Bashkimi me lëvizjen ZGJIDHJA, mesazhi që qytetarët nuk do të heshtin më

527

Samidie Brija  / Jam një vajzë nga Kukësi, por para se gjithash e ndjej veten nënshtetase të një vendi të mrekullueshëm. Po, po, për mua Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Jam diplomuar jashtë Shqipërisë me shumë mund e sakrifica dhe dua t’ju them që çdo gjë, sado modeste, e kam arritur me forcat e mia. Gjithë vitet që kam kaluar larg Shqipërisë nuk më kanë lëkundur për asnjë moment nga dëshira për t’u rikthyer, sepse më shumë nga çdo gjë kam dashur dhe dua Shqipërinë, edhe pse e kuptoj që kjo Shqiperi s’më do mua më shumë nga çdo gjë.

Vështirësitë që një i ri me shumë aftësi dhe vullnet, por që nuk është djali/vajza, apo nipi/mbesa e…, për t’u vlerësuar dhe integruar, janë të pafundme. Kalvari i qytetarëve të këtij vendi duhet të jetë turpi i çdo drejtuesi pa dallim ngjyrash të flamujve partiakë, që këto ditë po shtohen në çdo cep lagjeje. Turp duhet të ndjejnë edhe për të gjithë ato qytetet e zbrazura nga njerëzit e dëshpëruar ku i vetmi objektiv është krijimi i një mundësie për t’u larguar sa më shpejt nga vendi. Shpesh dëgjojmë shprehjen e shëmtuar, “Shqiptarët nuk bëhen”!

Nga eksperienca personale mund t’ju them me bindje se shqiptarët shkëlqejnë në çdo vend ku shkojnë. Po si është e mundur që kemi kaq shumë probleme këtu?! Si ka mundësi që një vend me bukuri natyrore dhe me një pozicion gjeografik nga më të favorshmit në Ballkan nuk arrin të përmbushe as nevojat jetike të popullit?! Fjala e vetme që kam dëgjuar në çdo derë që kam trokitur ishte: Po ti pse do të kthehesh? Ke dokumentat, ke mundesinë. MOS HAJDE! Dhe kur këtë e dëgjon nga zyrtarë të lartë që duhej të motivonin të rinjtë për të qëndruar, gjëja bëhet më alarmante. Më lind natyrshëm pyetja: Vallë çfarë mund t’i thonë dikujt tjetër që nuk e ka mundësinë për të ikur?

Po patjeter që ai zyrtari i lartë do të më këshillonte mua të mos kthehesha në Shqipëri, se atij nuk i duhem unë. Atij nuk i duhet asnjë nga ne të rinjtë. Atij i duhet vetëm një kryetar partie që i pëlqejnë elozhet, lëvdatat dhe nënshtrimi i padiskutueshem. Atij zyrtarit të lartë për të dhënë këshillat brilante të rinjve të këtij vendi që të largohen nga këtu, i duhet vetëm ajo karrigia që as ai vetë nuk e shpjegon se nga i erdhi. Se nuk ia dhashë unë, nuk ia dha asnjëri nga moshatarët e mi, dhe me të drejtën që i jep vetes nuk ndjen përgjegjësi për asnjerin nga ne.

Mua nuk më penguan këto këshilla që të dorëzohesha dhe të braktisja vendin tim. Shpresoj shumë mos të dorëzohet asnjeri nga të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Jam e bindur që nuk do ta bëjnë. Fakti që shumë prej tyre kanë vendosur t’i bashkohen ZGJIDHJES jep mesazhin që qytetarët e Tiranes nuk do të heshtin më, që do të marrin fatin e tyre në dorë dhe do të kërkojnë me ngulm që zëri i tyre të mos bjerë më në vesh të shurdhër. ZGJIDHJA lindi si nevojë urgjente për reformimin e partive politike në vend. ZGJIDHJA do të vazhdoje e palodhur punën për t’u dhënë të drejtat çdo qytetari të këtij vendi që të flasin, të degjohen, të zgjedhin, të zgjidhen dhe të vendosin. Nuk kemi më kohë për të humbur. Tirana dhe qytetarët e saj do u tregojnë karakterin dhe vlerat e tyre politikanëve, të cilët do të detyrohen ta pranojnë vullnetin e popullit. Nuk mund të heshtim dhe të pësojmë më. Do të jemi ne protagonistët e jetës dhe të fatit tonë.

*Autorja është drejtuese e lëvizjes “Zgjidhja” për Bashkinë e Tiranës