Nishani: Kush mendon se tremb me burg bëhet qesharak

Politika

Ish-presidenti Bujar Nishani, e ka konsideruar zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, si aktin e fundit të shkeljes së Kushtetutës, që sipas tij u gris brutalisht në mënyrë publike.
“Por nuk ka alternativë tjetër, veçse të rivendoset. Kjo është detyrë e shumicës së shqiptarëve dhe përgjegjësi politike dhe institucionale e opozitës. Kush mendon se mund të tremb me burg përpjekjen për rivendosjen e garancive kushtetuese veç bëhet qesharak. S’ka alternativë tjetër ! Nuk ka burg që e mbyll atë”, shkruan ndër të tjera Nishani.
Postimi i plotë
Akti i fundit i dhunimit të Kushtetutës së Shqipërisë përbën aktin më të rëndë të dhunës shtetërore mbi sistemin shoqëror dhe zyrtarizimit të modelit se si forca pushtetmbajtëse shkatërroi Kodin dhe mekanizmin që garanton jetën e çdo individi si dhe dinjitetin e integritetin e një shteti. Lehtësia me të cilēn u krye ky akt të lë pa fjalë në momentin e parë, por menjëherë më pas ta ndez koshiencën humane si një zjarr. Në çdo vend, demokratik qoftë, apo diktatorial, sistemi prodhon mekanizmin rregullues dhe garantues.
Ky mekanizëm është Kushtetuta.
Natyrisht me një ndryshim thelbësor. Në diktaturë grupimi pushtetmbajtës rregullon proçedurën e dhunimit të shumicës dhe garanton fuqinë e pakicës. Ne shqiptarët, e kemi jetuar, provuar dhe dëshmuar atë model. Në demokraci, ky mekanizëm rregullon të drejtën dhe garanton lirinë e gjithësecilit nga dhuna e cilitdo. Ne tashmë e provuam se si thyhet ky mekanizëm në demokraci, duke thyer në fakt këtë të fundit vetë.
Rastet e shkeljes së Kushtetutës, “literalisht”, janë të parashikuara në fakt që mund të ndodhin në proçesin ligjvënës apo dhe atë institucional. Po ashtu dhe garancitë korrektuese por dhe masat penalizuese. Rasti i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është thjesht “një shkelje e Kushtetutës”. Jo ! Brutalisht forca e pushtetit e grisi në mënyrë publike Kushtetutën e Shqipërisë !
Ajo u gris me vullnet të plotë politik, me dhunë, me qëllim dominimin e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo është situata politike më e rëndë dhe më e trishtueshme që nga koha e diktaturës në Shqipëri. Nuk e them këtë pse u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm. Absolutisht jo !
Por sepse u jetësua modeli ; që me forcën që të jep policia, paraja dhe prona publike, urdhëri mbi mekanizmat e forcës, mund të asgjesohet kodi i vetēm i garantimit të lirisë dhe të drejtës së cilitdo. Akti i grisjes publike të Kushtetutës është një nga aktet më të rënda mbi Shtetin 105-së vjeçar Shqiptar.
Dikush mund të bëj hajgare me këtë akt. Por, ka një POR të madhe pas. Sepse pas kësaj e drejta dhe liria, që të dyja si dimensione, nuk kanë më asnjë garanci për askënd. Nuk mbeti jurist në vend pa kërkuar të ndalej ky akt.
Në vitin 1990 shqiptarët u ngritën jo kundër dhunimit të kushtetutes, por ndaj një kushtetute që ishte dizenjuar për të dhunuar. Tashmë shqiptarët duhet të mbrojnë një Kushtetutë që është dhunuar për faktin se ajo u dizenjua për t’i mbrojtur ata. Në këto dy raste, Kushtetutat janë të ndryshme por morali i të drejtës është i njëjtë. Tani kërkohet me çdo kusht rivendosja e garancive të së drejtës dhe lirive.
Rivendosja e garancisë së Kushtetutës është disa dimensionalëshe.
Ligjore, politike dhe morale.
Por nuk ka alternativë tjetër, veçse të rivendoset. Kjo është detyrë e shumicës së shqiptarëve dhe përgjegjësi politike dhe institucionale e opozitës. Kush mendon se mund të tremb me burg përpjekjen për rivendosjen e garancive kushtetuese veç bëhet qesharak. S’ka alternativë tjetër ! Nuk ka burg që e mbyll atë.