Meta: Asnjëherë nuk është vonë për zgjidhje të përgjegjshme që i shërben stabilitetit

Politika

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Vincenzo Amendola, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

 

Nën-Sekretari i Shtetit z. Amendola e uroi z. Meta në emër të qeverisë italiane për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës duke nënvizuar se “Italia është shumë e lumtur me zgjedhjen tuaj në krye të shtetit”. Në këtë kuadër, z. Amendola theksoi se Shqipëria mund të mbështetet gjithnjë tek përkrahja e Italisë, si një partner tradicional i qëndrueshëm.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë dhe vuri në dukje se një Itali e fortë i shërben edhe zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.

Gjithashtu, Meta theksoi se zhvillimi demokratik, ekonomik e social i Shqipërisë nuk duhet të cenohet prej mungesës së dialogut dhe përgjegjshmërisë politike, ndaj nevojitet një qasje më evropiane për daljen nga ngërçi aktual politik.

Në përfundim, Meta shtoi se asnjëherë nuk është vonë për zgjidhje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse që i shërben stabilitetit të vendit dhe hapjes sa më shpejt të negociatave me Bashkimin Evropian.