Stadiumi “Arena Kombëtare”, 55 % e ndërtuar

Sporti

Stadiumi që po ndërtohet në Tiranë, në ish-“Qemal Stafën”, “Arena Kombëtare”, është ndërtuar deri tani 55% e volumit të përgjithshëm. Ndërkohë, është kryer rreth 13% e investimit. Impianti është drejt fazës së fundit të mbylljes së punimeve në katin përdhes.

Tanimë pritet të nisë gjithçka për ndërtimin dhe vendosjen e shkallëve metalike në tribunat e stadiumit, në mënyrë që të bëhen gati për t’u betonuar.

Stadiumi duhet të përfundojë në fundin e vitit 2018 dhe madje Federata Shqiptare e Futbollit ka kandiduar me “Arenën Kombëtare” për të zhvilluar aty Superkupën e Europës së vitit 2019. Në këtë impiant nuk do të jetë ndriçimi që është përdorur në Elbasan apo në Shkodër, por sistemin LED. Në kosto është pak më i shtrenjtë se sistemi tradicional, por me kalimin e kohës, justifikon kostot në kursim energjie dhe në rast “blackout”-i.

Së fundmi, bëhet fjalë për një sistem që është në bazë të rekomandimeve të fundit nga UEFA e FIFA. Mjaft të kujtojmë që edhe Juventus në stadiumin e ri, e ndërtoi me sistem ndriçimi tradicional dhe më pas e zëvendësoi me LED. Kostoja paraprake e përllogaritur për impiantin e ndriçimit shkon në rreth 1 milion euro.

Stadiumi i ri do të ketë një fushë edhe më speciale sesa në Shkodër, por jo me ngrohje, pasi në Tiranë ngrin shumë rrallë, ndërsa borë nuk bie, maksimumi njëherë në 10 vjet dhe vetëm dimrit, kur nuk ka aktivitete sportive. Ndërsa do të ketë sistem me llamba ultraviolet vetëm për barin. Në dimër do të ketë një mbulesë speciale, për sa kohë stadiumi do të qëndrojë i mbyllur.

Së bashku me të gjitha depozitat e nevojshme, përafërsisht fusha (tapeti) mund të kushtojë 350 mijë euro. Gjithashtu do të përdorim edhe një metodë që ndodh thuajse në të gjitha stadiumet e mëdha jashtë vendit. Në pjesën anësore të fushës, pra jashtë vijës së lojës, të vendoset bar artificial i cilësisë më të mirë.

Në ndërtimin e stadiumit ka edhe një specifikë, të cilën do të nisim ta shohim që nga java e ardhshme. Në fillim të saj pritet që të nisë edhe prodhimi i fasadës, e cila kërkon kohën e saj. Ne nuk do ta shohim atë derisa të montohet, por fakti që prodhimi bëhet në avancë, jep kohë, pasi ajo në momentin që do të jetë gati pas rreth një viti, kërkon vetëm kohën e montimit më pas./konica.al/