SI METEOR

Kulture

Nga ODISE PLAKU/

Humbas shpesh në botën e largët të paemër,

nuk iu trembem lartësive edhe përmbi retë kur dergjem.

Presioni i ajrit çuditërisht më ngop mushkeritë,

i pafrymë ndihem kur eci rrugës në tokën time.

 

Mezi e pres avionin të hapi barkun të më gëlltisi,

të iki nga lodhja dhe zhgënjimi i fjalës” Të dua”,

që si një parrullë e dalë boje tani më grris sytë,

ndaj tretem botës së reve si zogu i lënë vetëm.

 

Veten s’e saldoj në ndenjësen e avionit me frikë

Se një rrip jetën as ma merr e as ma jep.

Si meteor do më pëlqente ajrit të digjesha,

pa ëndërruar për duart e tua që më presin në tokë.