Arrestimi dhe më pas procesi gjyqësor i ngritur nga Fredi Beleri me akuzën e shitblerjes së votave vijon të prodhojë debat dhe përplasje diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis ka folur për hapat e mëtejshme që do të ndërmarrë kabineti Mitsotakis, për çështjen Beleri, duke theksuar se Athina zyrtare do të kërkojë deri në fund respektimin e vlerave europiane të cilat sipas tij nuk janë respektuar në ndalimin e Belerit.
“Qëndrimi i qeverisë shqiptare, ndaj një kryebashkiaku të zgjedhur dhe ndaj minoritetit grek në tërësi, nuk është vetëm armiqësor ndaj minoritetit grek, por është edhe ndaj parimeve të Bashkimit Evropian dhe për këto parime duhen dëshmi që respektohen nga qeveria shqiptare, jo vetëm përballë Greqisë, por edhe ndaj të gjithë vendeve anëtare. Dhe kjo mbajtje në burg (e Belerit) dëshmon për fat të keq të kundërtën”, tha – Pavlos Marinakis, zëdhënës i qeverisë greke.
Këtyre deklaratave i është përgjigjur ministria e jashtme shqiptare, me anë të një komunikate për mediat. Ministria thekson se procesi gjyqësor ndaj Belerit nuk ka asnjë lidhje me qeverinë dhe qëndrimin e zyrtarit të qeverisë greke e cilëson të pavend.
“Kemi ndjekur me keqardhje deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri. Siç e kemi deklaruar në vijimësi, publikisht por edhe gjatë komunikimeve që kemi pasur me kolegët tanë grekë, deklarata të tilla janë të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve”, ishte reagim i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Ky nuk është shkëmbimi i parë i replikave në distancë mes Athinës dhe Tiranës për çështjen Beleri, teksa që nga momenti kur kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës u vu në pranga qeveria greke e ka cilësuar atë si një sulm ndaj minoritetit grek dhe lirisë e të drejtave të njeriut.