A JA VLEN MEDIA SOT?

Greqi Opinion

Nga AGIM BASHA

Shpesh herë e kam pyetur veten:- Këtu në shtetin Grek ku jetojmë prej më tepër se tri dekada, a na duhet një gazetë, një radio, një Televizion, në qindra dhe mijra shqiptarëve emigrantë?!

Përgjigjet mund të jenë nga më të ndryshmet, gjithfarë lloj që vërtiten midis pohimit dhe mohimit. E them që në fillim se unë jam pro një ose disa mediave vizive ose grafike.

Një gazetë, një radjo, një Televizion, ose që të jem më i qartë, Ne na duhet një media konkurruese në tregun mediatik.

Ndokush mund të thotë se sot ka shumë dritare informacioni , për shkak të teknologjisë, e cila duhet thënë se e ka rritur vërtet shkallën dhe gamën e informimit të shoqërisë.

Po,është e vërtetë kjo, mirëpo nuk është e mjaftueshme. Gjithashtu duhet thënë se ky zhvillim teknologjik, ka bërë edhe një dëm të math, duke e izoluar dhe rritur indiferencën e njeriut. Fenomen mbarë global.

Por, media duhet, sepse mediat e specializuara dinë të çojnë informacionin tek publiku. Prononcimi dhe qëndrimi i caktuar në lidhje me probleme të caktuara që kanë impakt mbi komunitetin, është një e drejtë legjitime e cilitdo qytetar.

Nga njeriu më i thjeshtë (i thjeshtë nënkuptoj pa funksione të caktuara publike) e deri tek figurat më të larta të shtetit. Ne të gjithë e dimë se, vendim marrja është një çështje që u takon të gjithëve, kërkon gjith përfshirje.

Kjo gjithpërfshirje, mund të manifestohet me forma të ndryshme të prononcimit apo deklarimit publik. Nuk është dhe,ska përse të jetë më i privilegjuar presidenti, kryeministri, ministri, apo figura të tjera të institucioneve publike, të dëgjohet ai dhe jo, edhe qytetarët. Por kjo ka të bëjë me ndjeshmërinë publike.

Ndjeshmëria publike përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën e tij. Pikërisht për këtë, Ne themi se duhet që të jemi pjesëmarrës. Një Medie siç e kemi menduar ne, i jep akses çdo qytetari të shprehet. Ky është civilizim dhe përparim shoqëror. Kjo e bën edhe më transparente veprimtarinë, raportet dhe marrdhënjet e institucioneve të shtetit me zgjidhjet e caktuara të jetës sociale në një vend demokratik, por edhe marrdhënje të tjera brenda një shoqërie të tillë.

Pikërisht, pjesëmarrja dhe mbështetja e qytetarëve e bën një Medie të caktuar që të jetë zëri i vërtetë i qytetarit.

Media “FJALA JONË” është një site (sajt) që nuk ka heshtur, edhe kur ka qenë e rrezikuar, e kërcënuar apo në forma të ndryshme e izoluar nga aksesi publik..!

Ne, një staf thjesht gazetarësh nuk planifikojmë që të bëjmë mrekullinë, por as indiferentin dhe as të anashkalojmë zërin qytetar emigrant. I cili është një forcë që konsiderohet (nëse ndodh) vetëm me fushata dhe jo normalisht.

Pikërisht, normaliteti dhe zgjidhjet e mira vijnë edhe nga një media e mirë, e kualifikuar,dhe që i njeh mirë standardet shoqërore dhe ligjore.