Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Rama vuri theksin te plotësimi i kushteve të duhura për pjesën më delikate të shoqërisë. Tha se ata janë prioritet për Bashkimin Evropian, i cili përmes programeve e financimeve synon garantimin e të gjitha shërbimeve në jetën e përditshme.
“Përmes garancisë europiane për fëmijët, BE synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe t’i vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme, dhe nga ana tjetër përmes këtij programi të shumëfishojë të gjitha rrugët dhe të gjitha mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans. Nëse i referohemi shifrave është realisht një pasqyrë tejet kuptimplotë për domosdoshmërinë e thellimit të politikbërjes në funksion të fëmijëve dhe rritjen e ndërveprimit mes gjithë aktorëve shoqërore e institucionalë për akses të barabratë në arsim cilësor, për ofrim të shërbimit shëndetësor, kushte të përshtatshme strehimi, zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dedikuar.