FMN: Shqipëria me nivelin më të lartë të kredive të këqija në Europë

Ekonomi

fmn e vogelShqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija në Ballkan dhe në Europë. Në raportin e publikuar nga FMN theksohet se Shqipëria edhe pse ka realizuar reforma nuk e ka marrë seriozisht këtë sfidë. Shqipëria renditet si një ndër vendet me nivelin më të lartë të kredive të këqija në Ballkan, por edhe në Europë. Në një raport të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se përgjatë vitit që lamë pas, Shqipëria ka arritur në nivelin 24% të kredive me probleme. Ky tregues është rreth 7-8 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e rajonit, e cila vlerësohet është në një mesatare prej 15-16%. Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se pavarësisht nismave të institucioneve dhe reformave të ndërmara, përsëri nuk është konstatuar një përmirësim i ndjeshëm në aspektin e kredive të këqia. FMN thekson se niveli i lartë i kredive të këqia në vendet e Ballkanit rrezikon të mbajë kredinë e dobët dhe të pengojë investimet si dhe rritjen ekonomike. Maqedonia dhe Kosova, janë dy vendet që e kanë nivelin kredive të këqija më të ulët në rajon. Niveli i kredive të këqia gjithashtu ka dhënë efekte në kreditimin e ekonomisë, pasi bankat po tregohen më të shtrënguara në dhënien e kredive, sidomos për bizneset. Në një raport të fundit, Shoqata Shqiptare e Bankave vlerëson se cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të katërt 2014, duke shënuar një nivel prej 22.8%, por përsëri ky mbetet një nivel shumë më i lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Pavarësisht se pritej që me shlyerjen e borxheve që qeveria u kishte biznesve të kishte një përmirësim të cilësisë së kredive, efektet nuk janë ndjerë. Ekspertët shpjegojnë se kjo nismë nuk ka dhënë efektin e pritur pasi bizneset përveç kredive në sistemin bankar, kanë pasur edhe një sërë borxhesh informale dhe si fillim kanë paguar këto detyrime. FMN këshillon që të merren masa për të ulur nivelin e kredive të këqija në mënyrë që të rikthehet kreditimi dhe si rrjedhojë edhe rritja ekonomike.

Burimi : Ora News