Meta: Me Ramën e kemi mbyllur, nuk do të ketë më herë të tretë

Kryesore Politika

Kryetari i Kuvendit: “I ka mbyllur ai(Rama) me LSI-në dhe LSI-a e ka mbyllur me të, kështu që në rregull janë. E ka mbyllur Rama ka thënë me LSI-në s’ka. LSI-a ka thënë: me Ramën s’ka, por me PS-në jemi të hapur

Ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se nëse LSI del forcë e parë nuk preferohet për koalicion as Rama dhe as Basha. Në një intervistë në studion “Opinion” të e Blendi Fevziut, kryetari i Kuvendit tha se LSI-ja do të bashkëpunojë me socialistë dhe demokratë të përgjegjshëm. Më tej ai u përgjigje edhe për akuzat e Ramës që ka thënë se përfaqësuesit e LSI-së janë të çmendur në këtë fushatë. Në përgjigje të kësaj, Meta tha se është i gatshëm ti nënshtrohet çdo lloj kontrolli, edhe atij të drogës. Ndërkaq, Presidenti i zgjedhur u shpreh i bindur se Rama do i kërkojë sërish falje, siç ka ndodhur edhe më parë. Kreu i Kuvendit u përgjigj edhe për akuzat për të punësuarit dhe efektshmërinë së drejtorive të drejtuara nga përfaqësues të LSI-së.

Meta, prapë nuk ma sqaruat çfarë ndodhi mes jush dhe z. Rama… Tre herë jeni pajtuar, tre herë i keni kërkuar falje njëri – tjetrit…

Në radhë të parë, unë nuk i kam kërkuar falje…

Po Rama ju ka kërkuar?

Rama ka kërkuar dhe do kërkojë prapë. Nuk e di a do pranojë faljen Petrit Vasili.

E paskeni mbyllur diçka…

I ka mbyllur ai me LSI-në dhe LSI-a e ka mbyllur me të, kështu që në rregull janë. E ka mbyllur Rama ka thënë me LSI-në s’ka. LSI-a ka thënë: me Ramën s’ka, por me PS-në jemi të hapur.

Ç’do me thënë që me Ramën s’ka kurse me PS-në jemi të hapur?

Po, sepse ai ka thënë që do japë dorëheqje nëse ai nuk fiton, nuk do fitojë, do japë dorëheqjen.

Meta, Rama ka thënë që ju keni menduar më shumë tepsinë, më shumë e keni pasur dorën në tepsinë e pushtetit, sesa në qeverisje…

Tepsinë e parë e kam dëgjuar nga Rama. Tani e kam të qartë se si e ka konceptuar ai përgjegjësinë e qeverisjes si një tepsi. Nuk ka asnjë problem midis Ramës dhe LSI-së. As midis Ramës dhe Metës. Ka vetëm një problem midis Ramës dhe demokracisë, midis Ramës dhe votës së lirë, midis Ramës dhe mendimit kritik, midis Ramës dhe transparencës, midis Ramës dhe debatit, debati me kundërshtarët, debati me partnerët. Unë sa kohë ka qenë z. Basha në çadër kam thënë: për drogën ka të drejtë dhe e kemi thënë çështjen e drogës edhe përpara z. Basha. Për dekriminalizimin ka të drejtë, për ato çështjet e tjera si votimi elektronik, numërim elektronik, etj., janë të pamundura. Qeveri besimi hajde të bëjmë, LSI i lë të gjitha mandatet e veta që të krijohet një qeveri besimi për zgjedhjet.

A keni biseduar ndonjëherë me z. Rama për këtë çështjen e tepsisë së pushtetit z. Meta? E keni ndarë ju pushtetin, domethënë më jep këtë ministri që ka para, apo këtë ministri që ka favore

Ilir Meta ka qenë ekstremisht tolerant me Ramën, kjo është një nga përgjegjësitë e ti kryesore sot. Së dyti, LSI me PS-në ka pasur shumë më pak përgjegjësi apo pushtet nga sa kishte me PD-në sa i takon edhe peshës në ekzekutiv, duke pasur parasysh strukturën e qeverisë, por edhe faktin që LSI ishte më pak faktor përcaktues me PD-në se sa me PS-në. Tjetra, Rama ka marrë të gjitha përgjegjësitë e qeverisë, ka pasur timonin vetë me gjithë Zv.Kryeministrin, i cili natyrisht ka një rol të rëndësishëm dhe drejtues në qeveri, me të gjithë aparatin e Kryeministrisë që ka një rol mjaft të rëndësishëm në të gjithë përpunimin e prioriteteve të qeverisë të investimeve, etj.

Dhe ajo që mund t’ju them sot, duke qenë se e ka të vështirë që të dali me një bilanc, shpik tepsinë dhe si gjithmonë i faturon dështimet te të tjerët. Një fakt do t’ju them, është shtuar borxhi me një miliardë euro në katër vet dhe rritja ekonomike e akumuluar është 900 milionë euro, që do të thotë që për një euro borxh rritja ekonomike është 0.9 euro. Pse? Sepse ka qenë vizioni i munguar i Kryeministrit, por vizioni ende i një kryetari bashkie që merr borxh dhe harxhon energjitë më të mëdha dhe buxhetin më të madh për lulishte pr fasada për palma, për kullën e Korçës, që nuk i duhet Korçës. Për betonin e Durrësit që po varros një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike e kështu me radhë. Kështu që ai e ka të vështirë tani të dalë me një bilanc konkret, se për çfarë e ka penguar LSI-ja nuk e di. E ka penguar LSI për të luftuar drogën? Përgjegjësitë qoftë për probleme të sigurisë kombëtare ai i ka pasur.

A e keni penguar ju për legalizimet, a e keni penguar ju për hipotekat?

ALUIZNI-n e ka pasur Edi Rama, hipotekën e Tiranës e ka pasur Rama, atë të Durrësit po, hipotekën e Vlorës po Rama, hipotekën e Beratit, pra 80% të hipotekave. Ai shkoi në Vorë dhe ju thotë qytetarëve atje që: “juve ju është penguar hipotekimi i shtëpive se e ka pasur LSI-ja në dorë”. Në fakt, e ka pasur PS-ja dhe vetë z. Rama në dorë.

Rama lexoi një listë që kishte punësuar kryetari i Bashkisë Delvinë, ku ishin kushërinj të tij dhe militantë…

Mendoj që e mori një përgjigje për atë çështje. Por të fillojmë me kushërinjtë, ajo punë fillon që nga qeveria dhe nuk i dihet se ku i mbaron. Por nuk jemi këtu për të marrë njerëz nëpër gojë, jemi këtu për të treguar që qeverisja nuk mund të jetë më një auto-shkollë, që t’i japim edhe katër vjet tani që të na e bëjë shëndetësinë falas, meqë nuk e bëri në këto katër vjet.

Po ju pse qëndruat në qeveri, kur ai e mbushi vendin me drogë siç keni thënë, kur dështuat me reformën në shëndetësi. Si mund ta thoni ju këtë dhe të jeni akoma në qeveri me një njeri që mbolli vendin me drogë, që dështoi në koncesione, i bëri ato klienteliste?

Kur hyri Luli në qeveri tani në fund fare, ne nuk kishim pse të iknim. Vetëm për të garantuar zgjedhjet nuk u bë ajo marrëveshje. E gjithë marrëveshje është kundër zgjedhjeve. Është kundër kodit zgjedhor, është kundër të gjithë partive të tjera.

Sipas tyre është kundër blerjes së votës, që ata pretendojnë se e bën në mënyrën më të mirë LSI-ja dhe PDIU-ja…

Tani ky është një mjerim i madh i tyre, sepse e gjithë vuajtja e tyre, i gjithë shqetësimi i tyre është që morën dy parti historike, dy parti me një trashëgimi pozitive në përgjithësi, pavarësisht nga përgjegjësitë që kanë pasur sepse unë kam qenë edhe në PS, por edhe PD ka pasur një trashëgimi shumë pozitive. I morën të dy dhuratë, të dy erdhën me lugë në brez, tani nuk drejtojnë dot në mënyrë demokratike, të dy e treguan. Edhe ky tjetri e tregoi, bëri një marrëveshje me Ramën për të hequr qafe të gjitha figurat e PD-së. Kjo ishte republika e re. Ata shqetësohen si rritet LSI-ja dhe pse rritet LSI-jam, por LSI-ja rritet se ka rininë e Shqipërisë me vete. Kjo është mjaft evidente.

Sa vota dhe sa mandate do të marrë LSI-ja?

Nuk numërohen, ajo që mund t’ju them është që LSI do të jetë forcë e parë. Kjo është ajo që i ka bashkuar, halli i ka bashkuar ata. Sepse LSI ka një rritje eksponenciale, LSI-ja nuk ka gënjyer njeri, ka marrë përgjegjësitë e saj për ato përgjegjësi që ka pasur. LSI ka qenë një garanci për stabilitetin e mazhorancës dhe për funksionimin e saj. Por LSI nuk ka pasur drejtimin e qeverisë. Kjo është shumë e vërtetë dhe kjo është arsyeja pse LSI-ja ka të drejtë të premtojë një drejtim të ri. Një drejtim që është përqendruar te ekonomia, te hapja e vendeve të reja të punës, një drejti që financon bujqësinë, që financon turizmin, ku do të përfitojnë shumë njerëz.

Akoma më tej Rama kur ju akuzon, thotë këta janë çmendur.

Unë jam gati ti nënshtrohem çdo lloj testi, të shëndetit mendor, test përdorim droge, çdo test i cili ka të bëjë me normalitetin e një politikani i cili del para publikut dhe para qytetarëve. Unë jam i gatshëm në çdo sekondë.

Nëse LSI del forcë e parë, kë do të zgjidhni për partner, Bashën apo..

600 mijë vota vetëm të reja i ka LSI-ja…

Kam frikë se do të dilni sërish me Ramën për krahu, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Jo, nuk e besoj.

Nëse LSI zgjidhet forcë e parë, kë do të zgjidhni si partnerë, PS-në apo PD-në?

Nuk preferojmë as Rilindjen, dhe as aneksin e saj, për socialistët e përgjegjshëm dhe për demokratët e përgjegjshëm jemi të hapur të bashkëpunojmë.