Editorial – U bënë disa ditë që përplasja e armatosur në Kumanovë po vazhdon dhe u bënë po kaq ditë që terri mediatik rreth kësaj përplasjeje po vazhdon. Kumanova është këtu, nuk është në ndonjë cep të harruar të botës. Të gjitha mediat, në Maqedoni dhe jashtë saj, në pasqyrimet e tyre i referohen si burim i konfirmuar vetëm Shkupit zyrtar. E vërteta asnjëherë nuk është ndriçuar në mënyrë të njëanshme dhe as kësaj here nuk mund të bëhet fjalë për këtë. Nëse mediat e tjera të Maqedonisë kanë arsyet e tyre për të mos e kryer detyrën dhe këtë qëndrim ua miraton publiku i tyre, mediat shqiptare të atjeshme nuk kanë arsye të mos e luajnë rolin dhe misionin ndaj publikut të vet. Prej tyre pritej dhe pritet që ato ta bëjnë të bëjnë të pamundurën për të sensibilizuar faktorin e pranishëm ndërkombëtar, në mënyrë që e vërteta rreth zhvillimeve në Maqedoni të shihet edhe nga një dritë tjetër e ndryshme nga ajo që e pretendon Shkupi zyrtar. Mungesa e burimeve alternative të lajmeve e bën të pamundur pasqyrimin real të asaj që po ndodh në Kumanovë, e bën të pamundur që mediat të dalin në konkluzione të drejta, e bën të pamundur që opinioni publik të ketë gjithashtu mendimin e vet sa më të afërt me realitetin. Edhe mediave shqiptare jashtë Maqedonisë, për të qenë në lartësinë e detyrës, iu takon t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e tyre pasqyruese dhe sensibilizuese në mënyrë që ta përmbushin atë mision që nuk mund ta kryejnë të vetmet mediat shqiptare në Maqedoni. Politika shqiptare në Shkup, në Tiranë e në Prishtinë, në të gjitha kanalet e saj, është e domosodshme të ngrejë problemin e territ mediatik që po i shoqëron zhvillimet në Kumanovë. Është e palejueshme që ky terr mediatik të vazhdojë më tej mu në zemër të Evropës, pikërisht në Shekullin XXI.
Voal