PARLAMENTI NE DETYRË DHE AI I ZGJEDHUR MË 11 MAJ, PESË PRISHMËRITË E…

Opinion

Nga Afrim Krasniqi /

Zgjedhjet mbaruan dhe tani Kuvendi (i vjetër) kthehet në punë. Deputetët e rinj që janë zgjedhur do të duhet të presin javën e parë të shtatorit për të ushtruar edhe zyrtarisht funksionin parlamentar, pas betimit në Kuvend. Shqipëria është nga vendet e pakta që ka praktikë të tillë kushtetuese, – bën zgjedhje, zgjedh parlamentin e ri, por pas zgjedhjeve rimbledh parlamentin e vjetër për 3-4 muaj të tjerë. Gjithashtu edhe qeveria aktuale qëndron në detyrë deri javën e dytë të muajit shtator 2025, edhe sikur ajo të kishte humbur zgjedhjet.

Një paradoks kushtetues dhe politik, por për sa kohë palët kryesore politike që kanë fuqinë e ndryshimeve kushtetuese nuk e kanë shqetësim as prioritet, paradokset kthehen në normalitet. Ky është një prej rasteve.

Periudha tranzitore 3-4 mujore me dy parlamente (një në detyrë dhe një të zgjedhur) dhe me dy qeveri (një në detyrë dhe një në pritje) mund të jetë e pranueshme për demokracitë funksionale me institucione të forta dhe garantuese të normalitetit, por për vende me sistem të brishtë politik si Shqipëria, mund të sjellë pasoja negative. Le të kujtojmë një rast, gjatë tranzicionit të tillë më 2005 kryeministri në detyrë “u zhduk”, as qeveria e tij nuk kishte informacion se ku ndodhej dhe vendi ishte de facto në një krizë ekzekutive.

Më 2013 në të njëjtën praktikë qeveria në detyrë privatizoi disa prona publike, midis të cilave i dha edhe një godinë luksoze partisë së vet, si dhe krijoi një universitet të ri. Gjatë periudhës tranzitore 2021 parlamenti “i vjetër” miratoi shkarkimin e Presidentit të Republikës, një nga aktet më të rëndësishme që një parlament mund të marrë, megjithatë akti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në kushtet kur shumica e atyre që e iniciuan dhe miratuan aktin nuk ishin më deputetë.

Le të kthehemi më 2025. Parlamenti i ri, sipas nenit 65 të Kushtetutës, vijon mandatin deri “në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”. Mbledhja e parë më 2021 është bërë me 10 shtator, ndaj parlamenti i vjetër aktual mbetet në detyrë deri më 10 shtator 2025. Gjatë periudhës 60 ditore nga përfundimi i mandatit (10 korrik-10 shtator) “Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje”. Më 2021 seanca e fundit ishte më 7 korrik, këtë herë mund të vijojë deri më 9-10 korrik 2025.

Në funksion edhe të informimit publik/mediatik pesë pritshmëri me rëndësi:

 I. Gjatë periudhës maj-korrik parlamenti mund të miratojë ligje, por kryesisht do të bëjë procesin rutinor të raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend. Nuk ka reforma dhe nuk pritet të ketë. Ato ndodhin në legjislatura të reja dhe kryesisht pas rotacioneve politike. Janë rreth 24 institucione që duhet të raportojnë në komisionet parlamentare ose/edhe në seancat plenare. Volum i madh pune, procedure dhe aktesh burokratike, i cili përfundon me miratim të një rezolute për secilin institucion, kur de facto parlamenti që ikën i cakton detyra e prioritete parlamentit që vjen, pra një funksion formal dhe ndonëse procedurialisht korrekt, praktikisht jo funksional.

 II. Për deputetët e rinj,  – info me rëndësi: kur KQZ shpall vendimin për dhënien e mandateve de facto deputetët e rinj janë objekt deklarimi në ILDKPKI dhe kufizimi lidhur me papajtueshmëri mandati. Ata që kanë biznese dhe janë në konflikt interesi, do të duhet të respektojnë legjislacionin në fuqi, praktika “Kokëdhima 2013” është shembull ilustrativ sesi humbet mandati nëse edhe në periudhën kalimtare deri në betimin në parlament nuk respektohet kjo normë kushtetuese.

 III. Në dy legjislaturat e fundit, sidomos më 2021, pas zgjedhjeve deri në betimin e deputetëve të rinj kanë dhënë dorëheqje disa deputetë që ishin në prag arrestimi për korrupsion ose në listën e zezë amerikane. Me siguri do të kemi zhvillime të njëjta edhe më 2025, pasi ndër të zgjedhurit kemi emra që janë objekt hetimi nga SPAK dhe janë përfshirë gjithashtu në aktivitete informale deri edhe kriminale.

 IV. Gjatë periudhës kalimtare ndodh që deputetë të mazhorancës dhe të opozitës (të pakënaqur dhe që nuk janë zgjedhur në parlamentin e ri) ta përdorin imunitetin, fuqinë politike dhe hapësirën parlamentare në funksion të interesave specifikë personalë, – Kuvendi nuk ka një mekanizëm parandalues të konfliktit të interesit në raste të tilla dhe as norma të zbatuara të sjelljes etike, – ndërkohë që jeta politike parlamentare rikthehet në konfliktualitet me temë kryesore debatin mbi zgjedhjet, – pala fituese duke u shfaqur trimfaliste, pala humbëse duke akuzuar për abuzime e shkelje, – praktikë që pritet të ndodh edhe në dy muajt aktualë të funksionimit parlamentar.

 V. Së fundi, periudha e mbetur deri në korrik e aktivitetit parlamentare do të ketë vetëm një kuriozitet dhe rëndësi, – aktiviteti dhe vendimmarrja e Komisionit të Posaçëm (komisioni Xhafa), i krijuar nga PS vitin e kaluar dhe mandati i të cilit duhej të ishte mbyllur në prill 2025.

Në kushtet e vjetra komisioni ishte një nismë politike, me qasje të dukshme klienteliste/jo transparente dhe i (keq)përdorur si mjet presioni ndaj organeve të drejtësisë, në kushtet kur mazhoranca e re është konfirmuar me + 9 deputetë më shumë, pavarësisht se pjesa më e madhe e komisionit nuk janë rizgjedhur deputet ose disa janë nën hetime nga SPAK, Komisioni “Xhafa” pritet të jetë edhe më politik, edhe më arrogant, edhe më jo transparent, me retorikë/propozime/nisma direkte ose indirekte presioni ndaj organeve të pavarura të drejtësisë, kryesisht institucioneve (ende) jashtë kontrollit të plotë të mazhorancës aktuale të konfirmuar deri në shtator 2029.