Nga Neritan Gjergo /
Qeveria shqiptare i ka mëshuar këtë vit punësimit, si një faktor për rritjen ekonomike, por edhe cilësisë së jetës. Me deklarata euforike, si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj kanë glorifikuar modelin ekonomik që kanë ngritur, duke publikuar edhe shifra rekord për punësimet. Por, sa të vërteta janë këto deklarata, të cilat janë arkivuar me shifra tashmë edhe në Institutin e Statistikave?
Eurobarometri, matësi i Bashkimit Europian për ecurinë e vendeve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor po shpalos një ecuri krejt të kundërt, nga ajo që përcjell qeveria.
Në sondazhin e fundit, të publikuar vetëm pak ditë më parë, vihet ré se papunësia mbetet shqetësimi kryesor i shqiptarëve. Ajo jo vetëm renditet si problemi i dytë, por konsiderohet si shqetësimi kryesor për më shumë se 1/3 e banorëve të vendit.
Të anketuarit janë pyetur se cilat janë shqetësimet kryesore me të cilat përballet vendi dhe një pyetje e veçantë se cilat janë problemet me të cilat ata përballen personalisht. Lidhur me shqetësimet, me të cilat përballet vendi, 36 për qind e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se çështja kryesore është situata ekonomike, përkundrejt 15 për qind që është përgjigja për të njëjtën pyetje për mesataren e Bashkimit Europian.
Papunësia është shqetësimi i dytë, që është cilësuar i tillë nga 34 për qind të të anketuarve. Për Bashkimin Europian papunësia përbën problem për 25 për qind të të anketuarve. Shqetësimi i tretë shëndeti dhe siguria sociale me 22 për qind të të anketuarve (23 për qind mesatarja e BE). Inflacioni (rritja e çmimeve) është cilësuar si faktor nga 20 për qind e të anketuarve shqiptarë.
Në pyetjet që lidhet direkt me çështjet kryesore me të cilat ata përballen për momentin, 40 për qind janë përgjigjur që shqetësimi më i madh i tyre është rritja e çmimeve/inflacioni dhe kosto e jetës. Edhe kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 29 për qind. dyta është shëndeti dhe siguria sociale (21 për qind, kundrejt 18 për qind të BE) dhe e treta situata financiare e familjarëve tuaj, (20 për qind, kundrejt 14 për qind të BE).
Situata në përkeqësim
Në Eurobarometrin e këtij viti është rritur përqindja e atyre që mendojnë se situata ekonomike është keq dhe është ulur pesha e atyre që mendojnë se është mirë. 49 për qind e të anketuarve shqiptarë në Eurobarometrin e pranverës 2018 mendonin se situata ekonomike është e mirë, 5 pikë përqindje më pak se në vjeshtë 2017.
Në të kundërt, përqindja e atyre që mendojnë se situata është keq është rritur me 5 pikë përqindje në 51 për qind. Për situatën personale, 57 për qind kanë deklaruar që është e mirë dhe 39 për qind që është keq. Interesante është që kur pyeten për besimin te institucionet, shqiptarët kanë më shumë besim te Bashkimi Europian (69 për qind), sesa tek qeveria vendase (47 për qind) dhe Parlamenti vendas (54 për qind).
Shqiptarët perceptojnë se Bashkimi Europian për ta do të sjellë prosperitet ekonomik (58 për qind), liri për të udhëtuar dhe punuar kudo në BE dhe mbrojtje sociale (49 për qind). BE, shpresa për shqiptarët Një pyetje e ngurtë e sondazhit të Eurobarometrit është, që shtrohet për të gjitha vendet ku ai realizohet është formulimi: “Çfarë përfaqëson për ju Unioni Europian”? Të anketuarit duhet të përzgjedhin mes 14 alternativave. Por, interesant mbetet në krahasim, perceptimi që kanë shqiptarët dhe qytetarët e BE-së për këtë union.
Në të gjitha përgjigjet, vihet re se për Shqipërinë, BE është zgjidhje dhe shpresë, ndërsa e kundërta ndodh me qytetarët që jetojnë me rregullat dhe diktatin e ligjeve të BE-së. Për këto të fundit ka një perceptim unison në lidhje me lirinë për të udhëtuar, studiuar dhe punuar, pikë të cilën e aprovojnë 56 për qind e shqiptarëve dhe 52 për qind e qytetarëve të Unionit.