Rama i përgjigjet Athinës

632

Tiranë – Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin serb, Rama u shpreh se marrëdhëniet midis fqinjëve nuk mund të jenë të mira, ndërkohë që kanë probleme të pazgjidhura midis tyre. Rama u shpreh se nota verbale drejtuar Greqisë nuk është gjë tjetër vetëm se një kërkesë rutinore ku kërkohet informacion për kërkimet në detin Jon.

rama-1“Dua ta përsëris që për ne marrëdhënia e shqiptarëve me serbët është një marrëdhënie kyç për ardhmërinë e rajonit. Ndërkohë që për Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, kemi një partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për një vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën dhe nga ana tjetër nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina e as qarqe mendimtarësh ose politikanësh në Tiranë të çuditen se pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke bazuar në praktikat rutinore të së drejtës ndërkombëtare, kërkon informacion për kërkimet në det. Përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje, që për ne është e interesit kombëtar, siç është çështja e kufirit detar. Ne duam të vijojmë bashkëpunimin siç ka ndodhur me të shkuarën. Kemi zgjidhur problemin për toponimet dhe kemi mbajtur hapur kanalet e dialogut në lidhje me detin. Ne nuk kemi ndërmend të negociojmë për interesin kombëtar për dialog me fqinjët. Ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne”, theksoi ai më tej.

Kryeministri Rama foli edhe për reagimin e Athinës në lidhje me zgjedhjen e Shpëtim Idrizit në postin e nënkryetarit të Kuvendit. Rama tha se Shqipëria nuk mund ta mendojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Greqisë. “Për sa i përket çështjes së zgjedhjes së nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, ashtu sikurse ne nuk e kemi ndërmend të ndërhyjmë se kush zgjidhet në Parlamentin e Athinës, ashtu edhe Athina nuk duhet të ndërhyjë se kë zgjedhim”.