Vjosë moj që rjedh kulluar
Që nga Pindi gjer në det
Vallë më je zemëruar
Që s’kam ardhur kaqë vjet?
Kaqë vjet pa luajtur bashkë
Të më mundësh përmbi valë
Të më zhytësh nëpër dallgë
Vjosë moj, a më ke falë?
Bashkë kaluam fëmijninë
Me rosakë e me lejlekë
Sa na bëre kapedanë
Na përplase breg më breg.
Vjosë e bukur, perëndeshë
Maleve u përkëdhelesh
Solla miqtë e mi poetë
Që në vargje , ti të ngelesh.
Helenkat ku ti ke lindur
Zanën që nga Katalonja
Për një gjë unë jam i bindur
I rrëmbeve zemrat tona.
Sot të shohim ty si nuse
Rjedh e qetë dhe e kulluar
Po kur çahen qiejt vallë
Edhe bëhesh e tërbuar?
Vala jote kaq e egër
Shfryn vullkan taborë-taborë
S’ndalesh perëndesha ime
Që nga Pindi , gjer në Vlorë.
Më i egri në Evropë
Rjedhë mitesh e legjendash
Kohrat nuk të ndalën dot
Nuk pranove , male veprash.
Bukur, gjarpëron mes malesh
Aortë zemre je për mua
Mbretëreshë që kurrë s’do ndalesh
Të kam dashur, do të dua.