ATENTATI PËR VRASJEN E KOÇO TASIT DHE ALI KËLCYRËS NË ATHINË NË 1929

Kulture

Dr. Stavri J. DAJO /

Më 30 nëntor 1929, rreth mesnatës, dy veta, maskuar me pelerinë të zezë, shtinë katër herë me revolver kundër politikanëve shqiptarë Koço Tasi dhe Ali Këlcyra, të cilët kalonin kopshtin e Zappeios në qendër të Athinës, rrugës për në shtëpinë e Tasit, e cila ndodhej në Pangrati. Predhat plagosën lehtë vetëm Tasin në faqen e djathtë dhe në ije. Viktima u bart në spital jashtë rrezikut për jetën. Ali Këlcyra nuk u plagos. Autorët e tentativës u larguan në mes të natës pa lënë gjurmë. Në hetimet paraprake, kryer nga xhandarmëria greke dhe në procesin e rregullt hetimor, Koço Tasi deklaroi se ndodhej në Greqi si i arratisur politik qe nga viti 1924 dhe se kriminelët ishin bashkëkombës të tij –vrasës të paguar– që vepronin për motive politike. Ali Këlcyra deponoi se ambasada shqiptare në Athinë, drejtuar nga Eqrem bej Vlora (Lec Kurti kishte 15 ditë që i kishte mbaruar mandati) nuk ishte dorëjashtë në këtë krim.

Në dosjen hetimore të ngjarjes janë administruar si prova dhe të dhëna biografike të viktimave të cilat paraqesin interes. Në të thuhet se Koço Tasi (1889-1966) ishte diplomuar si doktor i shkencave juridike të Universitetit të Athinës dhe të Romës me bibliografi të pasur shkencore dhe botime të shumta në gjuhën greke dhe italiane në revista shkencore të njohura të kohës dhe autor i një fjalori shqip-greqisht, ligjvënës dhe ministër. Thuhej se ka qenë ministër në qeverinë e Pandeli Evangjelit ndërsa në qeverinë e Fan Nolit u emërua prefekt i Gjirokastrës dhe, sipas deponimeve para organit të akuzës, ai kishte mbrojtur me vendosmëri të drejtat e komunitetit ortodoks në Shqipëri, elementë e të cilit i nxiste të ushtronin të drejtat e tyre kushtetuese në rast shkeljeje të ligjit. Koço Tasi solli në dije rastin e një çështjeje rrëmbimi të një femre me origjinë ortodokse nga myslimanë, që shkaktoi reaksion të ashpër në Gjirokastër dhe përçarje në komunitetin vendës. Tasi urdhëroi arrestimin dhe dënimin e autorit. Pas kësaj, qeveria e Tiranës e liroi nga detyra. Pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, Koço Tasi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Greqi duke u vetëshpallur armik politik i presidentit Zog. Në një konferencë shtypi, dhënë pas ngjarjes, Koço Tasi shtonte se në ambasadën e sotme shqiptare të Eqrem bej Vlorës janë grumbulluar elementë të krimit ordiner. Unë e ndjeja rrezikun, ndaj kisha marrë masa mbrojtëse, theksoi. Nga veprimet e atentatorit rezulton se objektivi t i tij isha vetëm unë dhe jo shoqëruesi im.

Interesante janë dhe të dhënat e dosjes hetimore për Ali Këlcyrën (1891-1963), njeri diturak dhe me kulturë të thellë greke. Evokohej e kaluara e tij si luftëtar i pavarësisë shqiptare dhe i luftës së Vlorës të vitit 1920, por edhe si deputet me aktivitet të dendur politik. Pas rrëzimit të Nolit, Këlcyra u vendos në Vjenë, krijoi një komitet për të rrëzuar Ahmet Zogun, dhe një gazetë që kritikonte ashpër fashizmin italian –bashkëpunëtor të Zogut– si rrezik për pavarësinë e Shqipërisë. Për shkak të aktivitetit të tij politik dhe notave të ambasadës italiane ndaj qeverisë austriake, u deportua nga Vjena, u vendos përkohësisht në Bari dhe më vonë u arratis me gomone në Sarajevë ku, së toku me të arratisur të tjerë shqiptarë, luftonte për shfronësimin e Zogut.

Por, i ndjekur dhe nga serbët, u vendos në Selanik dhe pastaj në Korfuz. Në Athinë kishte vetëm pesë ditë, ardhur enkas për të bashkërenduar veprimtarinë me Koço Tasin. Ali Këlcyra deponoi se marrëveshja italo-shqiptare cenonte pavarësinë kombëtare të atdheut të tij dhe shndërronte Shqipërinë në vend vasal të Italisë fashiste. Deponoi, gjithaq, se vrasësit e paguar të Zogut eliminuan në Bari Luigj Gurakuqin, tentuan të vrasin ish-komandantin e xhandarmerisë në Brindezi etj. Në konferencën e shtypit Këlcyra tha se vrasësi i porositur vepronte për motive hakmarrjeje politike. Vrasjet me motive politike, tha, janë një dukuri e zakonshme në Shqipëri. Nuk jemi vetëm ne viktima të pushtetit politik në Shqipëri, shtoi.