Prangosja e Belerit, Greqia: Ndikon direkt në rrugën tuaj drejt BE, minoriteti është kusht i qartë!

Greqi

Vendimi i Gjykatës së Vlorës për të lënë në arrest me burg kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, është konsideruar nga Ministria e Jashtme greke si një vendim skandaloz.

MPJ çmon se arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk është pjesë e një shteti ligjor nëse provat nuk janë bindëse.Për ministrinë e Jashtme greke ky vendim do të ndikojë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE, pasi sipas saj, respektimi i të drejtës së pakicave është pjesë e rrugëtimit dhe parimeve europaine.

“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë bindëse, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën veprime të një shteti ligjor.

Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.

Një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate.

Vendime si ky i sotmi që shkelin këto parime, tregojnë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën evropiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Ndërkaq, po sot, zëvendësministri i Jashtëm dhe kandidat për deputet në Athinë i Demokracisë së Re, Miltiadis Varvitsiotis, tha:

“Ne ua kemi bërë të qartë autoriteteve shqiptare prej kohësh dhe e kemi vënë edhe në Kuadrin e Negociatave të Bashkimit Evropian se mbrojtja e të drejtave të pakicave është pika të cilës Shqipëria duhet t’i shërbejë dhe të punojë për të ecur përpara në Evropë”.

Varvitsiotis vuri në dukje se qeveria greke e ka vendosur çështjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri shumë lart në agjendë.

“Për të pranuar Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim, në Kuadrin Europian të Negociatave u përfshinë qartë dhe në mënyrë eksplicite çështjet e lidhura me respektimin e të drejtave të pakicave. Këto veprime do të shkaktojnë një ndryshim edhe në qëndrimin tonë”, tha Varvitsiotis, raporton noa.al.

Më herët sot, Gjykata e Vlorës la në burg Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua të premten (12 maj).

Biznesmeni Fredi Beleri akuzohet për blerje votash. Gjykata ka vendosur kalimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).