Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi këtë të enjte Komandën e Forcës Ajrore, e cila ndodhet pak metra larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Prej mbrëmjes së të mërkurës, efektivë të Policisë Ushtarake bëjnë patrullimin e perimetrit të sigurisë së aeroportit, në territorin e të cilit ndodhet edhe pista që përdoret për fluturime ushtarake nga Forcat e Armatosura dhe vendet anëtare të NATO. Ndërsa, efektivë të Batalionit të Forcave Speciale qëndrojnë në gatishmëri brenda Komandës së Forcës Ajrore.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, pas takimit me drejtues të Forcës Ajrore, të Policisë Ushtarake dhe Forcave Speciale, ministrja e Mbrojtjes tha se, ligji nr. 8543, datë 4.11.1999 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin e NATO-s dhe personelit te saj”, detyron vendin tonë, që të garantojë në çdo moment përdorimin e aeroporteve, rrugëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme për Aleancën e NATO.
“Deri në rivendosjen e masave të sigurisë dhe moscënimit të aeroportit, ne do të jemi këtu, sepse kemi një detyrim ligjor, ligji i vitit 1999 me ratifikimin e statusit të NATO edhe të personaliteteve të saj. Pika 11 e këtij ligji, na detyron të garantojmë infrastrukturën kritike dhe objektet e rëndësisë së veçantë, në këtë rast, komanda e Forcës Ajrore dhe aeroporti, të cilat janë në funksion të NATO, misionit të saj, lëvizjeve të saj, pra në funksion të Aleancës. Dhe ne jemi të detyruar të jemi këtu”, – tha ministrja e Mbrojtjes.
Sipas saj, nuk ka dislokim, por ka vetëm siguri të shtuar për perimetrin e aeroportit dhe Komandës së Forcës Ajrore, siguri të cilën Policia Ushtarake e ka në misionin e saj.
“Nuk kemi luftë, nuk kemi situatë të cënimit të sigurisë kombëtare, ku do të duhet të kishim marrë një miratim të Parlamentit dhe jo të presidentit. Pothuajse gjysma e pistës është infrastrukturë ushtarake, pra i takon Komandës së Forcës Ajrore dhe gjysma tjetër është për përdorim civil. Aeroporti “Nënë Tereza” është infrastrukturë kritike edhe e NATO-s po ashtu, sepse këtu ulen edhe avionë ushtarakë. Njëkohësisht kemi prezencë ushtarake edhe në Autoritetin e Aviacionit Civil, kemi edhe një njësi “Host-nation support” që është një njësi që lehtëson të gjithë lëvizjet e cargo-ve ushtarake apo avionëve ushtarakë apo personaliteteve të NATO, të cilët për arsye të ndryshme vizitojnë dhe vijnë në vendin tonë. Kështu që kjo është një infrastrukturë ushtarake pjesërisht dhe cënimi i të gjithës patjetër na cënon edhe ne”, – argumentoi më tej ministrja Xhaçka.