Poezi nga ODISE PLAKU /
Kohën do ta ndalja
le të shkoja pas,
shpirti të më qeshte,
buza vënë në gaz.
Petalet mbi flokë
prapë t’i vija palë,
unë të jepja jetë,
ti më bëje djalë.
Sa shumë më mësove
në ditë dhe në muaj,
kush nuk dashuron,
botës është i huaj.
Se s’dashuron fjala,
po nuk deshi zemra,
shkruar nëpër letra
mos të mbesim emra.
Shpirti kur troket,
mos e qaj trishtimin,
edhe nëse humb
prapë jeto gëzimin.