Nga Kolec P. Traboini /
Për shumëçka vjen koha,
koha që ne deshëm ta ndalnim
ashtu si retë kemi dëshirë t’i zmbrapsim,
por nuk shpëtojmë dot
pa u lagur
kur oqeanet rrëkajën prej qiejve
e ne mbetëm si ca zogj dimri
kuturisur si mardhacakë
prej ngricës, nëpër degë.
U deshëm aq shumë sa
perënditë, rikrijuan prej nesh
Even e Adamin,
por nuk mundëm të fshiheshim
prej gjarprit në degën e mollës,
jo se kishim gjë për të fshehur
por koha nuk na përkiste
as mua e as ty
e kështu, njerëzit na gjuanin
me gurë fjalësh.
Aq plagë shtrigash
zu trupi dhe shpirti
sa nisëm ta shohim
njëri-tjetrin me dhimbje
e pak e nga pak,
siç zbardh mëngjesi,
dolëm nga vetvetja
dhe ikëm.