Pak ditë më parë një drejtuesi i policisë Haki Cako deklaroi para mediave se me ligj do të ndalte emigrimin shqiptar. Konkretisht ai theksoi se: “Strukturat policore janë në gatishmëri për të mos lejuar shtetasit që kërkojnë azil në vendet e BE-së. Në pikat kufitare ka kontrolle të rrepta dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet gjermane. Të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar në vend janë të përforcuara me masa të rrepta, falë një sërë projektesh të BE-së me Policinë e Shtetit”.
Shteti bën punën e vet duke zbatuar ligjin në luftimin e emigracionit të paligjshëm ( azilit ekonomik), dhe kështu duhet. Por pyetja lind: Çfarë ka bërë shteti shqiptar në dy dekadat e fundit, për të ulur sado pak varfërinë në zonat më të varfëra të vendit, në ato zona ku emigrimi është më i madh?
Koha, barometri më i saktë, ka treguar se asnjë ligj nuk mund ta ndalë emigrantin që kërkon të lë vendin e tij për të mbijetuar, as një gardh i lartë me tela me gjëmba përgjatë kufirit, si dhe as dallgët e tmershme nuk mund ta ndalë atë. Askush nuk ikën për gallatë dhe për qejf, por ikën për të siguruar jetesën e familjes, pasi është i braktisur nga shteti i tij.
Shteti shqiptar sot po përballet me dy probleme lidhur me emigracionin. Asnjëherë nuk e pa këtë si një problem madhor kritik për vendin, duke mos zbatuar strategjin kombëtare të miratuar më 2007. Nga njera anë shteti do përballet me emigrantët që po kthehen nga Greqia dhe Italia, ndërsa nga ana tjetër një shqetësim i madh mbetet largimi i shqiptarëve në kërkim të azilit. Largimi mbi 7 mijë shqiptarëve brenda një muaji në drejtim të Gjermanisë, si dhe 4 mijë të tjerëve në drejtim të Suedisë, Norvegjisë, Irlandës dhe Anglisë, tregon se shteti është ende i papërgatitur në zgjidhjen e këtij problemi. Agjë nuk është e rastit, asgjë nuk është politike, pasi varferia e popullit nuk ka ngjyrë përveç varfërisë dhe luftës për të jetuar.
Shteti duhet të jetojë me realitetin, të bëj detyrën që ka ndaj kësaj shtresë. Të ndërtojë një politikë sociale, duke filluar nga shkurtimet e rrogave të ministrave dhe deputeteve, të shkurtojë numrin e ministrive. Pa humbur kohë duhet të vë në zbatim ndihmën ekonomike (EUROT) që ka marrë nga BE për kthimin e emigrantëve shqiptarë.
Injoranca komuniste sot nuk mund ta ndalë dot largimin e shtetasve shqiptarë, pasi këta që sot drejtojnë nuk kanë fjetur asnjëherë me barkun bosh, që fëmijët nuk shkojnë në shkollë sepse nuk kanë mundësi të vishen dhe nuk kanë libra. Këta që sot i tundin gishtin popullit se do të bëjnë shtet, asnjëherë nuk kanë ndjerë frikën e pasigurisë, pasi u rritën mes bollëkut në sajë të baballarëve të tyre të cilëve nuk u mungonte asgjë.
Emigracioni shqiptar për 25 vite radhë kontribuoi si asnjë komb tjetër në planet. Populli shqiptar zë vendin e parë në botë për nga numri i madh i emigrimit, por kjo nuk bëri të mundur të ndërgjegjësonte drejtuesit e shteti. Ishin këta emigrantë klandestinë që për 25 vite me radhë i dërgonin Shqipërisë mbi 700 milionë euro në vit, ndërsa sot kthehen në vendin e tyre në atë gjendje si më parë.
Shteti shqiptarë nëse do të luftojë largimin e shqiptarëve duhet të ndjekë një politikë të re, të fusë në programin e qeverisë problemin e emigracionit si një problem primar, pasi ky tashmë po bëhet problem mbarë botëror. Asnjë nuk nderon sot kur shikon se ne çfarë gjendje po jetojnë shqiptarët në kërkimin e azili ekonomik…