Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi të hënën se pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare do të ketë një program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë një takimi me gazetarët, Ahmetaj informoi se aktualisht kemi një instrument të përbashkët që do të vijojë të funksionojë, i aprovuar nga Bordi, instrument që monitoron qeverinë për të gjitha ato angazhime që ka ndërmarrë qeveria përgjatë vitit 2017.
“Ne kalojmë në një marrëdhënie të re me FMN-në që është monitorimi pas marrëveshje që do të thotë se do të vijojmë të punojmë shumë ngushtë me FMN, ndërsa pas zgjedhjeve, është tagri i qeverisë së re për të marrë një vendim të ri për të pasur një program të ri”, deklaroi ministri.
Sipas ministrit, Bordi i Fondit ka aprovuar mbylljen me sukses të programit 3 vjeçar me Shqipërinë si dhe është thekuar edhe angazhimi serioz i autoritete për plotësimin e të gjitha reformave të cilat u konsideruan brenda marrëveshjes me FMN.
“Sot kemi një rritje ekonomike të konfirmuar me 3.4 % të PBB dhe një platformë ekonomike të konsoliduar për një rritje të konsiderueshme gati 3.7 % gjatë vitit 2017. Kemi arritje rekorde në aspektin makrofiskal, duke filluar që nga defiçiti buxhetor, në nivelin më të ulët rekord të 25 viteve -2 % dhe balancën primare me një sufiçit 0.7 %”, renditi ministri.
Të gjitha këto, tha ministri Ahmetaj, janë rezultate të reformave që kemi ndërmarrë në aspektin makroekonomik e fiskal. Por, vijoi ai, këto janë të lidhura ngushtë me të gjitha reformat që ka bërë qeveria në tre vitet e fundit duke nisur nga ajo e pensioneve, energjisë, menaxhimin e financave publike, reformimin e administratës tatimore, reformën territoriale.
Ahmetaj veçoi reformën në drejtësi, duke vënë theksin fillimit të saj me “Vetingun”. “Me reformën në drejtësi janë të lidhura të gjitha reformat e tjera dhe fillimi i “Vetingut” është një sinjal shumë i rëndësishëm për sipërmarrjen vendase, qytetarët dhe investitorët e huaj”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Po ashtu, kreu i financave publike komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në vend që lidhen me protestën e opozitës, duke e quajtur tension politik artificial që dëmton ekonominë, imazhin e reformat e vendit.
“Besoj se çdo qytetar ka të drejtën e vet të protestojë, por në rastin konkret po tentojnë të përdorin qytetarët për motive të tyre, pastërtisht politike . Çdo lloj tensioni politik është në dëm të imazhit e ekonomisë së vendit”, shtoi Ahmetaj.
Në fund të javës që lamë pas, Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbyllur edhe rishikimin përfundimtar të programit me Shqipërinë, çka përkthehet në disbursimin e 73.2 milionë eurove nga qeveria shqiptare, duke e çuar huanë me institucionin në 377.3 milionë euro. Marrëveshja tre vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar merr kështu fund zyrtarisht. /a.gjonaj/