MARRËVESHJA ME ITALINË PËR EMIGRANTËT, GJYKATA KUSHTETUESE BËN PUBLIK VENDIMIN

Politika

Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin e saj të arsyetuar lidhur me marrëveshjen për emigrantët midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Në këtë vendim vërehet se edhe pse kampet do të ndërtohen në territorin shqiptar, Shqipëria do të mbajë juridiksionin territorial mbi to.

Vendimi i GjK:

  1. Në përmbledhje të argumenteve të mësipërme, Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis migrantëve. Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës. Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor. Nga ana tjetër, për sa u përket kërkesave për azil, në aspektin e detyrimeve ndërkombëtare, për shtetin shqiptar nuk ka lindur ndonjë detyrim i tillë për sa kohë ky juridiksion ushtrohet mbi personat nga shteti italian, si shteti ku mbërrijnë migrantët e paligjshëm. Detyra për shqyrtimin e kërkesave për azil të migrantëve që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Italisë u përket autoriteteve të atij shteti, që do të thotë se kur ai zgjedh të procedojë jashtë territorit të tij, detyrimisht duhet të ushtrojë juridiksion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, juridiksioni i shtetit italian është i lidhur dhe vjen për shkak të zbatimit të konventave ndërkombëtare dhe përmbushjes së detyrimeve të shteteve anëtare në drejtim të çështjeve të azilit. Në këtë aspekt, për shkak të veçantisë së migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, juridiksionet e dy vendeve palë të tij janë plotësuese të njëra-tjetrës, në shërbim të të drejtave themelore të migrantëve. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: një grup prej 30 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Faqe 23 të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve ka qenë i nevojshëm.
  2. Në përfundim, Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë veçantinë e përmbajtjes së Protokollit për Migracionin, që lejon që në një pjesë të territorit shqiptar, krahas juridiksionit shqiptar, të ushtrohet edhe juridiksioni i autoriteteve italiane ekskluzivisht për çështjet e azilit, Gjykata vlerëson se është e nevojshme të analizohet më poshtë edhe vlefshmëria e plotfuqive për lidhjen e tij.