FMN: Keni ende shumë për të bërë, kujdes me euron!

Ekonomi Kryesore

Intervistë me Shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, znj. Anita Tuladhar

Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë rritjen e saj dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë, për të cilat është i nevojshëm angazhim i fortë për reformat. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të ulur nevojat e borxhit dhe të huamarrjes, për të forcuar menaxhimin e financave publike, për të zgjidhur borxhin e lartë bankar dhe për të ecur përpara me reformat gjyqësore të ndërmarra kohët e fundit

 

Ndonëse e pranon se pritshmëritë për rritjen ekonomike, reduktimin e borxhit dhe konsolidimin fiskal ishin më të larta tre vjet më parë, kur FMN miratoi një hua 36-mujore si pjesë e mekanizimit të zgjeruar të mbështetjes për Shqipërinë, sërish znj. Anita Tuladhar, shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, është optimiste për atë që është arritur. Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, znj. Tuladhar thotë se vendi ka arritur me sukses një rimëkëmbje ekonomike, ka përmirësuar financat publike dhe ka reduktuar brishtësitë ekonomike, si dhe janë zbatuar reforma të rëndësishme strukturore.
Por, ajo shton se sfida të rëndësishme mbeten dhe ka ende shumë për të bërë, ku ndër më të rëndësishmet janë angazhimi i fortë për reformat, vijimi i konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik, transparenca dhe eficenca me projektet e Partneritetit Publik Privat, de-euroizimi, zgjidhja e kredive me probleme, moskrijimi i detyrimeve të reja të prapambetura etj.
Edhe pse marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF), që i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë euro, përfundoi në shkurt, znj. Tuladhar thotë se FMN do të hyjë në një fazë post-monitorimi të programit, ku do të qëndrojë e përfshirë ngushtësisht në monitorimin e zhvillimeve ekonomike.

Si do ta vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në tre vitet që Shqipëria ka pasur marrëveshje me FMN? Cilat janë pikat ku ka ecur sipas parashikimeve dhe ato ku ka mbetur prapa?

Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka arritur me sukses një rimëkëmbje ekonomike, ka përmirësuar financat e saj publike dhe ka reduktuar brishtësitë ekonomike. Janë zbatuar reforma të rëndësishme strukturore, që janë thelbësore për rritjen. E gjithë kjo u arrit pavarësisht kushteve të jashtme, që ishin të vështira. Në mënyrë më specifike ne shikojmë që:
(i) Pasi është ngadalësuar në nivelet më të ulëta në 2011-‘13, rritja ekonomike është rimëkëmbur gjatë tre viteve të fundit, megjithëse më pak sesa ajo që shpresuam në fillim. Janë hapur vende të reja pune dhe norma e papunësisë ka rënë që nga 2014-a. Inflacioni ka qenë i ulët, kryesisht për shkak të çmimeve të ulëta të produkteve në tregjet globale dhe inflacionin e ulët të partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë.
(ii) Qeveria shqiptare ia ka dalë të reduktojë deficitin buxhetor total me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) midis 2013 dhe 2016, në linjë me objektivat e saj fillestare. Pjesa më e madhe e përmirësimit ka ardhur nga të ardhurat më të larta fiskale, ashtu siç synohej. U paguan shuma të mëdha të detyrimeve të prapambetura përpara afatit. Borxhi publik ra nga kulmi prej 74% e PBB-së në vitin 2015 në 72% në 2016.
(iii) Së fundmi, në sektorin financiar, kredia nga bankat e nivelit të dytë në sektorin privat po rimëkëmbet, por ritmet kanë qenë zhgënjyese, veçanërisht për huatë ndaj korporatave. Kjo reflekton problemet e vazhdueshme me stokun e lartë, ndonëse në ulje, të kredive të pakthyera në afat në bilancet e bankave.

Ju sapo keni miratuar rishikimet e fundit (të nëntë dhe të dhjetë) të programit ekonomik të Shqipërisë, sipas marrëveshjes EFF. Si pritet që të vazhdojë tani marrëdhënia mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së?

Ne vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të fortë me autoritetet shqiptare, bazuar në politikat e rregullta të dialogut dhe asistencën teknike. Formalisht, ne do të hymë në një fazë post-monitorimi të programit, ku do të qëndrojmë të përfshirë ngushtësisht në monitorimin e zhvillimeve ekonomike. Në fakt, ne kemi rënë dakord për një grup objektivash tremujorë me autoritetet për monitorimet fiskale. Shqipëria ka gjithashtu një program shumë aktiv të asistencës teknike, që është shumë i fokusuar në administrimin e taksave, menaxhimin e financave publike dhe politikën monetare. Pa dyshim, që zyra jonë në Tiranë do të vazhdojë të japë mbështetje, si më parë.

Si do të vijojë marrëdhënia me FMN

Ne vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të fortë me autoritetet shqiptare, bazuar në politikat e rregullta të dialogut dhe asistencën teknike. Formalisht, ne do të hyjmë në një fazë post-monitorimi të programit, ku do të qëndrojmë të përfshirë ngushtësisht në monitorimin e zhvillimeve ekonomike. Në fakt, ne kemi rënë dakord për një grup objektivash tremujorë me autoritetet për monitorimet fiskale

 

Sipas deklaratës suaj të fundit, Shqipëria pritet që të ulë borxhin publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të vitit 2019. Duke pasur parasysh që borxhi në fund të 2016-s është ende në nivelin e 70% të PBB-së, sa e gjykoni të mundur që ai të reduktohet me 10 pikë përqindje vetëm në tre vjet?

Në fakt, niveli i borxhit publik mbetet i lartë dhe nuk ka rënë aq shpejt sa pritej në fillim, për shkak të një sërë faktorësh. Për shembull, rritja ekonomike ka vuajtur nga kërkesa e dobët e partnerëve tregtarë të Shqipërisë. Për më tepër, inflacioni i ulët i importuar dhe çmimet e naftës kanë ndikuar në të ardhura më të ulëta fiskale. Këta faktorë kanë ndikuar negativisht në nivelin e borxhit edhe pse niveli i borxhit në lekë ka rënë sipas pritshmërive. Pagimi i detyrimeve të prapambetura dhe stabilizimi i sektorit të energjisë gjithashtu kanë ushtruar presion mbi stokun e borxhit publik. Megjithatë, për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria arriti një balancë primare pozitive (balanca fiskale, duke përjashtuar pagesat e interesave) dhe gjithashtu reduktoi borxhin publik në raport me PBB-në për vitin 2016.
Duke parë përpara, deri në vitin 2019, një kombinim i konsolidimit fiskal, së bashku me rimëkëmbjen e inflacionit dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike mund të reduktojë borxhin publik në rreth 60% të PBB-së deri në vitin 2019. Pa dyshim, kjo do të kërkojë angazhim të fortë dhe shumë punë nga qeveria e ardhshme.

Shqipëria ka arritur konsolidim fiskal vitet e fundit, por ai ka ardhur më shumë nga frenimi i shpenzimeve dhe jo rritja e të ardhurave. Si e vlerësoni efektin e këtij konsolidimi në ekonomi?

Ne e pranojmë që rritja e të ardhurave fiskale ka rolin kyç në plotësimin e nevojave të Shqipërisë për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë.
Është e rëndësishme të theksohet se konsolidimi fiskal gjatë tre viteve të fundit është i lidhur gjerësisht me masat në kahun e të ardhurave. Të ardhurat fiskale janë rritur me rreth 2.7% të PBB-së midis 2013-s dhe 2016-s, ndërsa shpenzimet kanë rënë në mënyrë të moderuar me 0.3% të PBB-së gjatë kësaj periudhe. Dhe ndërsa në fillim, fokusi ishte në rritjen e taksave, gjatë viteve të fundit, autoritetet kanë pasur si prioritet zgjerimin e bazës së taksapaguesve. Përvojat e vendeve të tjera sugjerojnë se masat si p.sh., dhënia fund e përjashtimeve, me të cilat shpesh abuzohet, thjeshtimi i normave të taksave dhe limitimi i shmangies së taksave kanë pasur një efekt të lehtë në rritje.
Qeveria ka gjithashtu një histori të shpenzimeve më të ulëta në buxhet, veçanërisht për investimet publike. Kjo reflekton kryesisht kapacitetet e kufizuara në menaxhimin e projekteve të investimeve publike. Përgjithësisht, FMN mbron idenë e shkurtimeve që përmirësojnë eficencën e shpenzimeve publike, për shkak se reduktime të tilla kanë një ndikim më të vogël në rritje, ndërsa mbajnë nivele të përshtatshme të pagesave sociale, në mënyrë që të mbrohen më të varfrit.

Përvoja ka treguar se qeveritë, në momentin që shkëputen nga marrëveshjet detyruese me FMN-në priren të mos ndjekin një politikë të rreptë të konsolidimit buxhetor (kujtojmë këtu vitet 2012-2013). Sa detyruese mund të ishte një marrëveshje e re dhe sa të përgjegjshme e vlerësoni sjelljen e qeverisë, pa një mbikëqyrje të fortë si ajo e FMN-së?

Shqipëria ka një kuadër më të rreptë të menaxhimit fiskal aktualisht në krahasim me periudhat e mëparshme. Ligji i ri organik i buxhetit, po ashtu dhe buxheti i vitit 2017, vendosin kufizime në shpenzime, borxhin dhe akumulimin e detyrimeve të tjera afatgjata. Qeveria është e angazhuar të respektojë këto limite. Ndaj, edhe pse programi ka përfunduar, qeveria do të jetë e detyruar që të ndjekë këtë angazhim më shumë sesa qeveritë e mëparshme. Pa dyshim, FMN do të vazhdojë të monitorojë ngushtësisht zhvillimet makroekonomike dhe specifikisht politikat monetare dhe fiskale, gjatë kësaj periudhe.

Si e shpjegoni që, pavarësisht rritjes së taksave në 2014-2015 dhe aksionit të fortë antiinformalitet, të ardhurat në 2015 ranë në raport me GDP, ndërsa në vitin 2016, rritja ishte minimale, rreth 7% (me një inflacion mesatar 2% dhe rritje prej 3.3%)?

Rënia e të ardhurave në vitin 2015 reflektoi disa faktorë: Së pari, kishte disa surpriza në zhvillimet makroekonomike. Rritja ekonomike, normat e interesit dhe çmimet e naftës ishin të gjitha më të ulëta sesa parashikoheshin. Së dyti, duke u paraprirë normave më të larta të taksave, që hynë në fuqi në janar 2015, taksapaguesit gjithashtu e përqendruan aktivitetin e tyre në fund të vitit 2014, duke reduktuar të ardhurat. Së fundmi, kontribuuan dhe problemet në administrimin e të ardhurave dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse.
Në vitin 2016, nga ana tjetër, rritja e të ardhurave fiskale ka qenë e konsiderueshme, ndonëse edhe ato ishin gjithashtu pak nën parashikimet. Të ardhurat kanë vijuar të ndikohen negativisht nga goditjet makroekonomike të tilla si rënia e çmimeve të mallrave dhe të inflacionit të ulët. Megjithatë, të ardhurat janë rritur me më shumë se 7%, e cila është mbi rritjen nominale të PBB nominale (pak nën 5%). Kjo erdhi për shkak se mbledhja e të ardhurave ka përfituar nga reformat në administratën tatimore dhe doganore. Në veçanti, fushata e informalitetit e qeverisë, e cila filloi në gjysmën e dytë të vitit 2015, ka kontribuar për të sjellë një numër të konsiderueshëm të agjentëve ekonomikë në sektorin formal, ose në kalimin e tyre në një kategori më të lartë klasifikimi.

Ju keni rekomanduar futjen e një sistemi të taksimit të pasurisë sipas vlerës. A mund të shpjegoni më konkretisht dhe si ka qenë reagimi i qeverisë shqiptare?

Shqipëria mbetet prapa shumë vendeve të tjera në mbledhjen e tatimit të pronës. Kjo pjesërisht reflekton mungesën e një kadastre të duhur të pronave, e cila ka bërë të vështirë zbatimin e plotë edhe të ligjit ekzistues të tatimit të pronës. Pra, qeveria shqiptare është e fokusuar së pari në krijimin e një kadastre fiskale, përmirësimin e mbulimit të pronave dhe zbatimin e mbledhjes së tatimit mbi pronën, në bazë të legjislacionit aktual. Pas kësaj, procesi i prezantimit të tatimit mbi pronat, të bazuar në vlerë, do të duhet të vijojë me hartimin e kuadrit ligjor, të ketë konsensus të brendshëm politik në këtë hartim, të mobilizojë mbështetje nga donatorët dhe vendet fqinje për ndihmë teknike dhe të realizojë çështjet teknike dhe ligjore të lidhura me të.

Keni rekomanduar një de-euroizim gradual, për të shmangur rreziqet. Si mund të kryhet ai dhe cilat janë rreziqet?

De-euroizimi u referohet përpjekjeve të politikave për të rritur përdorimin vullnetar të lekut shqiptar, sesa të euros, për kryerjen e pagesave, kursimin dhe huamarrjen. Ne kemi rekomanduar një strategji graduale të de-euroizimit për disa arsye: Ai do të mundësojë një politikë monetare më efektive. Me fjalë të tjera, normat e interesit të ofruara nga bankat e nivelit të dytë për depozituesit dhe huamarrësit do të jenë më ngushtësisht të lidhura me normën bazë të Bankës së Shqipërisë dhe gjendjen e ekonomisë shqiptare. Reduktimi i euroizimit do të kontribuojë gjithashtu në një sistem financiar më të qëndrueshëm, pasi do të forcojë aftësinë e bankës qendrore që të veprojë si huadhënës i mundësisë së fundit në rast të një krize. Për më tepër, do të dekurajojë gjithashtu huatë në euro që nuk janë të mbrojtura, ku ka veçanërisht një rrezik të lartë mospagimi në rast të zhvlerësimit të kursit të këmbimit.
Ne e shikojmë de-euroizimin si një proces gradual, afatmesëm. Kjo mund të ndodhë vetëm në kuadrin e politikave të shëndosha makroekonomike, që mundësojnë një inflacion të ulët dhe financa publike të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, autoritetet mund të nxisin përdorimin e lekut, duke rritur ndërgjegjësimin publik të lidhur me huamarrjen në monedhë të huaj. Për shembull, huamarrësit duhet të ndërgjegjësohen se ndërsa një hua në një monedhë të huaj mund të ketë norma më të ulëta interesi, pagesat mujore mund të bëhen shpejt të papërballueshme në rast se leku do të zhvlerësohet papritmas. Në mënyrë të ngjashme, është e rëndësishme që të sigurohemi që normat e interesit të depozitave dhe huave në monedhë të huaj të reflektojnë rreziqet dhe kostot e lidhura me të. Përvoja e kaluar nga vendet e tjera të botës ka treguar se një de-euroizim i suksesshëm është një proces vullnetar dhe i orientuar nga tregu.

Sipas rekomandimit tuaj, cilat do të ishin reformat e mëtejshme në administrimin e taksave dhe menaxhimin publik financiar?

Qeveria ka ecur mjaft në këto dy fusha gjatë katër viteve të fundit. Por ka ende shumë punë për të bërë. Në fushën e administrimit të taksave, Drejtoria e Tatimeve po zbaton një strategji ambicioze dhe domethënëse reformash, me ndihmën e ekspertëve tanë. Aktualisht përpjekjet janë përqendruar në modernizimin e mënyrës se si Drejtoria e Tatimeve menaxhon ankesat, rimbursimin e TVSH-së dhe mbledhjen e borxhit tatimor. Një prioritet urgjent për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është përditësimi i sistemit të të dhënave të taksapaguesve në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve dhe INSTAT.
Në fushën e menaxhimit publik financiar, prioritet është përmirësimi i koordinimit mes organizmave të ndryshme qeveritare që kanë përgjegjësi për menaxhimin e investimeve publike. Qeveria ka nevojë të integrojë më mirë Partneritetet Publike Private, ndërmarrjet shtetërore dhe projektet kapitale lokale në planifikimin buxhetor dhe kuadrin e monitorimit. Së fundmi, autoritetet shqiptare duhet të merren me stokun e ulët, por që po grumbullohet, të detyrimeve të prapambetura qendrore, për shembull, duke vendosur një njësi të auditimit të brendshëm në Autoritetin Shqiptar të Rrugëve.

 Cili është vlerësimi juaj për projektin e fundit të qeverisë “1 miliard euro” në tre vitet në vijim për projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP)? Si do t’i ndikojë ai treguesit e borxhit dhe procesin e konsolidimit fiskal?

PPP-të janë një mjet përmes të cilit qeveria mund të delegojë kryerjen e shërbimeve publike te sektori privat. Avantazhi i tyre kryesor është se ato mund të përmirësojnë eficencën ose shfrytëzojnë ekspertizën, që është kaq shumë e nevojshme. Nga ana tjetër, qeveria gjithashtu merr përsipër rreziqe dhe ndonjëherë PPP-të mund të përfundojnë që të kushtojnë më shumë sesa prokurimet tradicionale. Këto kosto ndonjëherë janë të fshehura për shkak se mund të lindin pas shumë vitesh. Si rrjedhojë, është kritike që qeveria të skanojë ngushtësisht propozimet e PPP-ve, veçanërisht ato të pakërkuara, dhe kur të miratohen ato të regjistrohen me transparencë në llogaritë fiskale.
Qeveria na ka dhënë garanci se të gjitha propozimet për PPP-të do të analizohen, përzgjidhen dhe financohen, në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret e zbatueshme, përfshirë ligjin e prokurimeve, ligjin organik të buxhetit dhe kuadrin buxhetor afatmesëm. Ky proces do të jepte, për shembull, një vlerësim të saktë të investimit dhe një analizë të vlerës së parasë, që do të mundësonte vlerësimin e mënyrës më eficente për sa u përket kostove për zbatimin e projekteve.
Departamenti që është krijuar së fundmi në Ministrinë e Financave duhet të vlerësojë këto propozime. Parlamenti gjithashtu miraton, në ligjin e buxhetit vjetor, shumën totale të kontratave PPP si përqindje e PBB-së dhe garancitë do të duhet që të jenë brenda tavaneve të aprovuara buxhetore.

Cilat do të ishin mesazhet tuaja të fundit për qeverinë shqiptare?

Gjatë tre viteve të fundit, në sajë të angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne arritëm të mbështesim reforma që janë kritike për rritjen. Por ky ishte vetëm një fillim dhe ka ende shumë për të bërë.
Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë rritjen e saj dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë së saj, për të cilat është i nevojshëm angazhim i fortë për reformat. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të ulur nevojat e borxhit dhe të huamarrjes, forcimin e menaxhimit të financave publike, për të zgjidhur borxhin e lartë bankar dhe për të ecur përpara me reformat gjyqësore të ndërmarra kohët e fundit. Kjo është thelbësore për të rritur besimin, do të nxiste investimet dhe do të mundësonte rritje më të lartë. /Ornela Liperi/