RAMA: PARTITË E REJA PREMTOJNMË “QIQRA NË HELL”

Politika

Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se partitë e reja të sapokrijuara, të re kanë vetëm fytyrën e kryetarëve të tyre.

Gjatë një takimi në Milano, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali, Rama dekaroi ato kanë mbushur listat e mbyllura me familjarë të tyre.

Janë dhe ca të tjerë që vijnë vërdallë këtu në Itali: ne jemi forcë e re. Kanë dhe ca emra, jo bëhet, jo nuk bëhet, jo mundet jo nuk mundet, jo bashkë, jo veç. Ata nuk kanë asgjë të re. Të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarit të tyre. Ata kanë mbushur listat e mbyllura me familjarë të tyre, ndërsa deklarojnë se kjo pasi nuk kanë besim”, u shpreh Rama.

Rama tha se ata premtojnë, pasi nuk kanë asgjë në dorë.

Premtojnë “qiqra në hell” se dihet se nuk kanë gjë në dorë. Mund të të premtojë të të falë edhe gjithë Milanon. Ta çosh votën për ata është ta çosh dëm”, deklaroi Rama.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh gjithashtu se zgjedhja e 11 majit është me flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e BE-së apo me leckën e kënetës.

U bëj thirrje edhe të gjithë qytetarëve demokratë, atyre që janë qytetarë këtu si ju, shqiptarë si ju, që kanë të njëjtat probleme, të njëjtat ëndrra, të njëjtat nevoja të njëjtat shpresa, se kjo nuk është një ndeshje mes Interit dhe Milanit, kjo është një përballje finale me historinë tonë, që ta kuptojnë se këtë herë, të paktën këtë herë, duhen lënë në shtëpi fanelat, ngjyrat e fanelave. Këtu shikoni ne kemi flamurin kuqezi, kemi dhe flamurin e Evropës. Kemi flamurin më të bukur në botë, dhe flamurin e ëndrrës sonë shekullore”, tha Rama.

Skënderbeu kur bëri profecinë e vet dhe shënjoi orientimin tonë si komb qysh qindra e qindra vite më parë, nuk e bëri për të na futur në BE, se nuk kishte BE atëherë. Edhe Rilindasit kur thanë dielli i shqiptarëve lind nga perëndon, nuk e thanë se donin të shkonin në BE, se s’kishte BE atëherë. Edhe Ismail Qemali bashkë me të gjithë patriotët e tjerë kur ngritën këtë flamur dhe shpallën Pavarësinë, nuk e shpallën për të shkuar në BE, por për t’u ndarë nga lindja sepse qysh nga koha e Skënderbeut shqiptari ka parë këtej nga perëndimi”, theksoi Rama.

“Dhe në 11 maj fati e ka dashur që ta kemi ne në dorë pikërisht sepse edhe BE-ja sot do që ne të jemi pjesë e saj. Por ajo derë që është hapur nuk është hapur të rrijë aty hapur përgjithmonë sa të mbarojmë ne historitë tonë me këneta, e me bufa, e me buburreca, e me bretkosa, ajo derë është hapur duke na thënë keni 2 vjet kohë për të mbaruar të gjithë detyrat dhe hajdeni brenda”, tha Rama.

Kështu që demokratët i pyes more po çfarë do fitoni ju më shumë, për veten tuaj, për familjen tuaj për Shqipërinë sesa çfarë na jep të gjithëve si komb, jo sot, po sot e përgjithmonë hyrja në BE? Çfarë do fitoni ju duke shkuar mbas berihait të një bufi plak që do të rikthehet për të 3-tën herë. Se herën e parë e shkatërroi fare Shqipërinë. Herën e dytë e futi në një gropë borxhesh që mezi e nxorëm. Herën e tretë tani është në gropë vetë dhe thotë hajdeni me mua t’ju fus në gropën madhështore. Asgjë”.

Rama solli dhe shembullin e primareve të Partisë Demokratike.

Çfarë doni më u them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret. Primaret ku bufi i nxori të gjithë dhe u tha “vota juaj asht ligj për mue”. Dhe çfarë ndodhi? Kush doli i pari në primare përfundoi thellë në barkun e bufit. U zhduk. I kullufiti të gjithë. Asnjërin nuk la. A thua se ju tha dilni t’ju shoh njëherë se kush nga ju ka vërtetë vota që ta ha”, u shpreh Rama.

Si mund të diskutohet më se cila është zgjedhja më 11 maj. Zgjedhja e 11 majit është shumë e qartë. Zgjedhja e 11 majit është me flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e BE-së apo me leckën e kënetës. Kjo është zgjedhja”, tha Rama.

Në fund të fjalës Rama falënderoi pjesëmarrësit dhe u tha se, “më 11 maj do të kemi një festë të madhe për Shqipërinë evropiane edhe më 11 maj së bashku ne do të marrim fitoren më shembullore, jo për vete, jo për mua, jo për ju, po për mbarë popullin, kombin, vendin, shtetin tonë”.