Flet ish kryekonsullja e Milanos, Luljeta Çobanaj

Politika

konsullata ne focus-2Pas shkarkimit që i bëri Ministria e Jashtme, ish Konsullja e Përgjishme e RSH në Milano Luljeta Cobanaj, ka vendosur të japë intervistë ekskluzive për dritare.net; kush është, konfliktet dhe presioni nga deputeti Ndocaj dhe njerëz të lidhur me nëntokën e Milanos, qëndrimi i saj për ngjarjen e transmetuar nga emisioni “STOP” i Tv Klan.

1 – Kush është Luljeta Çobanaj?

Kam lindur ne Durrës, në 23.01.1968, me baba nga Tepelena dhe nënë përmetare, të dy punëtorë e të ndershëm deri ditën e fundit të jetës. Kam tre motra e një vëlla. Kam emigruar ndër të parët dhe aktualisht më bëhen 25 vite në Itali. Kur erdha këtu, isha laureuar në Shqipëri për inxhiniere ndërtimi, por kam filluar punën si pjatalarëse, dhe pasi njesova diplomën, kam punuar në një studio projektimi italiane. Më vonë kam mbaruar edhe fakultetin juridik, dhe kam hapur një zyrë konsulence juridike, nëpërmjet të cilës kam ndihmuar edhe qindra shqiptarë për probleme dokumentesh, qëndrimi, sëmundjesh apo probleme me punëdhënësit. Në datën 7 mars, bëj 25 vjet në Itali.

2 – Kur ke filluar punë në shërbimin diplomatik?

Së bashku me tim shoq, kemi ndihmuar ekipin që erdhi nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë në hapjen e Konsullatës në Milano, gjetjen e godinës, sistemimin, pajisjen dhe funksionimin e saj. Mos harrojmë se ishte viti 2000, kur shqiptarët shikoheshin si dele e zezë. Megjithatë ne ja dolëm të siguronim një zyrë në Piaza Duomo të Milanos dhe të valvitej aty flamuri shqiptar. Kam filluar punë si financiere, sapo është hapur kjo konsullatë, dhe kam punuar për vite me rradhë. Më vonë jam shkëputur për arsye personale, dhe kam punuar në aktivitet privat me tim shoq i cili kishte fabrikën më të madhe farmaceutike, në veri të Italisë . Më vonë jam rikthyer dhe kam punuar rishtas në konsullatë në fillim si konsulle dhe më vonë kryekonsulle.

3 – Cili është karakteri i punës tuaj?

Një shërbim konsullor, përfshin para së gjithash kujdesin për shtetasit shqiptarë. Fillon kjo për shtetasit që kanë probleme me ligjin, ata që janë nëpër spitale, ndihmë emigrantëve për dokumentacionin, nxjerrje dokumentash e pasaporte dhe në fund, lëshime çertifikatash.

Në veri është përqëndruar emigracioni më i madh, çka do të thotë edhe problemet më të mëdha. Vetëm në burgje janë 3.000 shtetas shqiptarë.

Por ka edhe një punë të mirëfilltë diplomatike si binjakëzime qytetesh, thithje investitorësh, organizime vizitash qeveritare. Aq më e nevojshme bëhet kjo, kur mendon se konsullata e Milanos, mbulon veriun e Italisë, zona më e industrializuar e Evropës.

Të gjitha këto, i ndjekim me një personel prej jo më shumë se 3 diplomatësh dhe 3 ndihmës teknikë.

4 – Deputeti Eduard Ndocaj, ka bërë kritika të mëdha ndaj konsullatës tuaj.

Nuk është përfaqësues i emigrantëve pasi nuk e kanë votuar ata. Ngatërron pozicionin e tij. Është një emigrant i zgjedhur deputet. Ka marrë atribute që nuk i takojnë. Por e pritshme nga një njeri me arsim tetëvjecar.

E kam njohur kur ishte emigrant i thjeshtë dhe përpiqej të njihej me politikanë shqiptarë dhe italianë dhe unë për shkak të pozicionit shoqëror që kam pasur në Milano, njoh shumë prej tyre. E kam afruar në shoqatat e shqiptarëve. Pas zgjedhjes deputet, kërkoi ta trajtonte Konsullatën e Milanos si çiflig të vetin. Kërkonte makinat ose favore për persona të caktuar, të cilat unë nuk kam mundur t’ia plotësoj, kur kanë qenë në kundërshtim me ligjin, pasi konsullata nuk është shërbim taksish. Kur kërkonte makinë për të lëvizur, nuk mund t’ia jepja jo vetëm për faktin se nuk na lejohet, por edhe sepse ato përdoren ngushtësisht për nevoja të shërbimit. Nëse 140 deputetë, shto ministra, e zyrtarë do të kërkonin makina sa herë vijnë në Milano, imagjinoni sa duhet të ishte parku ynë. Por zoti Ndocaj, përpara se të kërkonte favore nga shteti shqiptar, duhet të lexonte ligjet. Ligje që fillojnë nga ajo e pagësës së faturave të dritave, deklarimit të pasurive dhe akuzave që i ka bërë institucionit diplomatik që përfaqësoj. Z. Ndocaj do të përgjigjet përpra ligjit për cdo akuzë ndaj meje e stafit tim.

5 – Ditët e fundit emisioni investigativ i TV Klan, “Stop”, ka publikuar një video ku një femër merr nga ju leje për martesë. Cili është qëndrimi juaj?

Së pari doja të theksoja se korrektesa do të kërkonte që gazetarët e televizionit pasi bënë xhirimet, të vinin dhe pyesnin si ka ndodhur dhe shkaqet pse e kam dhënë lejen e martesës.

Së dyti, me aq sa kam parë, xhirimi në fjalë, paraqet paratë që i paguhen një personi i cili as nuk kishte kontakt me mua, por nëpërmjet një tjetri që e quajnë sekser i ka sjellë dokumentet tek unë.

Ndërsa e vërteta mund të jetë komplet tjetër, por askush nuk pyet për dinjitetin e nëpunësit të shtetit. Nëse do të lexonit ligjin e shërbimit diplomatik dhe atij konsullor, do të shikonit se konsullatat shqiptare janë të detyruara t’iu japin ndihmë shtetasve në nevojë. Personalisht nuk e mbaj mënd rastin në fjalë, por kur më është kërkuar të firmos, mund të më jetë parashtruar që vajza është në gjakmarrje dhe nuk del dot nga shtëpia, ose se po persekutohet nga një i dashur shqiptar, apo është në kushte spitalore, e shumë arsye të tjera. Asnje nuk me dha kohë të sqarohesha se cfare dokumenti ishte dhe perse behej fjale. Nga ana ligjore ky dokument nuk ka asnjë gabim, apo kundërshtim me ligjin. Sa i përket marrjes së rryshfetit, aty asgjë nuk vërteton që unë, apo konsullata është e implikuar.

Autorëve të linçimit tim publik, dua t’iu them se dokumenti është i regjistruar rregullisht në regjistrat e konsullatës. Nëse e kam lëshuar këtë dokument për arsyet humanitare që më kanë paraqitur, kjo nuk do të thotë se kam shkelur ligjin, pasi edhe nëse procedura u përshpejtua, verifikimet për rregullsinë e shtetasve (nëse kanë qenë beqarë apo jo) do të bëheshin më pas, dhe në rast parregullsie të tyre, leja do të anullohej dhe do të lajmëroheshin organet përkatëse.

Por të gjitha këto dhe arsye të tjera, do t’ia them vetëm komisionit disiplinor të Ministrisë së Jashtme.

Dua vetëm të informoj lexuesit tuaj, nëse ndonjëri prej tyre mendon se e kam bërë për para: jam shumë e pasur, që përpara se të hyja në shërbimin diplomatik, dhe pasuria që atëhere më është pakësuar./dritare.net