Basha: Kryeministri në orët e fundit të tij

Politika

Kreu i opozitës, Lulzim Basha tha dje se qeveria i ka orët të numëruara. Në një deklaratë nga çadra e protestës, Basha tha se përballja me qeverinë do të jetë deri në fund dhe nuk do të ketë më asnjë lëshim nga kërkesa për qeveri teknike për zgjedhje të lira. “Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe europiane. Ne jemi kudo, demokratë e socialistë, një gjë nuk durojmë dot dhe do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin. Kjo që po jeton orët e fundit, së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë”, deklaroi dje Basha. Ai iu referua edhe deklaratave patriotike të Ramës në komunikimin e përjavshëm në Facebook. “Çdo të diel në vetminë e tij këndon bilbili i monologut. Bilbili i monologut këndon sot se të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme qenka antipatriotike, antievropiane. Bilbili i monologut thotë se të bësh zgjedhje me krimin, me drogën, zgjedhje fasadë qenka patriotizëm. Bilbili i monologut ka nevojë për ilaçe, shumë, shumë ilaçe.

Por, Republika e Re do t’ia sigurojë këto ilaçe falas. Të ndalësh demokracinë me krim dhe drogë nuk është aspak patriotike dhe të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme nuk është aspak anti-europiane. Anti-europian është vetëm projekti i Ramës për kapjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve”, tha Basha. Sipas kreut të opozitës, Rama nxit përçarje. “Ndoshta do të jenë të pamjaftueshme për të shlyer shijen e hidhur të njeriut që në orët e fundit të karriges kryeministrore nuk ka shpresë tjetër vetëm se t’i fryjë përçarjes, t’i fryjë paranojës së tmerrshme dhe të papranueshme nga shqiptarë të mençur dhe patriotë se të ndalësh demokracinë, të pushtosh demokracinë me krim, drogë dhe oligarkë qenka patriotike dhe evropiane. Të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme qenka antipatriotike. Kjo është ora e fundit e marrëzisë të atij që mendoi se do të kthehej në sundues të përhershëm të shqiptarëve duke zaptuar dhe pushtuar të drejtën për votë të lirë. Nga ky shesh i lirisë le t’i themi; se anti-kombëtare, antievropiane, antiamerikane është projekti i kapjes së zgjedhjeve në aleancë me krimin dhe oligarkët që janë aleatët e vetëm të pushtetit të Edi Ramës”, u shpreh kryedemokrati Basha.