DULE : KRYEPISKOVI ANASTAS, ISAPOSTULLI I KRISHTIT NË KOHËT MODERNE

Opinion

Nga VANGJEL DULE /

TIRANA- Cilësimin e Kryepiskopit Anastas “Isapostull” në titullin e këtij shkrimi, me kuptimin i barabartë me Apostujt, po e huazoj nga disa Primatë të Kishës Orthodhokse, por edhe përtej asaj, të cilët e përdorën për të shprehur vlerësimin e tyre për jetën dhe veprën e tij kur fjeti më Krishtin. Nuk mund të ketë vlerësim dhe nderim më domethënës për çdo dishepull të Krishtit. Si i tillë, Kryepiskopi Anastas gjatë gjithë jetës dhe aktivitetit të tij pimantorik nuk ishte thjesht luajal në zbatimin e mësimeve të Apostujve, por spikati për ruajtjen e frymës, veprimtarisë dhe zellit apostolik.

Më 2 gusht 1992, Mitropoliti (deri atëhere) i Andrusës Prof.Dr. Anastasi, u fronëzua  Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Një akt që rikthente në jetë formalisht Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas një periudhe 23-vjeçare inegzistence totale, por që në fakt shënonte vetëm pikënisjen e një vepre titanike dhe të paprecedentë. “Kryepiskopi Anastas, siç u shpreh Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e tij Varthollomeu,  ishte shërbëtori i mrekullisë së ngjalljes së Kishës në Shqipëri prej së vdekurish”.

Një mrekulli shumë e begatë dhe multidimensionale nga ana statistikore. Kufizohem vetëm në shumë pak fakte përfaqësuese: 158 klerikë të të gjitha gradave me arsim të lartë shërbejnë sot në të gjithë vendin. 161 kisha të reja të ngritura nga themelet. Mbi 170 të tjera të riparuara. 69 kisha dhe manastire monumente kulture të restauruara. Mbi 80 godina strehojnë kopshte, shkolla, qendra rinore, klinika shëndetësore, mensa për bashkëqytetarë në nevojë, shtëpi për të moshuar.

Qendra Mjekësore Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë ofron shërbime bashkëkohore mjekësore në 25 specialitete. Vetëm kjo qendër gjatë 25 viteve të fundit të funksionimit të saj ka pritur më shumë se 2 milionë vizita pacientësh dhe ka kryer miliona analiza. Dëshmi e cilësisë së arsimit të ofruar nga institucionet e Kishës Orthodhokse përbën fakti se Shkolla “Frymë Dashurie – Πνοή Αγάπης» në Gjirokastër u shpall “eTwinning School 2024-2025”, projekt ky i Bashkimit Evropian. Zyra e Trashëgimisë Kulturore me fokus të veçantë objektet orthodhokse të kultit që janë monumente të kulturës, ka investuar deri më sot mbi 12 milionë Euro për restaurimin e tyre.

Por, pa nëvlerësuar aspak këtë vepër unikale, të gjithë sa e kanë parë nga afër dhe e kanë jetuar epokën e Kryepiskopit Anastas, nuk mund të mos bien dakort me gazetarin Andreas Lludharos që në mënyrë shumë të goditur thekson: “Njësia matëse për të vlerësuar veprën e Anastasit  është tjetër. Janë shpirtërat!” E theksonte  vazhdimisht dhe në mënyrë insistuese, Kryepiskopi Anastas, se “Kisha më e rëndësishme se ajo fizike, është Kisha e Krishtit brenda shpirtit të njeriut! Atë duhet të ngrëmë së pari!” I shërbeu këtij misioni gjatë gjithë jetës së tij me aktivitetin hierapostolik, me librat (24) dhe studimet (200) të përkthyera në 17 gjuhë, me kërkimet akademike shkencore për të cilat u nderua si pak sojesh nga 14 Universitete me emër në botë me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Me këtë përparësi nisi prania e Kryepiskopit Anastas edhe në Shqipëri. Vendi sapo kishte dalë nga sistemi totalitar komunist dhe obskurantizmi ateist kushtetues. Për dekada flitej për liri, barazi, dinjitet, njeriun e ri  dhe vlerat e tij, ndërkohë që mbizotëronte dhuna, nëpërkëmbja, poshtërimi  zbrazëtia shpirtërore individuale dhe shoqërore. Formimi i veçantë dhe përvoja e gjatë i dhanë mundësinë të vepronte si i përgatitur prej kohësh për një situatë të tillë. Ajo çka konstatoi që në momentin e parë se mungonte ishte sistemi i vlerave. Ndaj nuk hezitoi. Të gjithë misionin e ndërtoi rreth boshtit “Erdhi ora e Zotit! Zoti është me ne! Edhe ne me Zotin”! Nuk rreshti kurrë së kërkuari që kjo të përsëritet sërish dhe sërish në çdo Kishë dhe çdo shërbesë. Ky ishte themeli i gjithë veprimtarisë së tij kishëtare, humanitare,sociale, arsimore dhe  shkencore. Ky ishte mesazhi me të cilin iu drejtua të gjithëve pa dallim.

Po sjell për lexuesit e këtij shkrimi një ndodhi të vitit 1992 që e dëshmon këtë më së miri: Me iniciativën e Profesorëve të nderuar  të kardiologjisë Ylli Popa (1930-2017) dhe Spiro Qirko u organizua një cikël ligjeratash të Kryepiskopit Anastas me intelektualët orthodhoksë. Në leksionin e parë me temë “Bashkegzistenca paqësore e  komuniteteve fetare” mbajtur në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses pjesërisht të restauruar në Tiranë, të mbushur përplot, në prezantimet e fillimit, një pjesëmarrës, profesor universitar, pas emrit dhe fushës së specializimit theksoi  me një ndrojtje të dukshme edhe faktin se ishte ateist. E drejtëpërdrejtë ishte përgjigja e Kryepiskopit Anastas: Po edhe unë jam Kryepiskop i Orthodhoksëve dhe i gjithë ateistëve! Kaq mjaftoi për të krijuar një klimë si prej të njohurish prej vitesh gjatë vazhdimit të ligjeratës të parë dhe të tjerave që pasuan me një pjesëmarrje mbresëlënëse për kohën dhe situatat.

Kjo ishte fryma me të cilin iu drejtua Kryepiskopi Anastas çdo njeriu, pavarësisht nëse ishte apo nuk ishte besimtar, ishte pjesëtar i komunitetit orthodhoks apo i komuniteteve të tjera. Tek secili shikonte shembëlltyrën e Perëndisë. Kjo ishte edhe arsyeja e pjesëmarrjes surprizuese në homazhet e mbajtura me fjetjen e tij më Krishtin. Qytetarë të ndryshëm, individualisht apo në grupe, përtej pjesëtarëve të grigjës orthodhokse u bashkuan për ti dhënë lamtumirën e fundit. Gjithësecili kishte një arsye, një motiv të vetin. Kishte njohur Anastasin e vet. Kishte ndjerë vëmendjen e tij. I kishte zgjatur dorën dhe ai i ishte bërë krahë. Ishte njeriu i orës së ardhur tashmë të Zotit!

Nuk do të mund të mbyllja këte shkrim homazh për Kryepiskopin Anastas, në pervjetorin e 33-të të fronëzimit, pa vënë në dukje një element të veçantë tejet simbolik në vendin e tij të prehjes. Në kryptin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, mbi mermerin e bardhë të varrit modest qëndron një kryq i drunjtë, i veçantë, me motive kristiane të Afrikës. Për 10 vjet (1991-1990) Kryepiskopi Anastas shërbeu si Mbikëqyrës i Mitropolisë së Irinupolit (Kenia, Tanzania, Uganda). Kur u thirr për misionin e rradhës, atë të ringritjes së Kishës sonë të shpërbërë nga rregjimi ateist, këtë kryq ia dhanë besimtarët Afrikanë në momentet e ndarjes për ta mbajtur gjithmonë me vete si mbrojtje.

Ashtu ndodhi dhe la amanet që pas vdekjes të vendosej mbi varr. Kishte lënë një pjesë te shpirtit të tij aty. Siç la edhe te ne. Edhe kudo ku shërbeu Kishën e Krishtit. Nuk mund të ndodhte ndryshe me një dishepull besnik të Zotit, porosinë e fundit të të Cilit: “M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhé. Shkoni dhe mësoni gjithë kombet…”(Mt.28:19-20) e shndërroi në mision të jetës së tij.

Burimi : DOSJA/AL