Parlamenti i popullit, “self servis” për deputetët

Opinion

Nga XHOVAN SHYTI /

Në seancën plenare të paradites së të enjtes, me shumicë të cilësuar votash në favor, pas katër orë debatesh, deputetët kthyen në ligj dy projektligje njëri prej të cilëve lidhej me rritjen e pagave të deputetëve dhe funksionarëve të lartë shtetëror.

Një temë kjo që ka provokuar debate publike e pakënaqësi masive, jo për të kundërshtuar rritjen e pagave, si koncept, por sepse shtimi i miliona lekëve të tjera mbi milionat e pagës dhe bonuseve të tjera përfituese aktuale që deputetët përfitojnë, është karshillëk ndaj pensioneve qesharake, ndihmës ekonomike, pagës minimale e mesatare, që përfitojnë pjesa dërmuese e taksapaguesve. Kontributi taksual i të cilëve shërben për pagat e deputetëve e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Nëntëdhjetë e shtatë votat e dakortësisë, – nga 100 deputetë të qenë present në seancë,- për kthimin në ligj të projektit të qeverisë së “Rilindjes” Rama, janë seria e dytë e filmit “paga të majme për vete”. Seria e parë e përdorimit të kartonit deputetar “pro” interesit vetiak u shfaq të hënën, kur, me 100% vota në favor, pa asnjë “abstenim”, pa asnjë “kundër”, deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomi-Financave i fshinë kufijtë e përfaqësimit politik për ti thenë “poooooo…”, me dy duar rritjes së pagave të vetes, asaj të Kryeministrit, të Spikeres së Parlamentit e ministrave. Duke manifestuar kështu, jo për të parën herë, kthimin e Parlamentit “të popullit” në “self servis”.

Unanimiteti gjithëpartiak i votave “pro” rritjes së pagave të deputetëve me shumicë votash gjithëpartiake vjen ndërkohën kur portofolet e taksapaguesve ka vite që vijojnë të hollohen falë politikave varfëruese të qeverisë dhe miratimit të tyre me votat e deputetëve.

Në unanimitet, pa abstenim, pa votë kundër shumica absolute e përfaqësuesve politik të mandatuar nga vota popullore për t’i shërbyer këtij të fundit, ligjëruan paraditen e të enjtes trashjen e portofolit vetiak, që, edhe pa këtë shtesë, është ku e ku larg masës së gjerë të tatimpaguesve. Me superdiferencë të shqueshme pagesash mujore ndaj pensionistëve, pensionet e të cilëve nisin nga 10 mijë deri në 35 mijë lekë. Me superdiferencë ndaj shumave mujore me të cilat trajtohen invalidët, përfituesit e ndihmës ekonomike. Me diferencë të theksuar ndaj pagave që përfitojnë zyrtarët e tjerë, jo të lartë të administratës shtetërore.

Pas ngritjes në zenit të pagës së presidentit Barjam Begaj, që deri më tash e ka pat të ardhurën mujore 257 000 lekë e në vijim do të paguhet 425 000 lekë (perveç bonuseve të tjera përfituese), përfaqësuesit e partive politike në Parlament, miratuan dhe shtimin me më shumë se dy fish të pagës së tyre, që edhe pa shtesën ka qenë e majme po të krahasohet me ato të zyrtarëve, profesorëve etj. kategorive të nomeklaturës shtetërore.

Pas firmosjes nga presidenti Begaj, ne zbatim të këtij ligji të ri të miratuar paraditen e të enjtes paga e Kryeministrit do të jetë 393 125 (pa bonuset), nga 228 730 lekë që është aktualisht. Paga e Spikeres së Kuvendit shkon në 393 125 lekë, nga 228 730 lekë që është aktualisht. Ministrave nga 174. 760 lekë që marrin aktualisht paga do ti bëhet 318 750 lekë, kurse nga 156.770 lekë që përfitojnë çdo muaj deputëve paga u bëhet 310 250 lekë. Pa llogaritur përfitimet e tjera që po i rendisim më poshtë, duke ju referuar të dhenave zyrtare të Parlamentit.

Përveç pagës së re 310 250 lekë në muaj deputetët do të vijojnë të marrin pagesë për karburantin, për shërbimin telefonik. Ata të rretheve do të vijojnë të përfitojnë, mesatarisht 80 mijë lekë në muaj dieta, ku përfshihen ditët që kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në komisionet parlamentare apo në seancë, por edhe për takimet që kanë zhvilluar me banorët e zonave të tyre. Për çdo pjesëmarrje në komisionet parlamentare deputetët shpërblehen me dy mijë lekë, por nuk mund të marrin pjesë në më shumë se 12 komisione gjatë një muaji. për ata që janë të pastrehë Buxheti i Shtetit u rimburson qiranë e shtëpisë në vlerën e 35 mijë lekë në muaj, kurse gëzojnë të drejtën të marrin deri në 5 milionë lekë kredi me interes zero për blerje shtëpie.

Nëse u duhet të udhëtojnë, jashtë apo brenda vendit për qëllime pune, deputetët përfitojnë dhe shpenzimet për hotele etj. Kështu që përveç pagës mujore, prej është 310 250 lekë neto, deputetët do të vijojnë të përfitojnë mesatarisht edhe 120 mijë lekë plus në muaj nga këto përfitime, duke i’a çuar pagën mujore në 430 250 lekë. Një pagesë kjo që referuar të dhenave të INSTAT del të jetë 10 herë më lartë, se paga mesatare bruto në vend.


CNA.al