Milo: Ambasadorët s’mund të degradohen me urdhra ekzekutiv

160

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo komenton fyerjet dhe kërcënimet e kryeministrit Rama në drejtim të ambasadorëve.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-aleati i Ramës shprehet se shkarkimet e diplomatëve nuk mund të bëhen me urdhra ekzekutiv. Sa i përket shqetësimeve lidhur me investimet, kreu i PDS-së tha se problemi kryesor është korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Kryeministri Rama, në një takim me diplomatët i cilësoi ata të avashtë, të leshtë, delenxhinj dhe që kanë bërë një vrimë në ujë. Çfarë komenti keni lidhur me këto deklarata?

Diplomacia ekonomike është një nga vektorët e diplomacisë në përgjithësi. Padyshim që duhet të jetë efektive. Të gjitha qeveritë shqiptare të pas viteve ’90 e kanë pasur si objektiv në politikën e jashtme ushtrimin e diplomacisë ekonomike, duke përfshirë edhe vitet kur unë kam qenë ministër i Jashtëm. Janë disa faktorë që duhet të kihen parasysh në veprimtarinë e shërbimit diplomatik shqiptar. E para, nuk është zbulim që diplomacia shqiptare ka vuajtur nga ineficenca e ushtrimit të diplomacisë ekonomike. Ky fakt është i njohur dhe përpos arsyeve të karakterit subjektiv që ka të bëjë me cilësinë e trupës diplomatike shqiptare, ka të bëjë edhe me përgjegjësitë e shtetit shqiptar që nuk i ka krijuar mundësitë infrastrukturore dhe financiare shërbimit të jashtëm shqiptar që të merret posaçërisht dhe me seriozitet me diplomacinë ekonomike. Është e tepërt që unë të futem në detaje për t’ju thënë që një diplomat shqiptar, jo vetëm ambasadori por edhe anëtarët e shërbimit të jashtëm shqiptarë, që të mund të kontaktojë me sipërmarrësit e huaj duket të kenë disa mundësi jo vetëm financiare por edhe infrastrukturore që të bisedojnë dhe ti nxisin ata që të vijnë në Shqipëri.

A mund të bëhen përgjegjës vetëm diplomatët për mungesën e investimeve në vend?

Absolutisht jo! Nuk është shërbimi i jashtëm instrumenti kryesor vendimmarrës për të sjellë investitorët e huaj në Shqipëri. Ata janë faktorë lehtësues por vendimtare është gjithmonë politika e brendshme e vendit. Përgjegjësit kryesor janë qeveritë në Shqipëri, ata që ndërtojnë strategjitë e thithjes së investimeve të huaja që ka të bëjë me klimën e favorshme për të thithur investime me funksionimin e shtetit ligjor, me luftën kundër korrupsionit që është një gangrenë e njohur shqiptare, me luftën kundër krimit të organizuar dhe është politika e brendshme ajo që përcakton ardhjen ose jo të investitorëve të huaj. Të mos e kërkojmë përgjegjësinë kryesore tek diplomatët. Diplomatët mund t’i kemi shumë të mirë, por diplomatët që nuk kanë mundësi financiare të japin një drekë apo darkë për sipërmarrësit e huaj, që nuk kanë mundësi të organizojnë takime se u mungojnë fonde financiare nga Tirana për të bërë takime apo udhëtime, të gjitha këto janë faktorë objektiv që rëndojnë tek qeveritë në Shqipëri. Nuk mund tua ngarkojmë përgjegjësinë diplomatëve, por duhet në radhë të parë të krijojmë klimën e përshtatshme brenda vendit për të thithur investime të huaja. Kjo do të thotë që duhet të zbatohen ligjet që miratohen, të mos jenë thjeshtë një dekor propagandistik. E dyta, të bëhet një luftë konkrete kundër korrupsionit dhe në marrëdhëniet me subjektet e huaja që kërkojnë të investojnë në Shqipëri. E treta, pa luftuar në themel korrupsionin nuk mund të vijnë investitorë të huaj dhe sidomos pa qartësuar pronësinë mbi tokën që është një hipotekim i rëndë për të ardhmen e Shqipërisë. E katërta, pa një luftë të jashtëzakonshme për të prerë lidhjet e hapura dhe të fshehta të krimit dhe të mafies së organizuar shqiptare, e cila pengon ardhjen e investitorëve të huaj. Pra, duhet që të kuptojmë që faktorë vendimtarë për investime të huaja në Shqipëri nuk është diplomacia shqiptare por është politika shqiptare e brendshme, reformat dhe luftë e pandërprerë kundër oligarkëve, mafiozëve të cilat janë në fuqi dhe që kanë shumë fije që lidhen me pushtetin, cilado qoftë ngjyra e tij.

Ju përmendët shumë problematika të vetë shtetit shqiptar, por megjithatë u duk se kryeministri Rama ua delegoi të gjithë përgjegjësinë e situatës jo të mirë sa i përket investimeve diplomatëve…

Padyshim që unë e kuptoj shqetësimin e kryeministrit, por nuk mund të jem dakord me të që ai ia delegoi përgjegjësinë kryesore trupit diplomatik. Ai duhet të kuptojë që përgjegjësia kryesore rëndon dhe është në radhë të parë tek qeveria shqiptare, e cila ka tagrin që të krijojë klimën e përshtatshme për investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri. Investitorët e huaj nuk mund të vijnë në Shqipëri me lutjen e disa diplomatëve të thjeshtë. Ata vijnë në Shqipëri kur marrin mesazhe të qarta dhe siguri ligjore nga qeveria shqiptare. Nëse duam vërtetë që të bëjmë një ndryshim thelbësor në këtë çështje problemi duhet kapur prej brirësh brenda vendit për krijimin e një klime të shëndetshme dhe të një shteti ligjor funksional.

Kryeministri Rama kërcënoi diplomatët me shkarkime në rast se ata nuk performojnë siç ai kërkoi. Është në të drejtën e kryeministrit të shkarkojë diplomatë?

Besoj se është një deklaratë nxitëse, emocionale dhe që në logjikën e vetë është në kundërshtim me ligjin. Nuk mundet që një diplomat i çfarëdo rangu që të jetë, në cilësinë e tij si nëpunës i shtetit dhe i shërbimit civil të mund të degradohet me urdhra ekzekutiv. Prandaj, unë besoj se ka qenë më tepër një instrument nxitës i stilit të kryeministrit që jo radhë i përdorë këto instrumente për të arritur disa objektiva, që për mua mbeten për t’u parë se sa do të funksionojnë.

Kryeministri Rama katër vite më parë deklaroi “politikë zero probleme me fqinjët” dhe një politikë e re me vendet më të largëta. A ia ka arritur kryeministri të vendos ato marrëdhënie që ka deklaruar në fillim dhe sa ndikon kjo edhe tek suksesi që mund të arrijnë diplomatët?

Ambasadorët në parim dhe në praktikë janë përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe në emër të tij dhe të qeverisë flasin dhe veprojnë. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë ambasadorë sot në shërbimin e jashtëm që të flas me kokën e tij, me mendjen e tij dhe që nuk ka respektuar udhëzimet, sugjerimet dhe rekomandimet që i vijnë nga Tirana. Për rrjedhojë ambasadorët mund të gjykohen gjithnjë në raportet që, kanë zbatuar ose jo udhëzimet që u kanë ardhur nga Tirana. Nëse ata nuk i kanë zbatuar përgjegjësia është personale. Nëse ata i kanë zbatuar dhe nuk kanë qenë të suksesshëm në zbatimin tyre atëherë përgjegjësia duhet kërkuar në Tiranë. Në të gjitha rrethanat përgjegjësia e trupit diplomatik shqiptar, cilësia dhe veprimtaria e tij i kanë rrënjët gjithnjë në Tiranë. Nuk duhen pritur katër vjet për të bërë konkluzionet e shërbimit të jashtëm diplomatik shqiptar. Nëse do të kishte vijimësi dhe ndjekje operative të veprimtarisë së diplomacisë ajo duhet të ishte konkretizuar me masa të karakterit operativ për ta përmirësuar situatën gjatë viteve që kanë kaluar. Unë mendoj që apeli i kryeministrit shqiptar duhet marrë në konsideratë me qëllim që të mund të reflektohet për të përmirësuar këtë aspekt të diplomacisë shqiptare, diplomacinë ekonomike. Por nënvizoj se diplomacia nuk është dhe nuk mund të jetë në mënyrë absolute thelbi i veprimtarisë së shërbimit të jashtëm shqiptar. Mund të jetë një komponent i tij, por jo i vetmi dhe në emër të këtij komponenti nuk duhen mohuar as meritat, as arritjet por as edhe objektivat e tjera shumë të rëndësishme që ka diplomacia shqiptare tani e tutje.

Rivendosja e vizave

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson skandaloz reagimin e ambasadores së Shqipërisë në Holandë lidhur me raportin holandez për kthimin e vizave ndaj shqiptarëve, ndërsa shton se kjo mund të na rrezikojë seriozisht vendosjen e vizave. “Reagimi skandaloz i ambasadores mund të na rrezikojë seriozisht vendosjen e vizave! Tashmë nga një memo e policisë holandeze, është sensibilizuar i gjithë opinioni publik në Holandë. Për pasojë qeveria Hollandeze do të duhet të reagojë disi! Shpresojmë jo në drejtim të vendosjes së vizave! Le ti vërë viza Ambasadores sonë atje po qe nevoja, por jo ne të tjerëve! Kjo nuk është diplomaci leshi! Është politikë shtetërore e keqe dhe e papërgjegjshme!”, ka reaguar Manjani. Ambasadorja pak ditë më parë deklaroi se nuk ekziston asnjë raport nga Holandë për vizat për Shqipërinë. Mediat holandeze një javë më parë publikuan një lajm duke iu referuar burimeve nga autoritetet se policia dhe prokuroria në Amsterdam kishin hartuar një raport drejtuar qeverisë duke kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët, pasi kanë rritur nivelin e kriminalitetit.