Sipas një studimi të Sekretariatit Ndërkombëtar për Energjinë, të publikuar më datën 7 dhjetor
2021(file:///C:/Users/user/Downloads/DOOREIHP_poverty_122021.pdf), rreth 37 për qind e familjeve shqiptare nuk arrijnë të garantojnë ngrohjen e duhur të shtëpive të tyre në dimër.
Studimi përllogarit se rreth 272 mijë familje në Shqipëri janë në varfëri energjetike. Shkaku kryesor është situata ekonomike. Më e prekur është grupmosha mbi 65 vjeç, pra pensionistët.
“Pjesa më e madhe e familjeve që nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre në mënyrë të përshtatshme ngrohtë, janë ato me një person të rritur 65 vjeç ose më të vjetër. 55 për qind e familjeve të tilla nuk janë në gjendje ta mbajnë shtëpinë e tyre ngrohtë”, cilëson studimi (Po aty, faqe 27, paragrafi 3). Në një kohë kur qeveria ka tre vite rresht që pakëson numrin e familjeve në ndihmë ekonomike, pavarësisht raporteve dhe statistikave kryeneçe të Bankës Botërore, FMN-së dhe Eurostat që dëshmojnë për shtimin e ndjeshëm të varfërisë tek ne, ne kulmin e krizës energjitike, më 25 tetor 2021, dy javë pasi qeveria shpalli emergjencën energjetike, Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme në Durrës shpall tenderin për ndërtimin e mini-fushës së futbollit (“calceto”). Ditët e fundit u shpall edhe kompania fituese, me ofertë 4,973,060 lekë!
Edhe pse jemi në mes të pandemisë, rreth 50 milionë euro shkojnë çdo vit për luksin pa doganë të sektit Rama, për tendera për bileta avioni të klasit të parë, makina të reja, mobilie, perde, veshje druri interioresh, fasada, etj., pa llogaritur udhëtimet qeveritare me avionë charter, financuar nga oligarkët, të cilët në këmbim marrin para publike, prona dhe koncesione.
Përballë luksit te papërgjegjshëm qeveritar, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të fundit më 6 dhjetor 2021, tregon se varfëria në Shqipëri ka kapur 930,457 persona që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD, ose 30.8 për qind të popullsisë, përkundrejt 17.1% të popullsisë në Serbi, 16.9% në Maqedoninë e Veriut dhe 20.9% në Kosovë. Sipas Bankës Botërore, treguesit e nivelit relativ dhe absolut të varfërisë në Shqipëri janë në rritje të dukshme, ndërsa sipas Eurostat, 51 përqind e popullsisë së vendit rrezikon të bjerë në varfëri(treguesi i rrezikut të rënies në varfëri).
Ndërkohë që vendi noton në varfëri, sekti i faraonit Rama noton në… rroga!
Skandali me të dhënat mbi pagat ka nxjerrë lakuriq babëzinë, nepotizmin marramendës dhe abuzimet me listë-pagesat e nëpunësve shtetërorë në institucione ku paraja publike rrjedh lumë. Në data bazën e pagave drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit përfiton një pagë prej afro 7 mijë dollarësh (701 100 lekë) në muaj, gati 3 herë më shumë se shefi i tij i drejtpërdrejtë, Kryeministri, që paguhet rreth 2200 dollarë (228 730 lekë) dhe Presidenti i Republikës, që merr afro 2500 dollarë në muaj (257 000 lekë). Tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), nuk mjaftojnë të 30 tenderat e dy viteve të fundit, të shënuara me flamur të kuq, të denoncuara nga një prej organizatave të njohura dhe kurajoze të transparencës dhe monitorimit të përdorimit të taksave, Open Data Albania. Shënimi me flamur të kuq i një procedure prokurimi nënkupton një ekspozim apo rrezik të dukshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin, që lidhet kryesisht me mosrespektimin e ligjeve anti-korrupsion. Open Data thotë se të dyshimtë janë tenderat pa garë dhe me negociim të drejtpërdrejtë. Këto lejohen vetëm në raste emergjente. Me flamur të kuq, janë procedurat që nuk u japin kohë operatorëve ekonomikë të paraqesin ofertat e tyre dhe gjithçka mbyllet në 72 orë. Propabiliteti i favorizimit të një kompanie klienteliste është i lartë. Open Data denoncon hile të tjera, si shtesë kontrate pa mbaruar ende faza e parë, apo skualifikim i të gjithë operatorëve, përveç fituesit. OSHEE ka kaluar nëpër këto shtigje të errëta të paktën 30 herë në dy vite, për tendera me vlerë mbi 25 miliardë lekë ose mbi 20 milionë euro. Por nuk mjafton. Në nëntor-dhjetor 2021, OSHEE zhvillon tender me një fond limit prej rreth 240 milionë lekë, me objekt pastrimin e zyrave të OSHEE-së. Gjatë pandemisë, të gjitha qeveritë e shteteve rrotull nesh dhe të krahasueshme me ne për fuqinë blerëse dhe të ardhurat buxhetore, si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, etj., i kanë ulur shpenzimet jo të domosdoshme operative. Tek ne ka ndodhur e kundërta. Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit për udhëtime jashtë vendit, blerje makinash, qera makinash, rikonstruksione zyrash dhe godinash qeveritare janë rritur tej çdo limit të arsyeshëm edhe për kohë normale funksionimi të një qeverie. Këto janë edhe “investimet” të cilat qeveria i realizon 100 për qind, me përkushtim e kujdes të madh.
Papërgjegjshmëria e një qeverie të etur për luks
Në këtë periudhë, sekti i Faraonit Rama ka shpenzuar 85,5 milionë euro për blerje, qera dhe servis makinash, 25 milionë euro për mobilim zyrash, 109 milionë euro për rikonstruksion zyrash dhe godinash qeveritare, 4.5 milionë euro për godinën e OSHEE-së, 3.2 milionë euro vetëm për zyrat e Kryeministrisë dhe 1.25 milionë euro për rikonstruksionin e zyrave të Albcontrol-it. Vetëm institucioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka shpenzuar 8.8 milionë lekë për një limuzinë Sedan, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Turizmit ka shpenzuar 10 milionë lekë për 1 automjet të vetëm. Këto janë vetëm dy institucione nga një listë e gjatë e segmenteve të qeverisë që abuzojnë dhe keqpërdorin paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që 38 për qind e familjeve tona kanë shpenzuar më pak për ushqimet e tyre e të fëmijëve të tyre!
Në zenit të kësaj babëzie qeveritare për të shpenzuar pa limit, e cila i injoron dhe përqesh vështirësitë e familjeve shqiptare për të mbijetuar, qëndron një kryeministër që, i pyetur për rritjen e çmimeve këto ditë janari në gjoja “kuvendimin” e tij online me qytetarët, kthen një përgjigje sa qesharake aq edhe pa bosht ekonomik. Sipas Ramës, çmimet i vendos tregu dhe jo qeveria. E përderisa njerëzit blejnë, pavarësisht rritjes së çmimeve, jemi në rregull si qeveri. Me fjalë të tjera, shqiptarët kanë para, se po të mos kishin para, nuk do të blinin dhe çmimet nuk do të rriteshin(?!). Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk po flasim për rritjen e çmimeve të sendeve te luksit, por të produkteve të shportës dhe të mallrave të tjera të domosdoshme, si buka, qumështi, mishi, gjalpi dhe i gjithë zinxhiri ushqimor.
Marrëzia e madhështisë
I mbytur në madhështinë e vet të “Liderit Global”, Rama në “kuvendim”, i kthehet qytetarit, duke “i shpjeguar” se qeveria nuk ka çfarë të bëjë, ngaqë jemi treg i lirë dhe nuk i vendos ajo çmimet, në rastin më të mirë nuk kupton nga ekonomia dhe në rastin më të keq gënjen e mashtron. Qeveria ka në dorë shumë në treg. Ajo ka për detyrë të kontrollojë tregun dhe të mos lejojë rritjet abuzive të çmimeve nga marrëveshjet e fshehta të tipit kartel, sikurse ndodhi me çmimin e miellit pak muaj më parë. Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut vendosi të “ngrijë” çmimet e produkteve bazë ushqimore, për të mbrojtur qytetarët e vet nga rritja e çmimeve te ushqimeve te importuara. Jo vetëm kaq, por vendosi edhe të ulë çmimin e karburanteve në treg. Kur Rama thotë se nuk kam çfarë bëj, se kështu vendos tregu, thjesht mbron interesat e karteleve si ai i miellit e me radhë. Thjesht qeveria e sektit të tij ka vendosur ta lërë qytetarin të vetëm përballë tregut dhe rritjes galopante të çmimeve të mallrave ushqimore bazë, ndryshe nga qeveritë e tjera të rajonit, që nuk kanë ngritur duart lart, por kanë marrë masat e duhura për ta mbrojtur qytetarin. Qeveria e tij nuk është vetëm e paaftë dhe e papërgjegjshme, por e mban me qëllime korruptive këtë qëndrim, që të fitojnë kartelet respektive sepse praktikisht ajo është qeveri grupesh oligarkësh që vendosin gjithçka në ekonominë tonë.
E ka shndërruar në këto nëntë vite shtetin shqiptar në një shtet kartel, ku të gjitha reformat për sundimin e ligjit dhe të drejtës ngelen në letër, pasi kartelet në ndërtim, turizëm, telefoni, tregti mallrash ushqimore me shumicë, etj., po eliminojnë gradualisht konkurrencën dhe tregtinë e lirë në çdo qelizë të veprimtarisë ekonomike. Në dukje në apoteozë të fuqisë së vet, Rama dhe sekti i tij po përjetojnë, në të vërtetë, fillimin e fundit të tyre. Vetëm një opozitë e bashkuar dhe që sjell frymë dhe shpresë tek qytetarët, mund dhe do ta mposhtë këtë sekt të shpenzimeve skandaloze të luksit, të karteleve, të indiferencës dhe përqeshjes ndaj të varfërve, si dhe të lënies lakuriq të qytetarit përballë goditjeve nga të gjitha anët.