Azem PARLLAKU / Pamjet tronditëse që po vijnë nga Alepo qyteti i dytë më i madh i Sirisë, janë tmerrësisht prekëse, kur të gjithë i kanë sytë nga marrëveshja e cila mendohet se do t’i japë fund më shumë se katër vjet luftimesh të ashpra në qytetin sirian.
Edhe pse autobusët kanë mbërritur në zonën e gjunjëzuar nga lufta, koha se kur dhe rruga e tërheqjes rebele mbeten ende pista të paqarta. Ditën e martë, Rusia, një aleat kyç i presidentit sirian Bashar al-Asad, njoftoi se ndërhyrja ushtarake kishte përfunduar. Moska shtoi se trupat qeveritare kanë rivendosur kontrollin në zonat e fundit të mbajtura nga rebelët.
Rebelët morën goditjet finale dy javët e fundit, pas një ofensive të madhe të forcave qeveritare të mbështetura nga fuqia ajrore ruse. Duket se Asadi po e fiton Alepon, duke vrarë edhe fëmijë, por i mbetet punë e madhe për të marrë në duar gjithë Sirinë, ç’ka nënkupton se, Siria do të shndërrohet në një varrezë masive e përmasave të mëdha.
Zona të mëdha të vendit mbeten në duart e grupeve të armatosura, duke përfshirë Shtetin Islamik, i cili këtë javë arriti të rimarrë sërish qytetin antik të Palmirës nga duart e ushtrisë siriane.
Një luftë kjo, që lindi pas të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, e cila rezultoi si një dështim, pasi shoqëritë aty nuk ishin të gatshme për ndryshim, teksa arsyeja tjetër është se forca më gjithëpërfshirëse e rajonit është Islami, e rrjedha e ngjarjeve e ka rritur “besimin” se Islami nuk është në gjendje të bashkëjetojë me demokracinë.
Praktikisht asnjë vend i këtij rajoni, ende nuk është në rrugën e qartë për t’u bërë një demokraci e qëndrueshme dhe paqësore.
Historia na dëshmon se, rruga drejt demokracisë është shpesh e dhunshme dhe e gjatë. Pasojat më të këqija të “Pranverës Arabe”, në Libi fillimisht dhe tashmë në Siri, janë të dhimbshme deri në ekstrem.
Siria u bë teatër i luftës së përgjakshme midis sekteve të besimit islam, e u zhyt në një luftë civile tmerrësisht të egër.
Në Siri dy sektet e besimit islam, njëri i quajtur Suni me rreth 70% të popullësisë, ndërsa tjetri i quajtur Shiat me 30% të popullësisë, u vendosën përballë me pretendimin se; Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad, i përket dhe favorizon sektin e pakicës Shiat, e persekuton sektin tjetër të besimit. Një përballje kjo që, çoi në luftë të përgjakshme, e më vonë lindjen e ISIS, i cili i përket sektit të shumicës Suni, kishte si qëllim luftën pa kompromis kundër sektit tjetër islam të besimit në Siri.
ISIS, ndryshe Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut, që nga viti 2013 konsiderohet si armiku i përcaktuar i Botës së pas Luftës së Ftohtë. I shtrirë në një hapsirë me më shumë se 60.000 km2, ku mendohet se jeton një popullësi të paktën 8 milion banorë, e më tepër i lindur në një rajon si teatër i luftrave të këtij shekulli, ISIS është shndërruar në një kërcënim potencial në shkallë globale.
Militantët e shtetit islamik, momentalisht konsiderohen si një organizatë kriminale e strukturuar, e financuar, e pajisur ushtarakisht dhe e motivuar për të goditur në mënyrë të koordinuar dhe të befasishme. Struktura militare e ISIS me më shumë se 35 mijë militantë, menaxhon një sasi të madhe të rezervave të naftës në Irak dhe Siri, një burim i fuqishëm të ardhurash ky, pa llogaritur mbështetjen financiare që, mendohet se i bëjnë sheikë të pasur nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Kuvajti etj. Ndërkohë përpos blerjes së armëve në rrugë të paligjshme, struktura militare, ka rrëmbyer nga garnizonet ushtarake të Irakut teknikë dhe armatime të prodhimit amerikan.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vunë në krye të koalicionit në luftën ndaj ekstremistëve të shtetit islamik. Presidenti amerikan Barack Obama, ka thënë se qëllimi i sulmeve ajrore kundër ISIS në Siri dhe Irak, është shkatërrimi plotësisht i tij. Kjo fushatë gjithësesi duhej ndërmarrë, mbasi që nga fillimi i konfliktit të brendshëm në Siri, janë vrarë më shumë se 300 mijë njerëz, më shumë se 1 milion të tjerë janë plagosur, ndërkohë që 4 milion të tjerë janë larguar jashtë shtetit, e 11 milion banorë kanë lënë shtëpitë. Ndonëse të ikurit nga lufta vërshuan drejt Europës, ISIS zgjedh të godasë nëpërmjet mënyrës së tij, aty në zemrën e kontinentit, që po përkujdeset për refugjatët të cilët po i ikin terrorit të luftës.Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca intensifikoi goditjet ushtarake ajrore në Siri, e propozoi në OKB një rezolutë për të luftuar pamshirshëm ISIS. “Sulmet në Paris mund të ndryshojnë politikën ndërkombëtare dhe Perëndimi e Rusia mund të bashkojnë forcat kundër terrorit të ISIS-it”, kështu u shpreh atëherë Presidenti i francës Hollande.
Por, ku qëndron dallimi midis Rusisë dhe Perëndimit në lidhje me këtë luftë?
Rusia, sigurisht ka kohë që, është kthyer në ritmin e saj historik dhe rivendosjes së perandorisë së humbur. Rusia gjithmonë do të jetë shumë e rëndësishme dhe një “kërcënim” për rendin e ri botëror, ndaj dhe u tregua e gatshme të reagojë ndaj trubullirave rreth kufijve të saj, e luftrave në Lindjen e Mesme. Presidenti rus Putin, krahas “goditjeve” nga ajri të pozicioneve të militantëve të ISIS, duket se ka patur në kokë një plan rus për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Siri.
Në takimin e G20-ës në Antalia të Turqisë, Putin nuk i kurseu kritikat e tij, për disa nga vendet, apo aleatët e vendeve të zhvilluara, të cilat financojnë dhe mbështesin shtetin islamik. Deklarata e tij, pas rrëzimit të avionit luftarak në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, nga ana e forcave të mbrojtjes ajrore të Turqisë, se: “Rusia ka qenë prej kohësh e informuar për naftën, që nën kontrollin e terroristëve shkonte nga Siria në Turqi, e paratë e shitjes financonin grupet terroriste”, duhej konsideruar.
Në këtë mënyrë presidenti Putin, po thoshte që, terroristët jo vetëm financohen nga një ekonomi e zhvilluar, por dhe po mbrohen nga një ushtri anëtare e NATO-s.
Sido që të rrjedhin ngjarjet, Putin i hapi rrugë qasjes së planit te tij, i cili pakashumë është:
Propozimi që kthen paqen në Siri, duke e lënë në pushtet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Anglia, Turqia dhe aleatët e Gjirit Arab, thonë që, Assad kurrësesi nuk duhet të qëndroj në pushtet, thjeshtë mund të jetë pjesë e negociatave për vendosjen e paqes.
Uashingtoni thotë se një pjesë e madhe e sulmeve të Moskës adresohen ndaj opozitës së moderuar siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi në betejën e saj kundër presidentit Bashar al-Assad. Pjesë e bombardimeve ruse në Siri janë edhe disa fshatra të minoritetit turk në Siri, gjë që solli zemërimin e Ankarasë.
Ndërkohë që Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit, jo vetëm ISIS, dhe militantët e frontit Nusra, por dhe Ushtrinë e Lirë Siriane që mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe.
Duke goditur kundërshtarët e regjimit, goditje të cilat janë raportuar herë pas here, e që mendohet se manipulohen nga përgënjeshtrimet që publikon Moska, kjo e fundit ka inkurajuar trupat e regjimit të ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë, ç’ka e dëshmon dhe rritja e numrit të të larguarve nga qytetet Aleppo, Hama, Idlib, etj.
Qëndrimi në pushtet i Assad-it, sipas planit të Presidentit Putin, është një ogur i mirë për Rusinë, po të kihet parasysh se dhe Kancelarja Merkel, ka hedhur idenë se duhet folur me Assadin, i cili është i preferuari i Putinit.
Me justifikimin e sulmeve ushtarake nga ajri që Rusia ka ndërmarrë kundër terroristëve të ISIS, Putinit i lind e drejta t’u thotë liderëve të Europës, se është Rusia ajo, që po ndihmon jo vetëm ushtarakisht në vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, e paqja që po vendoset po e frenon në këtë mënyrë fluksin e atyre që ikin nga lufta, të cilët për Europën janë shqetësimi i ditës.
Putin e ka kuptuar më mirë nga gjithkush se Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga luftrat e Gjirit Persik, po kështu dhe Europa nga ana e saj, është shumë më pak operacionale nga c’duhet, ndaj dhe është hedhur në ofensivë për të përfituar kreditet në këtë ndeshje midis Perëndimit dhe ISIS. Me këtë rast Putin shpreson që Ukraina është një kapitull i mbyllur, e Europa në këmbim të paqes në Siri do të inkurajohet t’i hiqen sanksionet që ajo i ka vënë Rusisë, pa e harruar influencën që po vendos dhe në Mesdhe, një synim ky i kahershëm për Kremlinin.