Azem PARLLAKU / Një gadishull i botës mesdhetare, që shkon prej ishullit të Siteritit në jug deri në Danub dhe Savë në veri, një përzierje kulinare etnish dhe besimesh fetare, një mozaik popujsh që i janë kundërvënë njëri-tjetrit gjatë shekujve, një grup shtetesh ku ka pakica irredentiste, që u shfrytëzuan dhe u mbështetën nga Fuqitë Europiane dhe shkaktuan Luftën e Parë Botërore, për t’u ndezur më ashpër gjatë Luftës së Dytë. Më pas për gati pesëdhjetë vjet, me përjashtim të Greqisë në shtetet e tjera të gadishullit të quajtur Ballkan, u vendos rendi që vinte nga Moska. “Urë” apo “udhëkryq” midis Europës dhe Azisë, “fuçi baruti” apo “fushë dyluftimi”, të gjitha këto janë të vërteta, e nuk e shterojnë larminë e hatashme të viseve dhe të njerëzve të këtij gadishulli, ku janë përjetuar makthet e pushtimit nga pesë perandoritë: presiane, romake, bizantine, otomane, dhe ruse.
Deri në vitin 1815 harta e Ballkanit ishte ende njëngjyrëshe, njollat me ngjyra të ndryshme, që u shtrinë mbi gadishull gjatë shekullit XIX, ilustronin fitoren e nacionalizmave dhe tërheqjen e “njeriut të sëmurë të Europës”. Modeli i shteteve të reja ishte ai i kujdestarëve të tyre, koha më vonë provoi që, kopjet përfunduan në karikatura. Irredentizmat territoriale degjeneruan në konflikte me armë, ndërsa klientelizmi, korrupsioni, vrasjet politike, grushtet e shtetit, nuk mund t’i bindnin kujdestarët, ndaj Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, luajtën lojën e shahut duke lëvizur gurët e tyre që quheshin Serbi, Greqi, Bullgari, Shqipëri, etj.
Konflikti i parë botëror çoi në zhdukjen e perandorive osmane por edhe të asaj ruse, që kishin ndërhyrë shpesh në Ballkan. Ishte ora e demokracisë së Uillsonit, por shpejt ra ora e fashizmave dhe diktaturat mbretërore në Ballkan përpiqeshin herë haptas, herë tërthorazi të siguronin favoret, madje mbrojtjen ose të Duçes, ose të Fyhrerit, ndërsa vaniteti i të parit dhe oreksi i shfrenuar i të dytit e zvarritën përsëri gadishullin në katastrofën botërore, ku rekuizimet, shpërnguljet, dhe ekzekutimet në masë ishin ndodhi të zakonshme.
Popujt e shtypur të Ballkanit të inkurajuar nga anglo-saksonët dhe të stimuluar nga partitë komuniste që ishin të lidhura Moskën, organizuan lëvizjet e rezistencës. Ushtria e Kuqe mbërriti në Bukuresht, Sofje e në Beograd, ndërsa shqiptarët e çliruan vetë Tiranën, ndërkohë në Athinë zbarkuan ushtarët britanikë. Gadishulli u kthye përsëri njëngjyrësh nga pikëpamja politike, sociale dhe ideologjike, përjashtim bënte vetëm Greqia, ku u vendosën bazat ushtarake amerikane.
Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Murit të Berlinit, ngjarje të jashtëzakonshme historike, shpresëdhënëse dhe me ndikim mbarëbotëror, Ballkani ironikisht u mbërthye në spiralen e dhunës.
Europa e pasviteve të 90-ta të shekullit të kaluar, njohu një përshpejtim të integrimit të saj të brendshëm dhe të jashtëm, e sigurisht mbreslënës për ish-vendet komuniste, të cilat u bënë partnerë me Perëndimin, ku të gjitha u anëtarësuan në OSBE, depozituan kërkesa për anëtarësim në NATO dhe BE, proçes ky që ende vazhdon.
Në kundërshtim me këtë panoramë bashkëpunuese dhe integrimi, Ballkani përjetoi katër luftëra si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit, Ballkani iu paraqit Perëndimit si një sfidë e madhe strategjike, në të cilën u përfshi dhe NATO.
Për shkak të armiqësive të vjetra, mosmarrëveshjeve etnike, fetare e kulturore, mungesës së traditave demokratike brenda shteteve dhe në nivel rajonal, si dhe mungesës së traditës paqësore në bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh, në fund të shekullit të kaluar, u regjistruan me dhjetra mijëra të vrarë, u prodhuan një numër jo i vogël krizash humanitare, ndërkohë që incidentet dhe provokimet ndërmjet shteteve dhe grupeve të individëve të ndryshëm pothuaj janë të përditësuara.
Në thelb marrëveshjet e tilla si ajo e Dejtonit për Bosnjë-Hercegovinën, ajo e Ohrit për Maqedoninë, Rezoluta 1244 për Kosovën, etj, nuk janë implementuar sa e si duhet për shkaqe nga më të ndryshmet, e të ditura botërisht. Kjo klimë e mosimplementimit të marrëveshjeve të cituara, ka nxitur jo pak dialog dhe tryeza të ndërmjëtësuara, konkluzionet e të cilave i nënshtrohen ekspertizës së institucioneve ndërkombëtare, ku këto të fundit i kanë të “tepruara” qasjet burokratike, teksa duhet theksuar se ndikohen dhe nga lobe të interesave të caktuara.
Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor vuajnë mosdakortësitë brenda sistemeve të politikës dhe qeverisjes, partitë në pushtet dhe qeverisjet aatemohen si të korruptuara dhe dhe që e ushtrojnë të drejtën e pushtetit me metoda jodemokratike. Kështu për shembull:
Në Shqipëri hendeku mes palëve është i thelluar, madje dhe kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme dhe me interes publik, siç është ajo e Reformës në Drejtësi, implementimi i të cilës ka efekt të jashtëzakonshëm në lidhje me klimën e mirëbesimit të brendshëm dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në Serbi, Aleksandar Vuçiç, ish-ministër i qeverisë së Millosheviçit në 1999, gjatë luftës në Kosovë, është kryeministër që para dy vitesh dhe shanset janë të tilla, që dhe pas zgjedhjeve të këtij viti Vuçiç të drejtojë qeverinë serbe. Vuçiç përgjatë drejtimit të tij, herë duket europianist, e herë i dashuruar me Moskën. Në Serbi pothuaj i gjithë spektri politik promovon ambiciet për një dominim serb të Ballkanit, e këtë përpiqet t’a bëjë duke u afruar shumë me Rusinë, teksa përpiqet të ruajë mardhënie jo të ftohta me Brukselin.
Në Maqedoni, vitin që shkoi stabiliteti i brendshëm u trondit, duke degjeneruar në përleshje të armatosur siç ishte rasti i Kumanovës në muajin Maj. Publikimi i përgjimeve të zyrtarëve maqedonas dhe qeverisja prej oligarku e Gruevskit ka bërë që në Maqedoni të ketë një dallim esencial midis komuniteteve, ku ai i shqiptarëve edhe pse është popull shtetformues, është lënë dukshëm pas dore, më keq ende partitë-klube të shqiptarëve manipulohen lehtësisht si nga Gruevski, ashtu dhe Zajevi. Gruevski është kryeministri që frikën dhe dhunën policore e ka bërë pjesë të pandashme të ushtrimit të pushtetit, e me shumë shanse do të vijojë të sillet kështu pasi të jetë konfirmuar prej zgjedhjeve të reja që mbahen sivjet.
Në Malin e Zi, Millo Gjukanoviç është në pushtet që prej 21 vjetësh, herë kryeministër, e herë president. Partia e tij, “frikshëm” gëzon pushtet të padiskutueshëm dhe kështu pret suksesin pas zgjedhjeve në vjeshtë të 2016-ës.
Në Kosovë situata politike është trazuar dukshëm, divergjencat e opozitës me qeverinë në lidhje me marrëveshjet e kësaj të fundit me Serbinë dhe Malin e Zi, kanë bërë që në parlamentin e Kosovës të përdoret sistematikisht gazi lotsjellës, po kështu janë arrestuar dhe disa deputetë të opozitës, e janë intensifikuar protestat popullore, të cilat mund të çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme. Se çfarë mund të ndodh më tujtje pritet për t’u parë.
Dhe sikur të mosmjaftojë problematikat sa më sipër Ballkani duket se ka gjasa të shndërrohet në qendrën e konfrontimeve midis fuqive të Perëndimit dhe Lindjes. Pavarësisht konfigurimit që do të ketë ripërcaktimi i zonave gjeopolitike dhe gjeoekonomike midis deteve Adriatik, të Zi, Kaspik dhe Mesdheut Lindor, Ballkani paraqitet si një njësi e rëndësishme, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rusia kanë interesa të mëdha.Modeli i ekonomive në tranzicion, i ekspozon dukshëm shtetet e Ballkanit përkundrejt investimeve të haja. Aktualisht, Rusia është ajo, e cila pothuaj e ka joshur Serbinë nëpërmjet marrëveshjeve në këtë fushë, ndërkohë që edhe Mali i Zi nuk mbetet pas, po të kihet parasysh, që 1/3 e investimeve në këtë vend janë të investitorëve nga Rusia. Shpërbërja e ish-BRSS-së i dha mundësi krijimit të rrugëve të reja të tranzitimit të gazit nga Lindja drejt Perëndimit, dhe vende të tilla si Bullgaria, Rumania, Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria, janë pika kyçe.
Konfigurimi i ri gjeopolitik e gjeoekonomik i Ballkanit, i ardhur për shkaqe historike, politike, ekonomike e ushtarake, bëri që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë aktivisht në Ballkan, respektivisht nga koha e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe Maqedoni, çka ka bërë në realitet një Ballkan dymbëdhjetë shtetesh, nga gjashtë që kish dikur. Ky konfiguracion në vazhdimësi ka rritur rolin e mekanizmave diplomatike, Rusia në veçanti është më e interesuara sot për sot në lidhje me Ballkanin.
Sanksionet e ndërkombëtarëve, rënia e çmimeve të naftës dhe rritja e nevojave për shpenzime ushtarake, me siguri do t’a ekspozojnë Rusinë përballë krizës. Mbasi ka fuqizuar dhe modernizuar Forcat e Armatosura, Rusia do të kërkojë të vë në provë aftësitë ushtarake si shtet. Një gjë të tillë po e demonstron në luftën kundër Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut. Mbi këtë frymë Rusia e ka joshur Serbinë për të ngritur në zemër të Ballkanit, aty në Luginën e Preshevës një grup bazash ushtarake, ku kanë filluar të instalohen raketat e blera në Rusi pas vizitës së kryeministrit serb Vuçiç në Moskë. Sipas vendimit, në marsin e vtit 2016 duhet të miratohet plani ushtarak i funksionimit të bazave dhe nisja e punës. Bëhet fjalë për një bazë ushtarake shumë afër asaj amerikane të Bonstill-it në Ferizaj. Shumë analistë e kanë cilësuar dhe Bonstill-in rus. Pra, që do të thotë se do t`i bëjë karshillëk atij amerikan pak kilometra larg.
Ndonëse duket e pamundur, por gjithësesi nuk duhet nënvlerësuar kërcënimi që mund t’i vijë Kosovës nga një prezencë e tillë ushtarake në kufijtë e saj. Po të kihen parasysh platformat politike të shtetit serb dhe interesesat hemogjioniste në Ballkan, nuk është çudi që të frymëzuar nga Rusia, serbët mund të provokojnë një luftë të armatosur, efektet e të cilës do të shtriheshin dhe në shtetet tjera si Maqedonia, pse jo dhe Shqipëria dhe Mali i Zi, ky i fundit vendi i 29-të në NATO.
Infrastruktura e armëve ruse në Ballkan, por edhe në rajone të tjera është e rrezikshme, aq më tepër ajo bëhet nëse Rusia provon krizën e brendshme, çfarë do të thotë se këto instalime ushtarake do të mbeten të ekspozuara dhe të pakomanduara siç duhet. Nëse ky skenar do të ndodhë atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten i vetmi garant, por fatkeqësisht të lodhura nga luftrat do t’a kenë të vështirë për të garantuar se asjë nga raketat do të lëshohet.
Rusia, kjo fuqi ushtarake në rritje ka zgjuar interesat e saj, duke u deklaruar hapur në mbështetje të shteteve si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duke mos qenë si “modeli i shtetit” për t’u konsideruar roli i Rusisë në rajon shihet me shumë rezerva, si nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe nga vendet e Bashkimit Europian.
Bashkimi Europian e ka shprehur ambicien për të marrë nën sqetull rajonin, siç është cituar më lart nëpërmjet mekanizmave të tij Unioni këshillon dhe monitoron qeveritë ballkanike, ndërsa kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë, topi lihet në fushën e amerikanëve dhe rolit të NATO-s.
E shkuara e largët, ajo e afërt, atmosfera sot dhe shanset e të nesërmes, dëshmojnë që maskat e paqes në Ballkan bien shumë lehtë, ndaj elitat politike e intelektuale në rajon, duhet të rrijnë zgjuar.