LDSH: Një nënshkrim popullor

Kryesore Lajme Politika

astriti sot

Astrit Kosturi  /  Përvojat historike botërore tregojnë, se lëvizjet popullore lindin prej padrejtësisë shoqërore dhe plagëve të rënda, që ky sistem i padrejtësisë hap e agravon tek shumica popullore. Ato në thelb e përmbajtje janë pakënaqësi e zemërim popullor, njëkohësisht kurajo dhe gradë e emancipimit të shoqërisë, prandaj as mund të sajohen dhe as mund të mbahen “nën mëngë”, të fshehura e të izoluara, siç tenton  prej vitesh “klasa politike” shqiptare.                                                                                                                                       Gjithnjë këto përvoja kanë treguar, se nismëtari, ai që ka dhënë alarmin i pari për ndryshime të vërteta, ka qënë populli i thjeshtë, njerëzit e emancipuar dhe elita e shoqërive të atyre vendeve. Mbi këtë bazë dhe duke analizuar situatën e zymtë që mbretëron në Shqipëri, konkludojmë se rezistenca politike dhe protesta jonë duhet të ishin pararojë e lëvizjeve në rajonin tonë, pasi shoqëria shqiptare jo vetëm që është keqqeverisur dhe ngarkuar me një mal pakënaqësish, ka mbetur shpesh herë në këtë udhëkryq çerekshekullor, edhe e tradhëtuar haptazi prej kësaj “klase politike”, që erdhi në jetën tonë përmes një demokracie thellësisht të deformuar.

Fuqizimi dhe dalja në skenë e lëvizjeve popullore e politike kudo në botë, por edhe në vendet e lindjes e përreth nesh (siç është edhe rasti i marrjes së pushtetit në Greqi nga Syriza), padyshim sjellin optimizëm e kurajo edhe në radhët e shoqërisë shqiptare, që akoma vuan padrejtësinë dhe shtypjen, por edhe nevojën për reflektim të forcave të reja progresiste, që nuk pranojnë t’i nënshtrohen mashtrimit politik.                                      Kjo erë e re e këtyre lëvizjeve të mëdha popullore, sjellin në kujtesën tonë përvojën e atyre shoqërive, që prej zhgënjimit e pakënaqësive të lindura nga qeverisjet e tyre, lindën rezistencën e protestën politike e programore të mëshiruar në formacione e forca të reja, që morën përsipër të bëjnë korrigjimet e nevojshme, për të rregulluar balancat politike, dhe gjithnjë në favor të interesave të gjëra popullore e kombëtare.

 

Por në Shqipëri, edhe pse mbizotëron një gjendje e rëndë sociale, me pakënaqësi e zemërim në rritje, vazhdon “ripërtypja” e kësaj situate brenda shpirtërave tanë dhe, e shumëta në ambientet familjare e tavolinat e kafeneve, jo me të njëjtën gjatësi vale të erërave europiane, që po fryjnë fuqishëm!

Gjithësesi, kjo nuk do të thotë, se kjo frymë e reagimit politik e popullor në Shqipëri nuk ekziston!… Kjo nuk “ekziston” për ata që kanë frikë se prishin qetësinë dhe humbasin statuquo-në e privilegjeve, që i kanë dhënë vetes. Këtë erë të re që fryn e fuqizohet çdo ditë, përpiqen ta injorojnë sharlatanët e politikës 25 vjeçare, ata, që edhe nga ngjyrat që mbajnë janë të dalë boje!…

Por, dhe sa kohë do mundin t’i mbajnë fshehur krimet dhe abuzimet e tyre, të bëra në dritën e diellit të këtij vendi?! Dhe, sa kohë do mundin të mbajnë fshehur pakënaqësinë dhe revoltën e shprehur qartë prej njerëzve që nuk ushqehen prej buxhetit të shtetit, por prej vuajtjes dhe mjerimit shqiptar? A nuk janë më shumë se gjysma e shqiptarëve (përfshi edhe emigrantët), që nuk votojnë për këtë klasë politike, që i ka humbur morali dhe çdo ndjenjë humanizmi? A nuk janë shqiptarë, ata që kanë disa vite që organizohen dhe protestojnë me një program ndryshe, nën siglën LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve)?

Tashmë po e kuptojmë dhe jemi njëzëri dakord (edhe pse akoma nuk po veprojmë fuqishëm), se politika ka rënë në një batak të pakuptimtë, që vërtitet rreth narcizmit të padronëve të saj dhe servilizmit të tyre ndaj të huajve, të bërë me statusin e zotërve të shtëpisë.

Një situatë e tillë, po kërkon forca serioze, që të bëjnë të mundur ndaljen e kësaj rrokullisjeje, dhe risjelljen në normalitet të vendit, ku brenda këtij progresi shoqëror të shihet dhe suksesi personal i çdo individi.

Kjo përbën emergjencën, kjo përbën detyrën më patriotike që, Atdheu ynë kërkon sot, prej bijëve të vet!… Jo, turravrapi pas thirrjeve të opozitës zyrtare, apo reklamave qeveritare, që flasin dhe “vdesin” për popullin, kur pikërisht prej atyre (pozitë-opozitës), nuk ka mbetur asgjë popullore, as edhe emri popull.

Pra, në kushte të tilla, ku shoqëria e ka humbur busullën e orientimit dhe njerëzit janë të çorroditur politikisht, zhvillon punën prej gati pesë vjetësh një grup i njerëzve idealistë, të pa nënshtrueshëm, dhe mbi të gjitha shumë të vendosur, aty në qëndër të Tiranës, për t’u organizuar dhe për t’u bërë shumë e më shumë, si një dritëz që përpiqet t’u hap sytë, atyre që duan të shohin fundin e këtij tuneli të errët.

Si efekt i pakënaqësive dhe i indinjatës popullore në rritje, kanë lindur e vazhdojnë të lindin edhe lëvizje me emra e sllogane të tjera, përveç LDSH-së që unë përfaqësoj, të cilat synojnë ekzistencën tonë si shqiptarë e si komb. Dhe, si gjithçka që lind, ka diçka pozitive për t’u përshëndetur, por, a janë lindje gjithë këto lëvizje apo sajesa, të pushtetit, të klaneve dhe individëve që dëshirojnë të faktorizohen politikisht dhe për interesa të ngushta?!

Për t’iu ruajtur vorbullës çorroditëse të ç’orientimit politik, dhe, që të mos turremi si deri më tani, të ndjellë nga patetizmat dhe fjalët e bukura, duhet të nisemi nga përvojat dhe sidomos nga mësimet e nxjerra prej pësimeve të këtij mashtrimi sistematik 25 vjeçar.

Nisur nga studimi i kujdesshëm i gjithë kësaj përvoje të hidhur të regresit shqiptar, duhet të kemi mësuar, që para së gjithash duhet njohje e thellë e programeve dhe transparenca e tyre, e statuteve, normave dhe rregullave, nëse janë vërtetë demokratike në ndërtim e funksionim, apo është i njëjti moral dhe të njëjtat principe në themelet e tyre.

Gjithashtu, na duhet të njohim njerëzit që janë promotorë apo bëhen të tillë në ecje e sipër, se kush janë dhe ku firmosin këta “patriotë të mëdhenj”? Ç’lidhje kanë ata dhe familjarët e tyre me pushtetin, si dhe, kush i financon e orienton, kush i komandon dhe i mbështet aq bujshëm?…

Pas një analize të tillë të kujdesshme, secili në përputhje me karakterin dhe integritetin e vetë personal, si dhe në raport të drejtë me interesat që ka, zhgjedh dhe përzgjedh grupimin politik, për të qënë aktiv dhe i përgjegjshëm brenda tyre, dhe jo turmë e tifoz i sëmurë.

Pas kaq shumë vitesh të regresit të jetës tonë politike e sociale, nuk ka më kohë për të fluturuar pa mend, por të bindur dhe me ndërgjegje të shëndetshme, të vetëdijshëm, se përse jemi duke bërë më të mirën që i duhet Shqipërisë e shqiptarëve!

Në këto kohë zymtësie, vërtetë bashkimi është fuqi, por kjo kërkon lëndën e duhur që i bën të gjithë bashkë, kërkon të përbashktën tonë, që janë stërmundimi dhe vuajtja në ekstrem, prej padrejtësisë shoqërore!

Beteja e përbashkët për Drejtësi Shoqërore, do të ishte ilaçi i domosdoshëm për të shëruar përçajen dhe ndarjen masive të shqiptarëve, deri në familje dhe, mes vetes.

Këtë do të ishte mirë t’a bënte politika! Por, cila politikë? A mundet ky llojë morali dhe kjo politikë e pamoralshme, të luftojë padrejtësinë, që vetë ajo e ka mbjellë?!…

Edhe pse po mbushet një çerekshekulli “demokraci”, ora e politikës bipartiake shqiptare ka ngelur në pikën e saj të ngrirjes dhe vjen vërdallë me lëvizjet boshe dhe pafund e krye.

Sapo dilet prej një fushate mashtruese, mendohet për votat e fushatës së ardhshme. Flasin e shfaqen politikanët me sharje e akuza abstrakte, me mburrje e lista të sukseseve, që në fakt janë dështimet e radhës. Shfaqen e promovohen përmes mediave të përkëdhelurit dhe servilët e të mëdhenjëve, si çudibërës për të ndryshuar jetën e shqiptarëve dhe të fëmijëve tanë (kur të tyret janë në luks).

Realisht, këta janë të pëlqyerit e padronëve të politikës për t’ ua servirur popullit si “udhëheqësa”, në ato të ashtuquajturat zgjedhje, të zhurmshme dhe me kosto të pallogaritshme financiare. Ata kryesisht janë përfaqësues të forcave të mëdha “politike” (të popullit nuk ka si të jenë), të atyre forcave që asgjë nuk paguajnë në ato godinat e mëdha e luksoze që janë pronë e shqiptarëve, dhe që gllabërojnë edhe financat e buxhetit tonë, për të funksionuar vetëm muajin e fushatës së korrjeve “zgjedhore”. Për këtë arsye dhe vetëm për këtë mbeten parti të mëdha, ngaqë kanë në duart e tyre, mjetet e shtetit, favoret  dhe vendet e punës për t’i vënë në shërbim të mashtrimit të radhës…

Pra, si gjithnjë dhe këto zgjedhje qesharake që po vijnë, as më shumë e as më pak tregojnë mungesën e një pluralizmi real, mungesën e një starti të vërtetë të konkurimit të alternativave politike dhe zëvendësimin e dhimbshëm të këtij pluralizmi me bipartitizmin, i cili gjatë këtyre dy dekadave stanjacioni e pritjeje absurde të shumicës së shqiptarëve, ka montuar një shtet të ideologjizmit nepotik, për të sendërtuar pushtetin absolut të një për qind të popullsisë mbi nëntëdhjetë e nëntë për qind të saj.

Për kushtet që ofron ky vend i një mijë e një mrekullive demokratikase (“dhuratë” e PD e PS-LSI), popullit shqiptar nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të bëjë rezistencë e të kundërshtojë haptazi këto kandidatura të pushtetit, që realisht janë në shërbim të një pakice që është bërë miliardere e sunduese politikisht dhe shtetërisht.

Pra, në kushtet kur PSPDLSI kërkojnë e gjejnë të fortët e fushatës, ata që kanë paratë me thasë dhe muskuj e damar krimineli, ajo çka i mbetet në dorë popullit është vetëm refuzimi, si hapi i parë i rezistencës popullore. Këtë shumë shqiptarë prej vitesh me radhë e kanë bërë, por tashmë ka ardhur koha të veprohet me bindje dhe të organizuar politikisht, ashtu siç popujt veprojnë kudo në botën demokratike dhe, ia kanë dalë duke bërë hapa përpara.                                                                                                                                                                                                                                                                       Era e lëvizjeve të mëdha popullore përreth nesh, që njëherazi po fryn edhe në Europë, nuk ka si të mos lëkund e shkund edhe politikën shqiptare, pavarësisht se shkuljen e saj e bën vetëm faktori i brendshëm. Kjo klimë e re dhe kjo erë lirie për popujt, nxit emancipimin e shoqërisë shqiptare, që pavarësisht se synon Europën si koncept integrimi, nuk duhet të kënaqet vetëm me taktikat e qeverive të saj, por si gjthë popujt që tregohen vigjëlentë, reagues e kundërshtues ndaj politikave servile të qeverive të tyre.

Në këto rrethana të rënduara dhe vetëpaditëse të kësaj lloj politike, natyrshëm, të lindin shumë mendime e pyetje: A mund t’i përgjigjet kjo farë politike kërkesave të zhvillimit dhe progresit kombëtar, në kushtet e integrimeve globale? Përgjigjja kërkon një analizë të gjerë dhe komplekse, por që në krye të herës, mund të themi se jo!                                                                                                                                                                                                                                                           Debatet pa bukë dhe inproduktive, që mbajnë peng palët në një betejë fantazmagorike, sigurisht që e kanë një bazë dhe vetëm një: konfuzionin politik, karakterin subjektiv të ambicieve politike.

Fakti që ende diskutohet si gjithnjë në këto vite “demokracie”, për ndarjen e pushtetit në tavolinë mes më të uriturve (të tillë janë ata që nuk ngopen kurrë) dhe asgjë për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve pa zgjidhje, tregon se mekanizmi i zgjedhjeve të lira nuk ekziston, se gjithçka vërtitet në një marrëveshje kafenesh, ku ndahen e programohen të fituarit dhe të humburit e radhës. Dhe kështu, gjatë fushatave elektorale, por dhe më pas kur ndahen thelat e pushtetit, fryt i kalkulimeve matematikore të klaneve e sekteve politike, kur duket sikur njerëzit ndahen në rryma antagoniste “o me ne, o kundër nesh”, bie këmbana e alarmit për zhdukjen dhe sikterosjen e kundërshtarëve të supozuar, sidomos të atyre që nuk bëjnë pjesë as në Oborrin Blu as në Oborrin Rozë, duke u trajtuar si “dele të zeza” .

Pra, del në evidencë konflikti real, që nuk është dhe as nuk mbetet të jetë ky që duket në sherre e ndërakuza, por ai mes popullit të zhgënjyer dhe politikës mashtruese, që mendon vetëm për atë pakicë fare të vogël, që sundon e grabit vendin.

Ky teatër qesharak do të vazhdojë, siç ka ndodhur në gjithë këto vite të mbas ’90-s, deri në ditët e fundit kur vjen data e zgjedhjeve, kur “fap” sa hap e mbyll sytë, njoftojnë “mrekullinë” e kompromisit dhe të konsensusit të këtyre sekteve politiko-pushtetare, që në fakt është atentati i radhës duke vrarë me gjakftohtësi pluralizmin.

Në çdo vend që del nga një regjim autoritar krijohen natyrshëm parti dhe grupime të reja politike dhe ky është një verdikt i sistemit demokratik, aq më tepër në vende si ky i yni, ku politika dypartiake ka uzurpuar shanset e zhvillimit kombëtar, promovimi i lëvizjeve të reja politike është një domosdoshmëri.

Më specifikisht, sistemi zgjedhor gjithnjë është negociuar dhe miratuar në heshtje e fshehtësi nga klasa e Politikës bipartiake, vetëm ditët e fundit, kur të tjerët kanë kohë të  bëjnë vetëm “asgjë”-në, pasi “të mëdhenjtë” i kanë ndarë sinoret dhe janë në dijeni për çfarë  kanë llumbosur. Ato që mbeten të diskriminuar dhe të tallur, pa kurrëfarë mundësie për t’u konsiliduar, janë grupimet dhe lëvizjet e reja, të cilave u duhet mbështetja popullore për t’u derdhur rrugëve e shesheve të Shqipërisë, për të ndalur demagogjinë dhe lojërat e  dala boje!…

Shoqëria shqiptare ka nevojë për një frymë dhe mendësi të re politike, për platforma, ide, derivate dhe lëvizje politike, që të kenë në themel një moral të ri shoqëror, që të bëhen interprete të nevojave të shoqërisë dhe jo gllabëruese të pasurive publike të shqiptarëve, siç ka ndodhur në mënyrë konstante gjatë këtij tranzicioni të mbyllur e dekurajues për shumicën e shqiptarëve.

Kryeneçësia e dy Oborreve të Tiranës zyrtare, etja e tyre për të ruajtur supremacinë e ngritur me kalkulime dhe mashtrime, bën të veten, pengon çdo iniciativë ligjore, etike, morale e politike që mundëson hapjen e dritës jeshile për një funksionim real të pluralizmit politik. Në këtë rreth vicioz, shqiptarët nuk mund të presin ndonjë gjë të hajrit, përveçse të njëjtat rekuizita politike që prodhojnë vjedhje votash, mashtrime të votuesve dhe krizë ekonomike e sociale, klithëse deri në dëshpërim për shumicën absolute të shqiptarëve.

Megjithë gamën e epiteteve shteruese për vlerat e demokracisë dhe të pluralizmit si atribut i saj, për mirëqenien dhe prosperitetin e shqiptarëve, të vëna në përdorim me një elokuencë për t’u admiruar nga Berisha dhe të përshtatura me një zhargon metaforash nga Rama, të ndjekur në kor nga “fansat” e tyre të paguar mirë, realiteti politik, ekonomik, social dhe moral i shoqërisë shqiptare në gjithë këto vite,  paraqitet kurbën e një krize në rritje, të shpallur dhe të konfirmuar nga vetë pozitë-opozita që na drejton.

Opozita zyrtare, ende pa mbushur dy vjet nga rënia e pushtetit të saj absolut, sot nuk bën asgjë tjetër përveçse përgatit me ngut strategjinë për demagogjinë e radhës, për t’u ricikluar edhe një herë në pushtet me marifete nga të larmishmet, të dala prej përvojës së errët të saj.

Pra, humbësi i dy viteve më parë, paradoksalisht na paraqitet fitues, përpara popullit shqiptar, i cili e tregoi mençurinë e tij më 23 qershor 2013, por që kësaj radhe duhet t’i ndëshkojë pamëshirshëm të dy rreshtimet e kampeve famëkeqe.

Nga ana tjetër, pozita hesht dhe, dashje pa dashje, mbulon mëkatet e qeverisë së mëparshme, siç heshti dhe mbylli sytë Berisha përpara videove të korrupsionit dhe të korruptuarëve nën ombrellën socialiste. Kështu, po del në pah një realitet konstant i këtij çerekshekulli në politikën bipartiake të Tiranës: dy partitë e mëdha janë bashkë në misionin e tyre për të mbajtur peng çdo alternativë tjetër jo vetëm politike por dhe më gjerë të shoqërisë shqiptare.

Pra, mbulimi i krizës së një shoqërie të braktisur nga politika në ëndrrën e saj europiane dhe të integrimit abstrakt në Europë, është një strategji e kësaj politike, për të mosndëshkuar abuzuesit e shkatërruesit e vërtetë, por popullin e pambrojtur.

Marrëveshjet e herpasherëshme pozitë-opozitë, për kalimin e një sërë ligjeve në Parlament është komentuar nga shumica e opinionistëve si një fund i luftës së nxehtë midis palëve politike, dhe është përshëndetur si një gjë me mend që po bëka kjo politikë, pas njëzetë e pesë vitesh lufte të pakuptimtë.

Në fakt, këto marrëveshje vetëm sa nxjerrin në pah rënien e fasadave dhe realitetin politik hipokrit në një shoqëri ku nuk ekziston një opozitë reale, por një forcë politike që rri në hije duke pritur e nervozuar deri sa t’i vijë radha, sipas një marrëveshje paraprake, për të ardhur në pushtet, ku po sipas marrëveshjes në fjalë, do të qëndrojë aq sa duhet, për t’ia lëshuar vendin palës tjetër.

Në thelb, kjo shoqëria jonë është peng i këtij bipartitizmi dhe pjellës së tij LSI, që vazhdojnë t’a trajtojnë këtë vend si një lopë për ta mjelë, por pa atë përkujdesjen e njohur që tregon blegtori i mirë ndaj kësaj kafshe të urtë e të dobishme.

Pra, dy grupimet kryesore politike në Shqipëri luajnë lojën e kungulleshave, zihen e ulërijnë sa për sy e faqe, ndërkohë që kujdesen me një zell për t’u admiruar, që asnjë pëllëmbë tokë të mos rrëshqasë nga kulla e ndikimit të tyre mbi këtë shoqëri të traumatizuar, asnjë forcë apo lëvizje e re politike, që nuk çon ujë në mullirin e tyre të ndenjur, të mos bëjë prokopi, të mos promovohet në këtë vend.                                                       I braktisur dhe i zhgënjyer mbetet populli, të cilin dy partitë e mëdha, edhe pse i thërrasin me një emër kuptimplotë “sovrani”, në të vërtetë e kanë katandisur si mos më keq, në një nga krizat më të thella ekonomike, sociale e morale, që ai ka përjetuar ndonjëherë gjatë këtyre njëzet viteve tranzicioni eksperimental. Gjithësesi, janë pikërisht pakënaqësia dhe zemërimi prej padrejtësisë gjithnjë në rritje, që po nxisinin kurajot dhe lëvizjet popullore.

*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

ASTRITI NE FOCUS