Mbi absurdin e një “plani sekret” dhe momentet politike.
Doc. Sulejman ABAZI / Sot po dalin shumë njerëz që shkruajnë për të kaluarën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke e sjellë situatën në analizë me mendësitë e sotme, pa kurfarë përgjegjësia, dhe duke harruar se këtu flasim për një kohë tjetër, me kushte e situate të tjera dhe mbi të gjitha, për historinë e vendit tonë, dhe ky është vendi ynë, të cilin edhe pse me halle shumë, në do ta duam tërë jetën.
Një ish pedagog bën analizën e viteve 1981, kur nuk ka qenë i përfshirë në instancat e larta të ushtrisë dhe tenton të analizojë deklarimet e kufizuara që kanë bërë disa kuadro të lartë të asaj kohë, nën përgjegjësinë e tyre. Përballemi me një analizë gjysmake, që është shumë larg të vërtetës, dhe mbi të gjitha, injoron shumë përfundimë të analizës politiko ushtarake të kohës, në zhvillime të mundëshme të një përplasje brenda ballkanike. Përfundimet e pedagogut mendoj se janë shumë të gabuara.
Sot jemi në vitin 2017, plotë 36 vjet pas atyre ngjarjeve, që lidhen edhe me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Çudi me autorin që, ka pritur plot mbi 9 vjet (pas deklarimeve mediatike të gjeneralëve shqiptarë, për herë të parë) që të na thotë këto gjëra në një gazetë serioze të shtypit të përditëshëm në Tiranë.
Një pedagog di sa një pedagog, por nuk mund të dinte më shumë se sa një drejtues ushtrie dhe shteti në rangun e gjeneralëve, të kryeministrit dhe të E. Hoxhës në atë kohë. Çfarë kishte parasysh ky i fundit kur urdhëroi që plani të ruhej në kasafortë si një “plan mësimor”, pasi mbi atë dosje kishin punuar mbi 5 vetë, pa llogaritur këtu të ndjerin Veli Llakaj dhe ndonjë ushtarak tjetër madhor?
Një pyetje të thjeshtë për autorin: Çfarë dinte ai për rezervat që dispononte shteti shqiptar në zërat kryesor operativ dhe mbështetës të një lufte të mundëshme ballkanike dhe cili do të ishte roli i shtetit shqiptar në këtë konflikt, brenda hapësirës së një ekuilibri shumë të brishtë të “luftës së ftohtë” Lindje – Perëndim?
Sot pas mbi 36 vitesh njerëzit mund të mendojnë dhe të shkruajnë si të duan, por zhvendosja e analizës në kohë, në kundërshtim me atë çfarë impononte situata atëherë, metodologjikisht është e gabuar.
Këtë shkarje do t’ia falnim ndonjë jo ushtaraku, por nuk do ta pranonim ta bënte një pedagog ish ushtarak.
Apo dhe pedagogu u përfshi në tabiatin e sotëm e të qëllimshëm të shumë njerëzve, të cilët tentojnë të na tregojnë se janë akoma gjallë, duke gërvishur hera herës të kaluarën pasi, ……..e kisha dhe unë një fjalë për të thënë, duke shprehur merakun dhe dhimbjern që ndjejnë për shqiptarët e “Shqipërisë së Madhe” nga frika e kundërshtimit të Serbisë apo Maqedonisë!!
Po i sjell disa gjëra të thjeshta këtij pedagogu, të cilat ai nuk ka se si ti dinte atëherë, pasi në atë kohë secili bënte dhe mbante përgjegjësinë e tij për detyrën funksionale.
Në janar të vitit 1982, me një nismë të ushtarëve që liroheshin atë fundviti, për një muaj kohe të plotë, rreth 46 mijë trupa, (ushtarë të vitit të dytë, 22 vjeçar dhe shumë të përgatitur nga ana profesionale dhe një kontigjent i konsiderueshëm oficerësh), me një mbështetje logjistike të fuqishme, bënë manovrën më të madhe të kryer ndonjëherë nga ushtria shqiptare në drejtimin verilindor të Shqipërisë, në tërësinë e kufirit shtetëror me ish Jugosllavinë.
Matanë kufirit alarmi ishte akut dhe frika e kalimit të mundshëm të ushtrisë shqiptare në ndonjë mësymje drejt Kosovës Historike,u ndje menjëherë.
Të mos harrojmë, në kufirin me ish Jugosllavinë ekzistonte artileria më e fuqishme tokësore me larghedhje, tejet e fortifikuar, si një element kryesor mbështetës, pa folur këtu për kapacitetet e aviacionit gjuejtes bombardues të Forcave Ajrore Shqiptare, të cilat e kshin autonominë operative matanë Beogradit.
Gjithashtu, në Korpusin e Pukës, ekzistonte një rezervë e fuqishme luftarake për një efektiv 45 mijë trupash, e cila ishte e destinuar për armatosjen në rast konflikti të djemve dhe vajzave të Kosovës dhe viseve të tjera, të cilët do të ishin pjesë operacionale e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Kjo manovër e veçantë në karakterin e saj e arriti qëllimin e testit ndaj ish Jugosllavisë. Një nga detyrat operacionale ishte angazhimi direkt në përsosjen e fortifikimit të të gjithë vijës së kufirit me ish Jugosllavinë.
Kjo bëri që matanë kufirit, forcat jugosllave të ngrinin vishka zbulimi me oficerë dhe të hidhnin sa të mundnin në hartat e tyre elementë të këtij fortifikimi.
Kush ka mundur të studiojë hartën operativo – strategjike të Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, besoj do ta zinte me shqelma këtë lloj pedagogu që flet e shkruan berihaj, pasi në territoret shqiptare matanë kufirit, kishte një planizim konkret me elementë ekzistues aktiv dhe të “fjetur”, të cilët ishin një element i goditjes së prapavijave të ushtrisë jugosllave, e sinkronizuar kjo me depërtimin e Brigadave Sulmuese, të cilët në tërësinë e tyre ishin në nivelin e trupave të zbulimit për veprime në parapavijë, të gjithë nën moshën 35 vjeç.
Do t’i tregoja këtij pedagogut që, shteti shqiptar edhe në grykat e maleve futi dhe disllokoi tanke, pa llogaritur fuqinë e madhe goditëse dhe të manovrës së mjeteve të blinduara, ku për numrin e tyre në raport me sipërfaqen e shtetit, Shqipëria zinte vendin e parë në Europë, lindje e perëndim.
Nuk po zgjatem më shumë, pasi ka plot element politiko ushtarak në analizën e kohës për të cilen flasim, të cilët nuk kanë qenë objekt i punës së pedagogut, veç mësimdhënies së tij.
Në aspektim moral do t’i kujtoja autorit që, duke qenë pedagog mos harroni pa dashje misionin dhe detyrën që keni pasur në formimin e brezave të oficerëve. Isht ju ata që me dinjitet dhe aftësi profesionale bëtë detyrën, duke i mësuar oficerëve të rinj dhe më pas në Akademitë Ushtarake, parimet, normat, artin ushtarak, doktrinat e ushtrive të huaja dhe mbi të gjitha u formonit bindjen atyre për aftësitë dhe garancitë e mbrojtjes së vendit. Çfarë ka ndryshuar sot tek ju nga ajo kohë, kur ishit nga më të respektuarit dhe të privilegjuarit në radhërt e ushtrisë?!
Mjaftë më me broçkulla të “trimërimit” në një kohë tjetër, kur të gjithë e kemi për detyrë të mos hedhim kurrë baltë mbi historinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pasi ato kanë qenë dhe do të mebeten edhe sot garanti i sovranitetit të vendit.