Soros “heq qafe” Sakashvilin dhe Ramën…

Aktualitet Opinion

Ëngjëll Musai /
Para një viti Xhorxh Soros do të “pranonte se jo përherë ka bërë zgjedhjet e duhura” dhe si shembull ilustrues për këtë kishte sjellë emrin e ish-presidentit gjeorgjian, Mikhail Saakashvili që është nën hetim me akuzën se ka pranuar financime nga Rusia për të destabilizuar Ukrainën. Konkretisht për këtë rast Soros ka deklaruar se: “Mora një mësim të dhimbshëm që të mbaj një distancë më të madhe nga politika e brendshme e vendeve ku veprojnë fondacionet e mia….”

Nuk është më sekret që Edi Rama ka pasur mbështetjen e Xhorxh Soros për të ardhur në pushtet dhe për të qeverisur, por ka siguruar gjithashtu prej tij edhe të gjithë ekspertizën e mbështetjen financiare për të “kryer reformën e drejtësisë dhe përdorur atë për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë” dhe “për ta përdorur atë ndaj kundërshtarëve politikë”. Ky nuk ishte thjeshtë një përfundim i nxjerrë nga kundërshtarët politikë të Ramës dhe media opozitare në Shqipëri, por ky është një përfundim i nxjerrë nga 6 senatorë republikanë amerikanë dhe i shprehur në një letër dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit si dhe është rimarrë disa herë nga fondacioni konservator Judicial Watch, i cili në vitin 2018 do të deklaronte se “Në vitin 2017, disa senatorë amerikanë, të udhëhequr nga senatori Mike Lee (R-Utah), morën në pyetje sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Rex Tillerson, lidhur me operacionet e mbështetura nga USAID-i dhe Soros në Shqipëri. Në një letër drejtuar Tillerson, senatorët vunë në dukje se “reforma gjyqësore” që mbështetet nga Soros kishte “në fund të fundit synimin t’i jepte Kryeministrit Rama dhe qeverisë së majtë kontrollin e plotë mbi gjyqësorin”.

Sot, në 8 prill 2019, pas shumë kritikash, duket se Fondacioni Soros në Tiranë është detyruar të publikojë një anketim ku evidenton se “63,3 për qind e shqiptarëve s’besojnë te vettingu” dhe “62,5 për qind e shqiptarëve s’besojnë se vettingu do ta bëjë sistemin e drejtësisë më të mirë e më të besueshëm për qytetarët…”. Pra mesa duket, po ashtu si në rastin e Mikael Sakashvilit, Xhorxh Soros ka kuptuar më së fundmi se ka bërë gabim që ka mbështetur Edi Ramën dhe ka gjetur mënyrë për t’u distancuar prej tij…

Ato që deri dje ishin dyshime sot janë konkrete dhe, me sa duket Soros, e ka kuptuar që kapitulli i Ramës ka marrë fund dhe ka ardhur koha që ai të largohet duke lënë si pasardhës në krye të PS, kryebashkiakun Veliaj. Ndërhyrja e fuqishme ndërkombëtare sidomos ajo e SHBA-ve dhe Gjermanisë, për mos cenimin e kufijve territorialë të Kosovës, i hoqën Ramës edhe shpresën e fundit për t’u rikuperuar në arenën ndërkombëtare. Kjo do t’i shërbente më vonë Ramës edhe si pasaportë për të mbajtur nën diktat shqiptarët, disa me presione e kërcënime, disa me ofiqe dhe oferta të ndyra, disa me pushtet dhe pjesën tjetër ose në burg ose të arratisej jashtë vendit. Dështimi i ndarjes së Kosovës, vendosi përfundimisht edhe kapitullimin e Ramës si e ardhmja e Ballkanit?! Soros pas takimit, muaj më parë në Japoni me Veliajn, ia dha sinjalin Ramës për pasardhësin e tij. Kjo nuk u prit mirë, me sa duket nga Rama, i cili e shantazhoi pasardhësin e tij Veliaj duke i kujtuar “varjen në pemë”, kod i cili përdorej më së shumti në Italinë e Jugut. Por gaboi se Veliaj dhe protestat studentore i treguan Ramës, se imazhi i njeriut të fuqishëm,dominues dhe të paprekshëm shkërmoqet shpejt, edhe pse Rama në karrierën e tij qeveritare ka pasur mbështetjen e ndonjë “opozitari” po sorosian, por që edhe ky ka marrë sinjalin, se mbështetja për Ramën ka marrë fund.

Në këto kushte Rama po kërkon të luajë çdo gurë vetëm e vetëm për të shpëtuar veten, pasi tashmë çështja diskutohet për karrigen e tij. Para pak kohësh në Tiranë ka mbërritur vetë pasardhësi i Sorosit, i cili piketoi apo, e thënë ndryshe, urdhëroi caktimin e Veliajt në krye të bashkisë së kryeqytetit. Mandati i dytë i  Veliajt do të jetë edhe kalimi në krye të Partisë Socialiste, pasi dihet që pushteti lokal i kryeqytetit është gati 50% e pushtetit kombëtar, pavarësisht se interesat ekonomiko-financiare i kalojnë ato të qyteteve periferike të marra të gjitha së bashku. Por kjo situatë e krijuar mund të bëjë që, pas zgjedhjeve vendore, të sabotohen ato qendroret. Mund të ndodhë edhe e kundërta që të sabotohen zgjedhjet vendore për të garantuar jetëgjatësinë e karrierës të vetë kreut aktual të PS-së, i cili e ka disi më të lehtë përballimin e luftës së brendshme që mund të shpërthejë brenda së majtës, nëse kjo parti humbet zgjedhjet e përgjithshme.

Pra sido që të shkojnë zhvillimet me zgjedhje të parakohshme apo në afat lufta e brendshme nuk ka më kthim prapa dhe ajo që e penalizon Ramën në këto kushte, ka të bëjë me faktin që, sa më shpejtë t’i bëjë Rama zgjedhjet aq më i sigurt do të jetë. Nëse i bën në afatet e parashikuar, atëherë fundi i tij politik është i pashmangshëm. Kjo është arsyeja që shumë nga njerëzit e tij kundërshtarë duan të qëndrojë edhe një periudhë kohe, që të mbarojnë zgjedhjet lokale dhe pas kësaj askujt nuk do i interesojë më. Por Rama duke qenë se është një politikan që u ngrit në karrierë më mbështetjen e Sorosit dhe klaneve të fuqishme politike dhe financiare brenda dhe jashtë vendit e di mirë, se ajo rrugë që e ngriti në majë, është e njëjta që do e zbresë tatëpjetë. Kur Rama ngjiste shkallët takoi në mes të tyre duke zbritur Nanon.

Ka ardhur koha që Rama po zbret dhe drejt ngjitjes po përballet me Veliajn. Në këto kushte Rama po luan kartat e fundit të ish-miqve të tij, të cilët i përdori si garant gjatë kulmit të karrierës dhe një pjesë të tyre me pagesë si këshilltar apo mbajti me punë të ndryshme kompani lobingu, studio të ndryshme ndërtimi, ligjore etj., për projekte dhe mbrojtje në gjykatat evropiane dhe ndërkombëtare.
Por sondazhi i fundit i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ai i Shoqërisë Civile (Fondacioni për Shoqërinë e Hapur- Soros ) si dhe shumë organizatave të tjera, të ngritura apo financuara nga Soros, po i bëjnë Ramës një ulje të butë, me qëllimin që ai të largohet i vetëm dhe të mos krijojë firo për pasardhësin e tij, që në rastin konkret është Veliaj. Fjalimi brilant i njërit prej modeleve të gazetarisë botërore dhe krenarisë shqiptare Dr. Elez Biberaj, tregoi se Rama e ka mbushur kupën dhe duhet të mbajë përgjegjësinë për këtë situatë katastrofike në drejtësi, ekonomi, financë, rend, siguri, korrupsion, krim dhe gjithë jetën shoqërore dhe politike. Ramës nuk i erdhi mirë, ashtu sikurse u thartua edhe kur VOA e kritikoi muaj më parë.

Unë pata shkruar atëherë një koment ku theksoja se: “Dikush duhej të fliste dhe foli VOA”. Tashmë më duhet të them përsëri se “Dikush duhej të bëhej burrë dhe të fliste dhe foli Elez Biberaj”.
Nuk dihet se sa do të realizohet por flitet se një nga këshilltarët e tij, Toni Bler, e ka këshilluar kohët e fundit Ramën që, meqenëse Sorosi e ka bërë dalje, ai duhet të zgjedhë një rrugë të dytë e cila ka të bëjë me afrimin pranë Presidentit amerikan Trump.

Meqenëse kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë, e ka të sigurt rrugën edhe për një mandate të dytë, Rama duhet të nxitojë, sepse do gjendet “sanduiç” mes Sorosit që e largoi dhe Trumpit që u sulmua prej Ramës në mënyrë publike si ‘e keqja e botës’. A do të realizohet një takim i tillë nga lobistët e këshilluar prej Bler, a do të takohet me Presidentin Trump dhe sa do ndikojë kjo në situatën e brendshme të së majtës, pritet në muajt në vazhdim. Ajo që përbën fakt të pakundërshtueshëm deri më tani ka të bëjë me arsyetimin se Sorosi, pasi e shtrydhi Ramën si limon, ka vendosur ta hedhë….

Ëngjëll Musai, Drejtor i Gazetës “Telegraf”