Shpëtim Zinxhiria / Eshtë folur shumë, por është bërë pak, aq sa politika nuk na thotë të thote se në dorë të kujt është emigracioni shqiptar. Sic dihet shteti shqiptar ende nuk ka një politikë për emigracionin,por mbi të gjitha nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij. Akoma nuk është në gjendje të hartojë një hartë demografike, për kjëtë komunitet të haruar që përbën 30% të popullsisë shqiptare. Qeverisja jo e mire e vendit në dy dekadat e fundit po ndikon që çdo vit ta braktisin vendin 50-60 mijë shqiptar.
Lidhur me këtë shqetësim shteti shqiptar po jep shembullin më të keq përsa i përket emigracionit shqiptar kudo ndodhur, që kohët e fundit është bërë problemi më kryesor në axhendën e BE.Edhe pse kanë kaluar kaq vite emigrimi, prezenca e tij ka qenë pothuajse zero, duke u kërkuar emigranteve te deklarojne regjistrimin e tyre ne vendet ku banojne. Por a është e mjaftueshme interesimi i qeverise vetëm për regjistrimin e tyre, ku problemet e emigrantëve janë të pafundme…
Kjo çështje kërkon mbi të gjitha një unitet dhe solidaritet politik si dhe një administrim mbarë e kombëtar në lidhje me vendet ku kanë emigruar shqiptarët. Për këtë nga shteti shqiptar kërkohet një politikë konkrete, duke lënë mënjanë premtimet.
Ka vite që është hedhur ideja për ngritjen e një ministrie për diasporën, po dhe kaq vite po heshtet. Asnjë politikan nuk ka marrë mundimin të diskutojë për këtë problem në altarin më të lartë të shtetit, në parlamentin shqiptar. Jo pak herë ish presidenti Alfred Moisiu kish kërkuar krijimin e kësaj ministrie për diasporën, po kërkesa e tij deri më sot, kanë mbetur në sirtarët e indiferentizmit dhe burokracisë së shtetit të sotëm. Më pas në fushatën elektoriale u ndigjua nje premtim nga kreu i qeverise se sotme, për ngritjen e kësaj ministrie, gjë që nuk u realizua por që mbeti i tillë.
Vendi yne deri me sot renditet ne ato vende qe nuk ka nje ministri per emigracionin, qe në aspektin politik i është qëndruar larg, jo për të bërë mrekullira dhe të pamundurën , por për të bërë më elementaren. Gjatë gjithë këtyre viteve shteti dhe shoqëria pak janë shqetësuar, edhe pse ne si vend imigrimi nuk kemi qenë as te parët dhe as të fundit.
Po ndryshimi i vendit tonë është se 30% e popullsisë mbas viteve 1990 u zhvendos në shumë vende të botës, kundrejt një indifertentizmi madhor shtetëror.
Fenomeni i i imigrimit masiv i popullit shqiptar përtej kufijve ballkanik e ka renditur vendin tonë në vend të parë, i cili edhe sot në mënyra nga më të ndryshme bën përpjekje ligjore për të ndalur sado pak atë. Po vallë a mund të ndalet emigracioni klandestin vetëm me masat ligjore?…
Shqipëria po përballet me sfidën më të madhe në rrugën e procesit të integrimit europian, ku përveç problemeve të tjera të brendshme, një problem të madh ka edhe emigracionin, ku për këtë duhet të përmbushë të gjitha detyrimet morale-politike.
Por, çelësi i zgjidhjes për emigracionin apo diasporën ne pergjithesi, njëlloj si dhe në vendet të tjera të është ristrukturimi, pra ngritja e një institucioni shtetëror. Një proces që kërkon mbi të gjitha punë dhe vullnet të përbashkët në vijën politike, pa dalime dhe ngjyre partiake…
Për të qenë sa më efekt duhet të bëhet e mundur që qeveria të hartojë dhe t’u përgjigjet strategjive të qarta për diasporën, për problemet që dalin për nje zgjidhje efikas dhe të efektshëm. Si një bord drejtues, kjo ministri do të luaj një rol të rëndësishëm për përcaktimin e drejtimin strategjik, vijën politike të qeverisë e të shtetit shqiptar në diasporë, që deri më sot ka munguar.
Studimet e dala nga ky institucion shtetëror në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit do të ndikonin faktikisht në organizimin e copëtuar të emigracionit. Për të patur këtë kërkon vullnet politik nga ana e qeverisë. Por nuk është çudi që në ngritjen e këtij institucioni do të ketë edhe rezistencë të kundërt, edhe pse emigracioni po ndeshet me të drejtat morale, të punësimit, të respektimit dhe konsolidimit të drejtave të tyre, nga mospërfillja nga organet shtetërore të vendeve pritëse në mungesën e respektit dhe dinjitetit.
Në momentet e sotme shteti shqiptar nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij, nuk di saktësisht se a i mbrohen të drejtat më elementare të tyre, por është mjaftuar vetëm me ndonjë relacion të dërguar nga ndonjë ambasadë e tij. Këto realicione në të shumtët e rasteve kanë treguar se kanë qenë të kundërta me realitetin, pasi në krye të stafit drejtues ambasadori eshte i emëruar si diplomat politik dhe një përçues i vijës partiake.
Koha ka treguar se premtimet dhe angazhimet e herë pas hershme të partive të ndryshme politike, në fushata elektorale përball halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm premtime dhe asgjë tjetër.
Si në vitet e shkuara por edhe sot, shteti shqiptar nuk po tregon një interes të veçantë ne mbrojtje te drejtave te tyre, për pensionet në vendet ku punojnë, për shërbimin mjekësor, arsimin dhe kulturën. Jane vete emigrantet ata qe perpiqen per te sfiduar keto padrejtesi…
Marrëdhëniet e politikës shqiptare me emigracionin i janë lënë momentit dhe rastit, pasi ambasadat shqiptare kudo ndodhura e me personel përkatës, jo vetëm që nuk kanë kohë, dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë për të bashkëpunuar, por fatkeqësisht janë kthyer thjesht në punonjës të rëndomtë në ciklime dhe vulosje dokumentesh etj.Drejtoria e Emigracionit pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, e ngritur apostafat me një personel të pakët prej dy specialistësh nuk mund të përballojnë dot problemet e mëdha të emigracionit shqiptar të shpërndarë në mbi 60 vendet e botës. Koha po tregon se vendi ynë i ka kthyer kurrizin jo vetëm emigracionit të brezit të parë, por edhe fëmijëve të tyre.
Lind pyetja. Kush organ dhe dikaster merret me emigracionin shqiptar? Kush organ dhe dikaster ka verifikuar realizimin ose jo të objektivave të Strategjisë Kombëtare të Imigracionit Shqiptar hartuar në vitin 2006. Një strategji që jo vetëm bëri bujë, por edhe shpenzimet nuk ishin të pakta, pasi hartimi u bë jo vetëm pa studiuar emigracionin aktual, por u hartua nga të huajt ( Italia), duke mos i përshtatur aspak vendit tonë. Sot për këtë strategji shqiptare me “gjeneral të huaj” po heshtet dhe askush nuk merr përgjegjësinë, të thotë se sa janë realizuar objektivat…
Ngritja e për shumë folur e një ministrie emigracioni do të ndryshonte klimën ekzistuese të emigracionit shqiptar, pasi shumë studime, si dhe lidhja me Diasporën do të ishte një nevojshmëri për kushtet aktuale të vendit tonë. Diaspora në shumë raste ka zbuluar të metat që ekzistojnë në marrëdhëniet shtet-emigracion. Si një vend i madh imigrimi dhe vend pritës për emigrantët e tjerë del si domosdoshmëri ngritja e kësaj ministrie me një njerëz specialiste të kësaj fushe. Italia edhe pse problemin e imigrimit e ka zgjedhur para 60 – 70 vjetësh, edhe pse ekonomia e vendit nuk bazohet nga emigrantët e saj, ka sot ministri emigracioni.
Shteti shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh.
Futja në NATO, si dhe më pas në BE, nevojat e vendit bën të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni shtetëror. Shumë emigrantë, intelektualë, shkencëtarë në emigrim u kanë rënë kambanave të para për të dhënë alarmin jo vetëm për komunitetin , por edhe për vetë shtetin shqiptar se dikush duhet të merret me problemet e tyre.
Arsimi, kultura, sigurimet shoqërore dhe biznesi shqiptar janë lënë në mëshirën e fatit, thua se këta nuk i përkasin Shqipërisë shqiptare. Po në qoftë se do të kishte patur një institucion shtetëror ( ministri) të organizuar apostafat për bashkëpunim nëpërmjet shtetit dhe emigracionit, problemet do të ishin krejt ndryshe. Po pse hezitohet akoma?… Diaspora ka nevojë për të, jo për bukë dhe ujë.
Administrimi sa më i drejtë i emigracionit kërkon padyshim edhe kushtet normale. Në të gjitha fushat Diaspora është një potencial i madh jo vetëm ekonomik dhe politik, por edhe në aspektin social dhe kulturor.
Aktivitet e bëra deri më sot në Diasporë mbajnë vulën e vetë emigrantëve. Seminaret e ndryshme, festivalet e filmave shqiptarë, festivalet e fjalës artistike, hapja e ekspozitave, panairet e librave si dhe i biznesit janë bërë kryesisht me forcat e tyre.
Politikanë mund të justifikohen se shteti ynë nuk ka fuqinë financiare njëlloj si shtet e tjera, por të kujtojmë se sa para futen në vit nga emigrantë, sa para u merren atyre për ciklimet e dokumenteve pranë ambasadave tona, (ku shteti vulos po shtetin). Mund të themi se po të kishte një vullnet të mirëfilltë, kjo ministri do të ishte ngritur prej kohësh në Shqipëri….
Ndryshimi klimaterik do të ndikojë në një zhvendosje të madhe tektonike të popullsive të vendeve të ndryshme. Futja e Shqipërisë në BE, e bën më shumë se kurrë të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni, pasi lëvizja e emigrantëve nga një vend në tjetrin do të jetë i lirë.
Shqipëria e sotme matet me Europën e dikurshme që emigronte për në kontinentet e tjera, ndërsa sot Europa është bërë vend pritës i emigrantëve që përbëjnë rreth 10-12 % të popullsisë. Po e njëjta gjë do të ndodh edhe në Ballkan.
Besoj se nuk do të jetë e largët ajo ditë kur vendi do të ndeshet përball emigracionit klandestin nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Për këtë duhet që shteti shqiptar të përgatitet jo vetëm për të sotmen, për emigrantët e tij kudo ndodhur, por për të hartuar një strategji kombëtare për emigrantët që do të vijnë. Shqipëria nuk ka më se çfarë humbasë, kur ka në diasporë ndodhen rreth 30% së popullsisë, në një kohë kur duhet të mendojë për të mirën e kombit, se emigracioni nuk është një problem partiak por mbarë kombëtar. Në të kundërt kur dëshira, vullneti, shqetësimi dhe angazhimi janë në një shkallë të lartë, kjo pengesë komplekse inferioriteti bëhet më e lehtë dhe shumë shpejt e kapërcyeshme.
Mendoj se ka ardhur koha për ngritjen e këtij institucioni për të mirën e kombit, por më parë në hartimin e një harte demografike…
Shpetim Zinxhiria