Kultura politike dhe civilizimi qytetar

Kryesore Opinion

fane-portretDoc. Fane Stefan TARIFA  –  Të merresh me politike do të thotë të zotërosh artin e drejtimit të shtetit. Njeriu nuk lind politikan, por bëhet si i tillë.  Edukimi politik bëhet jo thjesht në shkolla të specializuara ,ku jepen embroinet kulturore të politikës, por ai kristalizohet nëpërmjet veprimtarisë praktike.
Aktualisht, në situatat e trazuara, kur boshllëku i krijuar nga e kaluara kërkon të mbushet dhe shpesh elemente rastësore, si pjellë e domosdoshmerisë dalin në pah dhe evidentohen. Dalin në krye elemente arriviste, anarkiste , imponohen njerëz të shitur dhe agjentë të shërbimeve inteligjente, por edhe njerëz me horizont të cekët politik e kulturor.
Tek ne vërehet se politikanë po bëhen edhe ata që nuk e dine se çfarë është politika, por që dinë në mënyrë pragmatiste të përfitojnë shumë prej saj.
Fjalori dhe gjuha politike shpreh edhe nivelin e formëzimit politik të individëve, bën dallueshmërinë midis tyre.  Gjuha dhe fjalori i përdorur nga politikanët tanë shpreh shkallën e formimit të tyre kulturor, prandaj të mos habitemi kur dëgjojmë prej tyre ato shprehje që mbase edhe një njeri i rëndomtë nuk do t’i përdorte.
edukata-1Unë do të desha të theksoj një element kundërshtues që është ai midis gjuhës, apo fjalorit politik dhe gjuhes apo fjalorit civil qytetar.
Nje nga përpunuesit e filozofisë gjermane pat shkruar se: “Unë kam shumë kundërshtarë politikë dhe ideore, por asnjë armik personal”
Po të arrijnë politikanët tanë t’a aplikojnë këtë mendim në veprimtarinë e tyre atëherë gjuha e tyre politike do ishte më e moderuar, më e pranushme dhe më e civilizuar. Fatkeqësisht në të gjitha krahët e politikës sonë vren një gjuhë të tensionuar, shpesh bajate, thumbuese apo edhe therëse, ndonjëherë edhe banale, acaruese deri në kufij e padurimit.  Kjo rrjedh se ka një mospërputhje dhe mungese niveli si në kulturën politike ashtu edhe në atë civilo – qytetare.
Le të shpresojmë që brezi i ri që po atashohet hap pas hapi në fushën e politikës të jetë më i moderuar dhe më i mirëformuar jo thjesht në kulturën politike, por në radhë të parë në kulturën qytetare.
Politikani në radhë të parë duhet të jetë njeri me një kulturë të caktuar qytetare, me një civilizim të pranueshem, dhe pastaj të jetë një politikan dinjitoz.