Borxhi i jashtëm i qeverisë rritje vjetore me 95 mln euro

127

Borxhi i Jashtëm Bruto i Ekonomisë shqiptare është zgjeruar me 95 milionë euro gjatë 9 mujorit të këtij viti sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 8,041 milionë euro, ku Qeveria zotëron rreth 44% të totalit të tij. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Bankave (18%), Sektorëve të tjerë (17%), Autoritetit monetar (1%) dhe hua midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (21%).

Në fund të muajit shtator 2018, detyrimet e Qeverisë u vlerësuan në 3,526 milionë euro dhe prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa. Referuar fundvitit 2017, borxhi i jashtëm i Qeverisë së Përgjithshme ra me rreth 3 milionë euro, ndërsa në terma vjetorë, rezulton në rritje me rreth 95 milionë euro. Teprica e huave afatgjata u zgjerua me rreth 99 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 4 milionë euro.

Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 0.4% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Në fund të shtatorit 2018, borxhi afatgjatë i Shqipërisë arriti në 6,180 milionë euro dhe përfaqëson 77% të totalit të borxhit. Në harkun kohor të një viti, borxhi afatgjatë u zgjerua me 143 milionë euro.

Rreth 57% e stokut të borxhit afatgjatë zotërohet nga sektori i Qeverisë së Përgjithshme, i ndjekur nga investime Direkte – hua ndër kompani (rreth 24%) dhe Sektorë të Tjerë (rreth 16%). Në fund të periudhës, borxhi afatshkurtër shënoi rreth 1,861 milionë euro dhe në terma vjetorë u zgjerua me 67 milionë euro. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme dhe ai i Autoritetit Monetar zotërojnë vetëm borxh afatgjatë. Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, me rreh 66% të totalit në fund të periudhës. Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë, shënon 56 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë nëntëmujorit të vitit 2018. Në masën më të madhe, detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen nga alokimet e SDR-së (99.5%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN zënë vetëm 0.5%.

Në fund të shtatorit 2018, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,419 milionë euro dhe prezantohet kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në rreth 11% dhe 85% të totalit. Gjatë nëntëmujorit, ky sektor ka rritur nivelin e borxhit me rreth 33 milionë euro në drejtim të rritjes së detyrimeve afatshkurtra. Në terma vjetorë, zgjerimi i tepricës së borxhit vlerësohet në rreth 57 milionë euro. Referuar nivelit të fundvitit 2017, Sektorët e tjerë kanë rritur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 105 milionë euro në nivelin 1,346 milionë euro. Lëvizjet kryesore reflektojnë zgjerim të detyrimeve afatgjata në formën e “huave” (92 milionë euro) dhe titujve afatgjatë (8 milionë euro), si dhe zgjerim të detyrimeve afatshkurtra në formën e “kredive tregtare” (8 milionë euro).

Borxhi i jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani”, u vlerësua në 1,694 milionë euro, në rënie si në terma vjetorë ashtu edhe gjatë periudhës, kryesisht si pasojë e shlyerjes së detyrimeve. Totali i tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, ishte 80.3 milionë euro. Tërheqjet e sektorit publik shënojnë 48.6 milionë euro dhe ato të sektorit privat 31.7 milionë euro. Shërbimi i borxhit të jashtëm (pagesat e principalit dhe të interesit) për tremujorin e tretë 2018 shënon 165.8 milionë euro. Nga këto, rreth 52.2 milionë euro janë pagesa të Qeverisë së Përgjithshme, 42.5 milionë euro të Sektorëve të tjerë, 70.4 milionë euro të Sistemit Bankar dhe 0.6 milionë euro të Autoritetit Monetar. Në masën 89%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 11% për shlyerjen e interesave. Sistemi bankar mban peshën kryesore në shlyerjen e principalit me rreth 69 milionë euro ose 47% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa Qeveria e Përgjithshme në shlyerjen e pagesave të interesit për periudhën, me rreth 15 milionë euro ose 82% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia./monitor