Rusia përjashtohet nga Botërori 2022

Sporti

Përfaqësuesja e Rusisë nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2022 dhe si rrjedhojë, nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të play-off të saj në muajin mars. Ky është vendimi që është marrë nga FIFA dhe UEFA pas një mbledhje prej rreth 4 orësh të përfaqësuesve të të dy organizatave.

FIFA kishte paralajmëruar përjashtimin e mundshëm të Rusisë gjatë komunikatës së djeshme, ku kishte marrë masat e para ndaj saj. Ajo kishte kërkuar të shihte një herë reagimin ndërkombëtar, dhe pasi të gjithë iu vunë kundër për “përkëdheljen” që i bëri Rusisë duke i ndryshuar emrin dhe duke i mohuar flamurin, praktikisht u detyrua që ta përjashtonte atë.

Kështu, Rusia nuk do të zbresë në fushë përballë Polonisë në ndeshjet play-off të muajit mars, ndërsa edhe UEFA ka zyrtarizuar bashkërisht vendimin që Spartak i Moskës të përjashtohet nga ky edicion i Ligës së Europës, ku javën e ardhshme duhej të përballej me RB Lajpcig. Mbetet për t’u mësuar ende se çfarë vendimi do të merret sa i përket Ligës së Kombeve, aktivitet ku përfaqësuesja ruse do të ndeshet mes të tjerave me Shqipërinë. Qeveria shqiptare ka vendosur ndërkohë që të mos zhvillohet asnjë aktivitet sportiv ndaj federatave ruse dhe kjo përfshin edhe atë të futbollit, për sa kohë që vazhdon ndërhyrja ushtarake në Ukrainë.

PANORAMASPORT.AL