Parlamenti Europian: Drejtësi për 21 janarin

Lajme Rajoni

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian pritet të shqyrtojë projektrezolutën për Shqipërinë, bazuar në gjetjet e raportuesit Knut Fleckenstein. Euparlamenti i vogelrodeputeti socialdemokrat vizitoi Tiranën në mes të janarit dhe pas dy javësh dorëzoi pranë sekretariatit raportin e tij, ku mbizotëron thirrja për dialog politik. “Top Channel” zbardh pjesët kryesore të këtij dokumenti, ku në më pak se 6 faqe përmblidhen 24 rekomandime. “Pika B – Ndërsa miratimi konsistent dhe zbatimi efektiv i reformave të qëndrueshme mbi 5 prioritetet kyçe shërbejnë për transformimin demokratik të Shqipërisë dhe i hapin rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE; Pika C – Anëtarësimi në BE është një proces gjithëpërfshirës që i takon vendit dhe gjithë qytetarëve të tij; ndërsa mungesa e dialogut të qëndrueshëm politik mund të pengojë progresin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit; Shqipëria ka nevojë për një konsensus kombëtar mbi axhendën e reformës”, thuhet në projektrezolutë. Një tjetër vëmendje i është kushtuar dhe çështjes së reformave në drejtësi dhe në pavarësinë e institucioneve, ato janë përcaktuar në pikën 10 të dokumentit të hartuar nga eurodeputeti Knut Fleckenstein. “Parlamenti Europian fton autoritetet kompetente të nxisin integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kyçe të demokracisë, sikundër dhe depolitizimin e gjyqësorit; fton autoritetet kompetente të procedojnë pa vonesa të tepërta në dhënien e drejtësisë për viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011″, thuhet në këtë dokument. Eurodeputetja Tanja Fajon ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria, sa i përket reformave të saj, ajo e sheh vitin 2015 si një dritare shprese për vendin tonë sa i përket avancimit të procesit të anëtarësimit në BE. Në një postim në rrjetin social Twitter, Fajon shkruan se “hapat e ndërmarrë për reformat janë befasuese, urime Shqipërisë! Viti 2015 është një dritare për mundësi të reja. Mbështetje e fortë për nisjen e negociatave me BE-në”.