Vasili në krye të LSI-së, Meta: Si president nuk do të mbaj anë

955

Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh për të zgjedhur emrat për dy postet më të rëndësishme të partisë. Në Konventë u dhanë disa mesazhe politike dhe një fjalim të fundit e mbajti edhe Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, që nga dje zyrtarisht është larguar nga drejtimi i partisë së themeluar prej tij, LSI-në. Veç mesazheve, delegatët e partisë i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin dhe zëvendëskryetarin e ri të LSI-së, dy poste që ndryshuan pas largimit të Metës.

Me votim unanim delegatët zgjodhën  Petrit Vasili kryetar i LSI. Gjithashtu me votim unanim u zgjodh edhe Monika Kryemadhi zëvendëskryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vasili është kryetari i dytë i LSI që nga themelimi i saj në 4 tetor të vitit 2004. Ndërkohë, Meta dha mesazhe rreth funksionimit të LSI-së, kauzave të saj dhe puna e tij si President. Në fjalën e tij, ndërsa përmendi peripecitë e LSI-së për t’u rritur si parti, kryeparlamentari Meta theksoi se politika ende vuan nga ndryshimet e ligjit zgjedhor të bëra në 2008.

“Super-Dushku” konsensual për të gjithë ata që janë kurioz, mjaftojnë të bëjnë një kërkim dhe të shohin rezultatet e partive në maxhoritar dhe në proporcional, se çfarë ndodhi me votat e shqiptarëve në vitin 2005 vetëm për të zhvlerësuar mandatet e drejtat dhe legjitime që shqiptarët i dhanë LSI-së si forcë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë. Por LSI nuk u dorëzua. Përkundrazi! Ajo vazhdoi të tregoi rritje aq sa në një natë të errët në prill të vitit 2008 u ndryshua në mënyrë konsensuale Kushtetuta e Shqipërisë vetëm për të eliminuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Një akt i paprecedent dhe sot e kësaj dite, Shqipëria vuan pasojat e atyre ndryshimeve kushtetuese dhe të atij Kodi të mallkuar, ku qëndron një pjesë e mirë e burimit të konfliktit dhe frikës së politikës së papërgjegjshme nga vota e lirë dhe e ndershme e Shqiptarëve”, u shpreh Meta.  Ai shtoi se “ndaj edhe shprehja “Me qetësi edhe dashuri” nuk më doli nga goja, por më doli nga shpirti. Dhe do t’ju lutesha dhe juve që çdo vendimmarrje të rëndësishme ta bëni me qetësi, sepse për fat të keq deri tani të tjerët japin shembullin se si bëhen me gjaknxehtësi dhe kokëfortësi, po ta bëni me dashuri për vendin”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, kryeparlamentari Meta zbuloi edhe një negociatë me PS kur vendosi të largohej nga koalicioni me PD-në. “Por ju ndoshta kemi harruar një fakt të rëndësishëm. Që i vetmi kusht që Ilir Meta dhe LSI i vendosën PS për t’u shkëputur nga PD që ishte në pushtet dhe për të kaluar në opozitë, ishte votimi i tre ligjeve të cilat kishin të bënin me integrimin europian dhe me marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë më vonë”, u shpreh ai.

Angazhimi si President

Sa i përket punës së tij si President, Meta premtoi se do të jetë mbi palët. Pas 24 korrikut, ditën kur do të bëjë betimin në Parlament, Meta u shpreh se nuk do të ndikohet nga bindjet politike dhe do të punojë që vendi të ketë stabilitet. “Unë jam përpara një sfide të rëndësishme për të treguar se pavarësisht bindjeve të mia, të cilat që nga fundi i vitit 1991 e deri tani nuk kanë ndryshuar, kanë qenë, janë dhe do të jenë eurosocialiste. Pas 24 korrikut, do dëshmoj përpara të gjithë shqiptarëve se nuk ndikohem as nga bindjet e mia politike dhe as nga fakti që kam qenë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ju keni një sfidë më të lehtë se mua në raport me opinionin publik që të tregoni se edhe pa Ilir Metën kryetar, ju jeni në rrugën e rritjes së pandalshme dhe shndërrimit të LSI-së në një forcë madhore të transformimit të politikës në Shqipëri dhe për triumfin e arsyes dhe paqes sociale”, u shpreh kreu i Parlamentit.

Ironia e Kryemadhit me Ramën dhe Bashën

Zëvendëskryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi përmes toneve ironike ka ironizuar kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, disa orë pas dështimit të negociatave mes palëve në Presidencë. Në fjalën e saj te Konventa e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur me ironi për përpjekjen e Ramës dhe Bashës për të gjetur konsensus për krizën politike. Sipas saj, Rama dhe Basha në një kohë mbi dy mujore nuk arritën të gjenin marrëveshje dhe këtë nuk e bën as dje. “Çfarë mund të presësh nga këta që pas 70 e kusur ditëve krizë, ulen dhe dalin pa një zgjidhje?”, tha Kryemadhi teksa i uroi suksese Ilir Metës në postin e Presidentit të Republikës. Kryemadhi edhe një herë u shpreh se vendi nuk e njeh posin e Zonjës së Parë, që i takon asaj tashmë. /Shekulli/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: