritje e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor më të lëndueshëm dhe të hapur për ndikimin e palëve të treta”. Scholz bëri thirrje për të mobilizuar një përkrahje sa më të gjerë dhe u zotua se Gjermania do të bëjë të vetën. Ngjashëm ishte shprehur Scholz edhe pas takimit homologen suedeze Magdalena Andersson.

Zyrtarisht është Bullgaria ajo që e pengon procesin aktualisht, për shkak të mospajtimeve që ka me Maqedoninë e Veriut. Por qarqet diplomatike thonë se për të dhënë përfundimisht dritën jeshile për çeljen e negociatave një rol vendimtar luajnë edhe zgjedhjet presidenciale në Francë. Kryetari i komitetit të zgjerimit të BE-së në Bundestagun Gjerman, politikani i partisë Të Gjelbrit, Anton Hofreiter, i tha DW në një intervistë se shpreson që çelja e negociatave të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të Francës. “Kam përshtypjen se edhe BE është vetëdijësuar se rajoni dhe Europa do të bëhen më të qëndrueshme dhe më të forta, me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Ndarja nga Maqedonia e Veriut

Nëse Bullgaria do të vazhdojë qëndrimin e saj bllokues, atëherë Shqipëria do të kërkojë të shkëputet prej saj, në procesin e integrimit. Këtë e ka thënë ditët e fundit edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe për këtë kanë lobuar kohët e fundit pjesëtarë të mazhorancës shqiptare, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe kryetarja e Komitetit për çështje të jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli, gjatë vizitave të tyre në Berlin.

Deri tani asnjë nga bashkëbiseduesit e tyre nuk është shprehur hapur për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Kryetari I Komisionit për Çështje Evropiane, Anton Hofreiter, i tha në një intervistë DW, se “shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është e mundur, por nuk ka shumë kuptim”. Hofreiter tha se shpreson që qeveria e re e Bullgarisë të ndryshojë qëndrimin e saj.”