Fatmir Toçi: Gjika, Duka – E majta dhe e djathta

Politika

fatmiri reagon ndaj gjikes

Fatmir TOÇI / Të jem i sinqertë unë nuk e besoj një lëvizje të tillë të Shpëtim Gjikës, edhe pse lajmi është artikuluar edhe para pak kohësh, kur z. Duka ishte për takime në Vlorë për të promovuar kryesimin e tij në këtë parti, edhe pse mardhëniet e tij me PS në periudhën e fundit të ushtrimit të mandatit të Kryetarit të bashkisë nuk kanë qenë aspak të këndshme, madje të rënduara dhe jo fort të qarta për opinionin publik.

Me këto rrjeshta nuk kam aspak për qëllim të bëj diversion apo të ndikoj sadopak në qëndrimin e Gjikës në vendimmarrjet e tij politike. Ai është me përvojë të gjatë politike, drejtuese dhe administrative dhe e di vetë se çfarë bën dhe si i shërben më mirë vehtes, familjes, Vlorës dhe gjithë vendit.

Me Gjikën kemi qenë për 6 vjet në strukturat më të larta të drejtuese në Qarkun e Vlorës, ai si kryetar bashkie dhe drejtues politik i PS në Qark, unë si deputet, i mbështetur edhe prej tij në hartimin e listave në vitin 2009.  Kemi bashkëpunuar, por shpesh edhe nuk jemi marrë vesh për çështje parimore, kryesisht për hapjen e partisë dhe strukturave të saj drejtuese dhe luftës kundër frymës e dukurive klanore në drejtimin e saj.

Në punët drejtuese e organizuese, si dhe lëvizjet e mëdha politike bëhen edhe gabime, aq më tepër në një qark të madh e me plot protagonistë si Vlora; aq më tepër kur pushteti vendor ishte përballë dhe në një opozitë të gjatë me pushtetin qendror, qeverinë e dejtuar nga Sali Berisha, që Vlorën e kishte fshirë nga harta e qeverisjes së tij dhe nuk ekzistonte në asnjë prej programeve e planeve të kabinetit së tij; në kushtet e një varfërie të skajshme të banorëve të Jugut, për shkak të harresës së madhe çerekshekullore të politikës.

Por askush nuk mund ta thotë se Shpëtim Gjika nuk është i majtë, që nuk është socialist, që nuk është atdhetar me rrënjë e me degë e që vjen nga një familje e madhe labe me figura të njohura kombëtarisht e me tradita të hershme. Askush nuk mund të harrojë, aq më tepër të mohojë, mbështetjen e tij në luftën e madhe opozitare dhe revoltat popullore para viteve 2013. Askush nuk mund të harrojë kontributin e spikatur të tij në kremtimin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku Vlora u bë epiqendra e vendit, nderi dhe krenaria e gjithë shqiptarëve kudo që ishin…
Shpëtim Gjikën nuk e lidh asgjë me të djathtën, aq më tepër pas dekleratës së sotme të z. Duka se vendi i partisë së tij është në bashkëpunim dhe koalicion me PD, e cila ka luftuar historikisht për rrënimin e Vlorës dhe denigrimin e vlonjatëve.

Ndaj unë nuk e besoj një lëvizje të tillë të Gjikës. Vendi i tij është atje ku ka qenë që në zanafillën e tij politike, te e majta e progresit dhe e zhvillimit, te familja e madhe e socialistëve, pavarësisht se si do të jetë, në rolin e kryetarit, drejtuesit politik, antarit të thjeshtë apo simpatizantit të kësaj familjeje të madhe.