Një në tetë adoleshentë ne Europë vendos baste online. Këto janë rezultatet e një vëzhgimi katërvjeçar të nxënësve të shkollave nga mosha 15 deri në 16 vjeç.
Adoleshentët në Europë kanë zhvilluar një ves të ri i cili vjen në formën e vendosjes së basteve online. Sipas një studimi të publikuar nga Projekti Europian i Sondimit në Shkolla për Alkoolin dhe Drogat (ESPAD), tek adoleshentët është ulur konsumi i duhanit dhe alkoolit por vendosja e basteve është në rritje.
Ky studim i ka marrë të dhënat nga 96 043 nxënës të moshave 15-16 vjeç në 35 vende të Europës.
Pyetjes nëse kanë luajtur para në baste gjatë vitit të kaluar i janë përgjigjur me “po” 23 % e djemve dhe 5% e vajzave.
Një tjetër pjesë e studimi ka zbuluar se një në tetë djem kanë luajtur baste në mënyrë të rregullt (dy deri në katër herë në jave) gjatë vitit të fundit. Niveli më i lartë i kumarit online nga adoleshentët raportohet në Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi dhe Slloveni.
“U duhet dhënë prioritet i lartë masave për të parandaluar që adoleshentët të zhvillojnë probleme të lidhura me kumarin, si borxhet, mungesat psikologjike dhe mangësitë sociale”, thonë autorët e vëzhgimit ESPAD. Vëzhgimi i gjashtë ESPAD, që shtron pyetje edhe për përdorimin e internetit nga adoleshentët, tregon se përdorimi i drogave të paligjshme ka mbetur në nivel të qëndrueshëm me mesatarisht 18 % të adoleshentëve, të cilët thonë se kanë përdorur një substancë të paligjshme të paktën një herë në jetën e tyre. Kanabisi mbetet më popullori dhe më lehtësisht i arritshmi për adoleshentët. Kërkuesit thonë se po shtohen provat se teprimi i përdorimit të internetit, lojërat elektronike dhe bastet online kanë të njëjtin potencial për t’u shndërruar në varësi sikundër edhe substancat psikoaktive, kështu që ata e kishin zgjeruar vëzhgimin e aktiviteteve të adoleshentëve. Ndërkaq, ata thonë se nuk ka lidhje të fortë mes përdorimit të drogës, duhanit apo alkoolit dhe sjelljeve të rrezikshme si bastet online. “Duket e nevojshme që të bëhen përpjekje të veçanta për të parandaluar përdorimin e hershëm të substancave dhe bixhozit, sikundër përdorimin e tepruar të internetit dhe lojërave online në fëmijëri dhe adoleshencë”, është përfundimi i autorëve të vëzhgimit ESPAD.