Turizmi mjeran në bregdetin shqiptar

Opinion

bregdeti ne focus-1Leonard VEIZI /  As sot që flitet me të madhe, por as për shumë vite të tjera, turizmi bregdetar shqiptar nuk mund të renditet si elitar, por dhe për një turizëm të kënaqshëm do të dyshoja seriozisht. Ai ka gjasa të mbetet mjeran.

Fatin më të keq nga të gjithë e ka pjesa jugore e plazhit të Durrësit bashkë me Golemin. Sipas të dhënave operative, plazhi i Durrësit përshkohet nga një vijë bregdetare rreth 68 km, por i shfrytëzueshëm deri tani janë thuajse 33 km. Një segment i vijës bregdetare kalon nga stacioni “Teuta” në daljen jugore të Durrësit për të vazhduar me Plepat, Shkëmbin e Kavajës, Golemin, Malin e Robit, Spillenë e deri në Qerretin e Kavajës. Duke hequr dy stacionet e fundit mund të thuhet se tanimë e gjithë zona quhet e ndërtuar. Nuk ke ku të ngresh më as edhe një pallat më shumë dhe sikur ta vendosësh me dorë. Por nuk është vetëm kjo, vetë pronarët e ndërtimeve të sigurojnë se ritmi i blerjes së apartamenteve ka rënë ndjeshëm, në mos po ka ngecur fare. Pra ndërtime të reja nuk do të ketë më. Ndërkohë që dhe shumë të tjera që kanë qenë në ndërtim e sipër kanë mbetur si gërmadha. Nuk gjenerohen më para aq sa mund të përfundojnë punimet.

Në përgjithësi, e gjithë kjo vijë bredetare, por edhe më tej në Jug të vendit, Vlorë, Sarandë e Ksamil, nuk gjen resorte siç ofron një turizëm modern, i ndërtuar në Greqi, Kroaci, Turqi apo Malin e Zi. Në brendësinë e tyre, në masën më të madhe, hotelet shqiptare lënë shumë për të dëshiruar, krahasuar me ato të rajonit, qoftë nga shërbimi, por qoftë dhe nga komoditeti i brendshëm.

Por të vazhdojmë më tej.

Gati çdo vit që kam shkuar në plazhet e kësaj zone, jam përballur për së pari me ndryshimin e sistemit imunitar të fëmijëve, gjë që nuk ka ndodhur kur kam pasur mundësi që disa ditë pushimi t´i kaloj në një nga vendet e afërta kufitare. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit. Farmacisti ku kërkuam të merrnim disa doza me “permaganat kaliumi” që përdoren për t’u mbrojtur nga infeksionet, na tha se në farmacinë e tij paraqiteshin të paktën 50 raste që kërkonin diçka të përafërt për të kuruar infeksionin e marrë më së shumti nga rëra, meqenëse sipas tij, “permaganati” ishte zhdukur nga qarkullimi e nuk kishte më furnizim. Një gjë e tillë padyshim përshtatet me shprehjen popullore: “vdis pa të ngjallesh”. Pak më tutje, mjeku i një klinike private të thotë gjithashtu se për shkak të ndotjes, kanaleve me ujëra të zeza dhe insekteve, shumë fëmijë paraqiteshin me temperaturë të lartë, të vjella e diare. Nuk marr përsipër se sa farmaci e klinika ka e gjithë vija bregdetare, sepse kjo statistikë mund të vlejë vetëm për teknokratët e Ministrisë së Shëndetësisë, por jam i sigurtë se për këto qendra ambulatore ka punë më shumë se sa tek baret e restorantet.

Në hotelin ku u strehova, që ditën e parë një bujtës doli me urgjencë për të çuar fëmijën në spitalin e Kavajës sepse i duhej të bënte një serum, e meqenëse ishte prej Kosove dhe nuk e njihte rrugën, kërkoi një udhërrëfyes. Pronari urdhëroi një nga kamarierët të hipte në makinë me të.  “Ndodh shpesh”, m’u drejtua pronari, duke ngritur supet me pafajësi.

Po çfarë vazhdojmë të trashëgojmë me fanatizëm?!

Në rërën e këtyre plazheve, në atë që është publike por dhe në atë që administrohtet nga privati, që në mëngjes do të gjesh me dhjetëra bishta cigaresh. Nuk është puna se administratorët nuk ia bëjnë yzmetin. Tjetërkund çalon këtë herë. Të gjithë ata që e pijnë duhanin, bishtat i hedhin në rërë. Fqinji im me të shoqen dhe fëmijët nuk e patën problem të merrnin një qese të madhe me fara dhe pas 30 minutash përtypjeje të pafjala të linin mbi rërë një grumbull mbeturinazh të zeza. Dhe kjo ka të bëjë me edukatën qytetare. Të gjithë fëmijët që hanë patatina, ambalazhin plastik të tyre e hedhin në det dhe po kështu ndodh me lëkurat e babaneve dhe koçanët e misrave. Përveç këtyre nuk i mungonin në detaj edhe pecetat higjinike të femrave. Mu në mes të detit, pamja të linte pa fjalë. Rrjedhimisht bregu i detit është i ndotur. Nuk po llogaris këtu derdhjet e kanaleve të ujrave të zeza, se kjo temë është bërë bozë tashmë. E vetmja kohë kur mund të lahesh në një ujë të pastër është ora 06-08 e mëngjesit, pasi natën është kryer vetëpastrimi.

 

Këtu, natyrisht nuk mund t’ua hedhim fajin pronarëve, që demek kërkojnë të fitojnë pa marrë parasysh asgjë. Kjo ka të bëjë me qytetarinë e çdonjërit prej nesh, që si individ apo grup shoqëror e kemi më të thjeshtë të shajmë të tjerët nga poshtë çadrës, në vend që të ndërmarrim veprime sensibilizuese.

Çfarë më bëri tjetër përshtypje këtë vit?!

Në plazhet shqiptare u ndesha me disa italianë. E kam fjalën për italianë puro, të pangatërruar në martesa me emigrantët tanë, që nuk di se si e kishin gjetur rrugën për në Golem dhe kishin zënë një hotel me dhoma që shihnin nga deti. Nuk më gënjeu shumë mendja e të besoja te deklatarat e qeveritarëve për dyndje të turitëve të huaj në rivierën e bekuar shqiptare! U desh fare pak për të kuptuar nga sjelljet alarmante e tyre, ku në ca drejtime na e merrnin në kthesë dhe ne shqiptarëve, se ata italianë të këputur e kishin më të thjeshtë të përballonin çmimet e Shqipërisë me gjithë llumin e saj, se sa ato që u ofron një plazh popullor si ai i Riminit, pa folur për plazhet e Linjanos apo dhe më tej. Gjithsesi ajo që të ofronte bregdeti këtë herë ishte që pranë italianëve laheshin në det dhe ca gra shqiptare të veshura kokë e këmbë. Por meqenëse kjo e fundit hyn te të drejtat e njeriut nuk po e ngasim më tej.

Të vijmë në një pikë tjetër.

Meqenëse, sipas meje, pallatet me apartamente banimi, hotelet e gjithçka tjetër në të gjithë këtë zonë e kanë përfunduar misionin në shumicën e rasteve pa koncept e pa arkitekt, ajo që mbetet për t’u bërë dhe që vazhdon të jetë në dorë të shtetit, është rregullimi i infrastrukturës. Që do të thotë, rregullimi  i të gjitha akseve të brendshme të plazheve, të cilat në të të shumtën e rasteve nuk e di pse notojnë në një ujë të pisët, apo qëndrojnë të lagura edhe pse gjithçka përreth është e tharë nën diellin përvëlues.

E ç’tu them më shumë për plazhin e sivjetëm.

Asgjë s’ka ndryshuar në mentalitet, sado që rrekemi të themi se “vitin tjetër do të bëhet më mirë”. Pronarët shqiptarë, të etur, që veç hoteleve të kenë të paktën dhe nga një pistë në det, kanë ndarë territorin me gurë masivë të hedhur në thellësi. Por meqenëse nuk u kanë dalë paratë, i kanë lënë ashtu, të papërfunduara, krejt pa estetikë, që nuk vlejnë as për ata që kanë dëshirë të bëjnë fotografi vend e pa vend. Edhe në këtë sezon turistik, shëtitja e mëngjesit ku merret dhe pak jod si ilaç, shoqërohet më së shumti bashkë me tymin e mbeturinave që digjen aty për aty meqenëse siç të thonë, makina e plehrave nuk e merr mundimin të shkojë e t’i mbledhë. Dreka shtyhet disi, një herë në restorant, e një herë “bukë me vete”. Por mbrëmja për hir të së vërtetës bëhet diçka më argëtuese. Shpërthen muzika e “Dj”-ve dhe këngëtarë “live” ku herë pas here të bie rasti që në një atmosferë “relax-i” të dëgjosh dhe këngët patriotike të tipit “Xhamadani vija-vija”. Kjo e fundit nuk është se ka vlerën për të treguar vllazërimin mes shqiptarëve, por se orkestrat e kapin rëndom këtë marsh me shpresën se ndonjë kosovar që ka luftuar me UÇK-në do të zbërthejë kuletën e do t’u hedhë ndonjë euro orkestrantëve dhe solistëve që këndojnë me zë të përmalluar.

Dhe së fundi qershia mbi tortë.

Çfarë ka bërë qeveria kohët e fundit? Ajo që më ra në sy është se në bregun e detit nuk kalonin më furgonët e akulloreve dhe fshatarët me gomerë që shisnin frutat e stinës. Megjithatë nga ky spastrim kishin mbetur vetëm pjekësit e misrave që i gjeje pa vështirësi çdo 200 metra larg njëri-tjetrit dhe shitësit e bananeve. Dhe në gjithë këtë zallamahi plazhi të binin në sy policët me uniformë verore e biçikleta “mountainbike” që ruanin rendin si dhe ndonjë kullë vrojtimi me gjithë “baywatch”-ët brenda tyre.